E kam të vështirë t’i përgjigjem kësaj pyetjeje. Pasi kjo gjykatë “specialiste” është, në fakt, një gjykatë speciale. Është ad hoc, një gjykatë ex post, e krijuar për të gjykuar persona të caktuar për fakte të caktuara (ato të diskutuara në raportet Marty dhe SITF).
Gjykata të tilla në përgjithësi shihen si anti-etike ndaj parimeve të barazisë: jo vetëm ligji, por zbatimi i tyre duhet të jetë i njëjtë për të gjithë. Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut thotë se drejtësia duhet të jepet nga gjykatat të “krijuara me ligj”; dhe, siç e di unë, gjykatat speciale në mënyrë eksplicite janë të ndaluara nga kushtetutat holandeze, gjermane dhe italiane, që konfirmojnë të drejtën të gjykohet nga një gjykatë “legale” apo “neutrale”. Me fjalë të tjera, krimet duhet të gjykohen nga gjykatat e identifikuara ex ante dhe në bazë të kritereve të përgjithshme – sa i rëndë është krimi, vendi ku është bërë – dhe jo nga gjykatat e krijuara ex post për një krim të caktuar apo një të dyshuar të caktuar.
Ka gjykata ndërkombëtare speciale, sigurisht si ajo ICTY dhe Tribunali i ngjashëm për Ruandën. Por gjykatat e tilla merrem me krime të një karakteri ndërkombëtar dhe qëndrojnë mbi shtetin: i takojnë rendit ligjor ndërkombëtar, që në atë kohë kishte mungesë të një gjykate të përgjithshme penale (Gjykata Ndërkombëtare Penale, që është themeluar në vitin 2002).
Gjykatat speciale vendore janë problematike, pavarësisht motiveve që justifikojnë krijimin e tyre. Sepse ato nënkuptojnë që disa krime të caktuara apo kriminelë do të trajtohen ndryshe nga të tjerët; thyejnë parimin e barazisë dhe justifikojnë dyshimet për paanësinë e tyre.
Kjo është veçanërisht e vërtetë – dhe ky është kundërshtimi im i dytë kryesor – se kjo gjykatë është e cenueshme ndaj ndërhyrjeve politike. Nenet 28, 32, 33 dhe 35 të Ligjit të funksionimit të gjykatës në fakt lejon kreun e politikës së jashtme të BE-së të zgjedhe presidentin e gjykatës, kryeprokurorin dhe gjyqtarët pa garantuar transparencë apo pa procedurë konkurruese.
Mbrojtja e vetme ndaj vendimeve arbitrare është kërkesa që emërimet e tilla të paraprihen nga “rekomandimi” i një paneli zgjedhor, por emërimi i anëtarëve të panelit mbetet në diskrecionin e të njëjtit person, kreut të politikave të jashtme të BE-së: kështu që është një garanci rrethore.
Ngjashëm, zgjedhja e gjykatësve që do të qëndrojnë në panelin që do të dëgjojë rastet të sjella para gjykatës mbetet në diskrecionin e presidentit të gjykatës.
Dhe kur një autoritet politik mund të zgjedhë gjykatësit dhe prokurorët që do të merren me një rast delikat me njohuri të plotë të pretendimeve të mundshme dhe të të pandehurve, ndërhyrja është e lehtë (dhe nuk duhet as të jetë e qartë: nëse dëshiron të shfajësosh, ju do të zgjidhni gjyqtarë të butë dhe prokurorë neglizhentë; nëse dëshiron të dënosh dikë, atëherë do të zgjidhni ata rigorozë dhe të zellshëm; nëse je i pasigurt, atëherë do të zgjidhni gjykatës dhe prokurorë me moral të ulët, ata që mund të ndikohen nga një fjalë e thjeshtë e kafeve).
Në të vërtetë, historia e UNMIK-ut dhe e EULEX-it tregon se fakti se drejtësia administrohet nga gjyqtarë jokosovarë dhe prokurorë jokosovarë është larg e të qenit e mbrojtur nga ndërhyrjet politike.
(Këto mund të jenë pikërisht arsyet pse Thaçi dhe aleatët e tij pranuan gjykatën në vitin 2014: ata supozuan se miqtë e tyre perëndimorë do të përkujdeseshin që gjykata të mos i shqetësonte; por miqtë e tyre perëndimorë mund të kenë ndryshuar mendje).
Arsyeja e tretë është se kjo zgjidhje sui generis e ngatërruar e hipokrite u bë e nevojshme nga dështimet e të njëjtave fuqi që insistuan për të.
Arsyet pse një gjykatë speciale ka qenë e nevojshme janë këto, në fakt: së pari, gjatë nëntë vjetëve të mandatit të vet UNMIK-u nuk është marrë me krimet e diskutuara në raportet e Martyt dhe të SITF-it, pavarësisht se i kishte – apo nuk ishte në gjendje t’i gjente – të gjitha informatat që Marty dhe SITF-i zbuluan; e dyta, EULEX-i po ashtu nuk ishte në gjendje, apo nuk dëshironte, t’i prekte këto çështje; e treta, përkundër përpjekjes 15-vjeçare dhe shpenzimit të shumë parave të donatorëve, në vitin 2015 gjyqësori i Kosovës ende nuk kishte kapacitete, integritet dhe pavarësi për t’u marrë me këto çështje.
Këto janë arsyet pse Perëndimi e detyroi Kosovën të krijonte një gjykatë që bie ndesh me dy parimet thelbësore të demokracisë: barazia para ligjit, dhe, pa dyshim, edhe e drejta për një gjykim të drejtë.
Kjo është arsyeja pse unë u pajtova me Jeta Xharrën, e cila argumentoi në vitin 2014 se Gjykata Speciale nuk duhet të krijohet: ajo tha se forcat perëndimore është dashur t’ua linin gjykatave të Kosovës të merren me këto krime, duke i thënë opinionit publik në Kosovë se shteti do të gjykohet nga aftësia për të administruar drejtësinë në mënyrë të paanshme.
Po të ndiqej kjo këshillë, megjithatë, unë mendoj se e gjithë çështja do të ishte “varrosur” shpejt nga gjykatësit e Kosovës, pa asnjë pasojë të pafavorshme politike. Kjo nuk do të kishte qenë e drejtë, mendoj, edhe nëse dikush supozon se lufta e UÇK-së ishte “e pastër”, siç thonë shumë në Kosovë. Sepse, siç shkroi famshëm themeluesi i kësaj gazete, ata serbë që kanë vdekur rreth qershorit të vitit 1999, nuk kanë vdekur pasi kanë ngrënë kërpudha helmuese: çfarëdo që të mendojë dikush për UÇK-në, ose me përmasa të ndryshme të atyre të Serbisë, disa krime kanë ndodhur dhe do të ishte e padrejtë t’i fshihnim ato nën qilim.
Është e vështirë të vendosësh se cila është e keqja më e vogël: mohimi i drejtësisë, apo shkelja e parimit të barazisë. Akoma, tash që gjërat shkuan në këtë mënyrë, gjithsesi mund të mbahet mendja e hapur, duke ruajtur të gjitha kundërshtimet kundër gjykatës, dhe të shihet se si gjykata po sillet: nëse do të arrijë të japë në mënyrë kredibile drejtësi të paanshme, kjo do të mund të rezultonte, në fund të fundit, si e keqja më e vogël.