OpEd

2020-a, viti që shtoi dhunën ndaj grave

Viti që po e lëmë pas ishte përplot kriza, por ajo çfarë më së shumti la shenjë tek gratë gjatë ditëve të izolimit dhe krizës me pandeminë ishte dhuna.

2020. Vit që do të mbahet mend gjatë, për kriza. Krizë ekonomike, politike, shëndetësore. Krizë nervash e emocionesh. Dhe sigurie. Krizat e shkaktuara si pasojë e pandemisë COVID-19, që shënoi vitin 2020, sollën ndryshime drastike në jetën e përditshme. Si rëndom, pësuan më së shumti, gratë.

Me mbylljen e shkollave prindërit duhej të përshtatnin obligimet ndaj fëmijëve. Kjo ngarkoi nënat, të cilat edhe ashtu vlerësohet se kryejnë tri herë më shumë punë të shtëpisë krahasuar me burrat. E këto punë nuk paguhen.

Në fillim të pandemisë dhe në ditët e para të izolimit besohej se koha e shpenzuar brenda shtëpisë do të ndikojë që punët e shtëpisë dhe kujdesi për fëmijët do të “ndahej” barabar mes burrave e grave. Por analizimet e shumta në fakt treguan se barra më e madhe për punët e shtëpisë dhe kujdesit për fëmijë bie tek gratë.

Disa studiues (Boston Consulting Group), që intervistuan më shumë se 3 mijë njerëz në SHBA dhe Evropë, zbuluan se gratë të cilat punojnë shpenzojnë mesatarisht 15 orë më shumë në javë për punët e papaguara në shtëpi kundrejt burrave.

Efektet ekonomike të pandemisë po ashtu goditën më shumë gratë, sepse numër më i madh i tyre punojnë punë më pak të paguara e më të pasigurta. Kjo i bën më të ekspozuara ndaj humbjes së vendeve të punës. Madje, derisa mjekët gjatë krizës me pandeminë janë vlerësuar si heronj të kësaj beteje, harrohej shpesh fakti se infermierët, e që dukshëm janë më shumë gra sesa burra, ishin më të rrezikuara nga infektimi gjatë kujdesit ndaj pacientëve.

Por ajo çfarë më së shumti la shenjë tek gratë gjatë ditëve të izolimit dhe krizës me pandeminë ishte dhuna.

Sipas vlerësimeve të UN WOMEN, një në çdo tri gra përjetojnë dhunë fizike apo seksuale kryesisht nga partnerët e tyre. Para pandemisë 243 milionë gra e vajza në botë të moshës 15-49 vjeçe përjetuan dhunë fizike apo seksuale nga partnerët vitin e shkuar. Por izolimi ndikoi që kjo shifër të rritej shumë më shumë. Kosova nuk ishte fare përjashtim. Përkundrazi. Si asnjëherë më parë, secili raport i Policisë për krimet e kryera brenda 24 orëve përmbante njoftime ku gratë e vajzat ishin viktima. Rrahje, abuzime seksuale, rrëmbime e në disa raste edhe vrasje. Gjatë 2020-s disa prej grave janë vrarë në mënyrë shumë brutale. Rasti më i rëndë i këtij viti është ai në fshatin Berivojcë (Kamenicë), ku një 34-vjeçare vdiq nga goditjet me shufër.

Pandemia vetëm sa e shtoi numrin, por dhuna ndaj grave në shoqërinë ende dukshëm patriarkale kosovare, pa turp, ka ekzistuar ndër vite. Thirrjet e shumta e protestat... asgjë nuk ndikoi që e ajo të zbutej së paku. Institucionet e drejtësisë vazhdojnë të çalojnë sa u përket dënimeve në rastet e dhunës ndaj grave. Kur jemi tek institucionet, ndonëse ekziston që nga viti 2011, vetëm në 2020-n Kuvendi i Kosovës miratoi amendamentin në bazë të të cilit Konventa e Stambollit do të përfshihet në Kushtetutën e vendit.

Dhuna ndaj grave është temë e rëndësishme, por në Kosovë përmendet kryesisht me shkaqe. Kur dikush sulmohet ose vritet, apo në ditët ceremoniale*. Secili qytetar duhet besuar që dhuna ekziston me apo pa pandemi. Viktimat e dhunës kërkojnë të mos gjykohen e paragjykohen. Duhet njohur dhunën e jo të kërkohen arsyetime dhe faj në “sjelljen e viktimës”. Arsyetimi i dhunës fundja është pasqyrim i bindjes kolektive rreth çështjes e që pa dyshim ndikon edhe në punën e organeve relevante, sepse aty tek-tuk gjejmë njerëz me paragjykime rreth asaj se “çfarë e detyroi personin X të sillet ashtu ndaj gruas”. Për shkak të këtyre paragjykimeve dhe fajit që i lihet viktimës, shumë gra preferojnë të mos raportojnë dhunën e as të mos flasin për këtë. Preferojnë të heshtin, sepse mund të vriten nëse dikush ndihet i provokuar nga veprimi i tyre, preferojnë të heshtin, sepse druajnë që përfundojnë në rrugë të vetme e të pambrojtura. Policia shumë gra shpesh i ka zhgënjyer. I zhgënjeu duke mos ofruar mbrojtje e ndihmë, i zhgënjeu duke i detyruar të humbin besimin. I zhgënjeu, sepse i la të vetme të heshtin e të durojnë deri në ditën kur përfunduan të vrara.