OpEd

2018: Një vit historik

Derisa hyjmë në 2018-n, thirrje i bëj secilit prej jush që ta ringjallni përkushtimin për ta bërë Kosovën një vend më të mirë për fëmijët dhe nipërit e mbesat e juaja, në mënyrë që ata t’i mbesin besnikë dhe të vazhdojnë arritjet e juaja. Ka ardhur koha që të lihet anash ndjesia e përhapur e dëshpërimit, për të punuar për ndryshime pozitive dhe një të ardhme më të ndritshme

2018-ta shënon fundin e dekadës së parë të pavarësisë. Keni arritur shumë, por shumë punë të tjera ju presin.

2018-ta shënon edhe një përvjetor tjetër: njëzet vjet që kur SHBA-ja dhe NATO-ja ndërhynë për t’i dhënë fund shtypjes së Milosheviqit. Ishte ndërhyrja jonë ajo që bëri kthesën në favor të patriotëve në krye me Ibrahim Rugovën, qytetarëve-ushtarë trima të mbledhur në kuadër të UÇK-së, organizatave të shoqërisë civile si “Nëna Terezë” dhe qytetarëve të Kosovës, që sakrifikuan aq shumë për ta arritur ëndrrën e pavarësisë.

Përvjetori i angazhimit amerikan është i veçantë për mua. Ishte vera e vitit 1998 kur një grup i diplomatëve dhe ushtarëve amerikanë mbërritën për të monitoruar konfliktin e përgjakshëm midis një kryengritjeje në rritje dhe forcave serbe. Mbi 300 diplomatë dhe ushtarë amerikanë e kanadezë shërbyen në Misionin Diplomatik Vëzhgues në Kosovë (KDOM) deri në ndërhyrjen e NATO-s, në mars të 1999. Ata shfaqën përkushtimin e thellë amerikan për t’i sjellë paqe Kosovës.

KDOM-i ia hapi dyert ndërhyrjes së NATO-s dhe u shndërrua në themelin e urës së miqësisë midis shtetit tim dhe tuajit. Ne që shërbyem në KDOM jemi krenarë për këto arritje dhe faktin që shërbyem si lidhja e parë zyrtare midis shteteve dhe popujve tanë. Po ashtu, duam që ëndrrat e juaja për një jetë më të mirë për të gjithë të përmbushen.

Çfarë ju pret

Mediet e juaja janë përplot me raporte rreth dialogut me Serbinë dhe demarkacionit të kufirit me Malin e Zi – janë këto çështje të rëndësishme – por ka edhe probleme të tjera urgjente që duhet të trajtohen sa më shpejt.

Po qe se ato nuk trajtohen, ëndrra për një jetë më të mirë nuk do të realizohet dhe Kosova do të bëjë hapa prapa. Trajtimi i këtyre problemeve, po ashtu, do ta bëjë më të ndritshme perspektivën evropiane të Kosovës, përfshirë hapjen e dyerve për udhëtimin pa viza për në BE.

Çështjet

Së pari, korrupsioni. Nuk kam nevojë t’ju them se ai është i pranishëm gjithkah. Korrupsioni është duke e gërryer prirjen e juaj evropiane dhe strukturën e shoqërisë. Ta shikojmë në nivelin personal: Doni të jetoni në një shoqëri ku ka pak ose aspak besim tek institucionet, në liderët politikë, mësimdhënësit, madje edhe tek fqinjët?

Mund ta ndihmoni shtetin e juaj të bëhet shtet i sundimit të ligjit, duke kërkuar transparencë prej Qeverisë së juaj dhe duke i dërguar liderët e korruptuar në shtëpi përmes zgjedhjeve.

Dhe, mbajeni edhe veten përgjegjës: mashtrimi në provime, fryrja e faturës së një klienti, vjedhja e Qeverisë apo punëdhënësit tuaj, shitja e diplomës apo një note – që të gjitha këto janë njolla në nderin e juaj personal dhe familjar.

Në kulturën shqiptare, besa është më e rëndësishme sesa paraja. A dëshironi që ta sakrifikoni atë parim, mbase më të rëndësishmin në Kanunin e Lekë Dukagjinit, në mësymjen për pasuri apo pushtet?

Së dyti, promovoni ndryshimin dhe idetë e reja për përballjen me sfidat politike, ekonomike dhe kulturore. Keni të rinj të mençur e të sinqertë – burra e gra. Jepuni atyre rol në përballjen me problemet e Kosovës.

Së treti, investoni në arsimim. Shkollat e mira janë shtyllë e mirëqenies së një shteti. Ibrahim Rugova, Dr. Bujar Bukoshi dhe Isa Mustafa e kishin kuptuar këtë 15 vjet më parë, kur përdorën paratë e “Fondit të Atdheut” për krijimin e AUK-së, tani Instituti Rochester i Teknologjisë-Kosovë (RIT-K), për të siguruar arsimim të cilësisë amerikane. Që nga ajo kohë, Qeveria e juaj i ka kushtuar pak vëmendje arsimimit. Prandaj, do të ishte inkurajuese që kryeministri Haradinaj dhe kryebashkiaku i Prishtinës, Ahmeti t’i kushtojnë prioritet të lartë përmirësimit të shkollave.

Së katërti, investoni në shëndetësi. Sistemi i shëndetësisë në Kosovë është i rrënuar nga korrupsioni, e shpesh edhe paaftësia. Pa mjekë, infermierë, teknikë dhe spitale të mira, do t’iu mundojë kujdesi shëndetësor që ju duhet dhe shteti juaj e shoqëria do të jenë më të dobëta shkaku i asaj.

Së pesti, mbrojeni ambientin tuaj. Prishtina është një prej qyteteve më të dobëta të botës, derisa ujësjellësi ka telashe me ujin e turbullt shkaku i hedhjes së parregulluar të mbeturinave. Kërkoni prej përfaqësuesve që i keni zgjedhur të merren me ndotjen e ajit dhe të ujit për ta mbrojtur ambientin – ashtu si edhe shëndetin personal dhe të fëmijëve të juaj.

Së gjashti, merrni pjesë si qytetarë. Arritja e juaj më e madhe është se ju dhe Kosova jeni më në fund të lirë! Bashkëvendësit e juaj, të zgjedhur me zgjedhje të lira, e qeverisin Kosovën.

Askush nuk mundet – apo duhet - t’ju diktojë se për kënd duhet ta hidhni votën.

Por, me lirinë dhe demokracinë vijnë obligimet. Derisa jeni të lirë për të zgjedhur liderët e juaj, duhet të merrni pjesë, të votoni, ta ushtroni privilegjin për të cilin shumë bashkatdhetarë kanë rënë gjatë 100 vjetëve të kaluara. Vetëm nëse merrni pjesë, demokracia do të mundë të funksionojë. Aq shumë prej jush nuk votojnë. Votoni!

Dhe pak perspektivë

Sfidat me të cilat përballeni ju dhe liderët e zgjedhur janë të mëdha. Por vetëm së bashku mund t’i kaloni ato. Ashtu keni bërë në të kaluarën.

Jam dëshmitar i asaj. Ishte viti 1981 kur me bashkëshorten erdha në Kosovë, pas trazirave. Kosovarët e gjeneratës sime e mbajnë në mend se sa e varfër, izoluar dhe sa prapa ishte Kosova.

Tani, sa herë që kthehemi mahnitemi me progresin tuaj. Kosova ka një rrjet të shkëlqyeshëm rrugësh; ka më pak varfëri dhe madje edhe fshatrat kanë qasje në internet. E Prishtina është transformuar në një shtet të gjallë – krahas trafikut më të ngarkuar dhe ndotjes më të rëndë të ajrit në botë.

Mbi të gjitha, Kosova është e pavarur dhe njihet nga më shumë se 100 shtete.

Ndryshimet sociale janë edhe më dramatike. Gratë tani marrin pjesë më shumë në të gjitha aspektet e jetës. Një grua ka shërbyer si presidente, ka gra në FSK e polici, gratë kanë role të rëndësishme në politikë si ministre, kryetare komunash dhe deputete, derisa ambasadorja e juaj shumë efektive në shtetin tim është një grua! Universiteti i Prishtinës dhe kampuset e kolegjeve janë përplot me gra.

Kosova po përfiton, njëjtë si shteti im dhe demokracitë evropiane, prej përfshirjes më të madhe të grave në çështjet politike, ekonomike, sociale dhe kulturore.

Dyzet vjetët e kaluar janë dëshmi se vendosmëria, puna me përkushtim, prioritetet e qarta, ashtu si edhe një udhëheqësi e sinqertë dhe e aftë mund ta transformojnë Kosovën në shtetin që e ëndërruan Ibrahim Rugova, Fehmi Agani, Anton Çetta dhe Adem Jashari.

Derisa hyjmë në 2018-n, thirrje i bëj secilit prej jush që ta ringjallni përkushtimin për ta bërë Kosovën një vend më të mirë për fëmijët dhe nipërit e mbesat e juaja, në mënyrë që ata t’i mbesin besnikë dhe të vazhdojnë arritjet e juaja. Ka ardhur koha që të lihet anash ndjesia e përhapur e dëshpërimit, për të punuar për ndryshime pozitive dhe një të ardhme më të ndritshme.

Gëzuar Vitin e Ri!