Kosova ëndërr 14 vjeçe! Është ëndrra e të parëve tanë që, me gjithë flijimet dhe sakrificat aq të shumta, nuk arritën që ta gëzonin. Është ëndrra e martirëve aq të shumtë ndër shekuj e ndër vite, është ëndrra dhe amaneti i tyre që ne sot po e jetojmë! Por, a jemi duke ua arsyetuar vuajtjet dhe sakrificën? Mendimi im është se jo në masën e duhur. Këtu flas për ne si komunitet shumicë shqiptare që jetojmë në Kosovë. Progresi ynë do të duhej të ishte shumë më i madh si shoqëri. Si individë ne kemi arritur të shpërthejmë jashtë kufijve të shtetit tonë të vogël, por kjo falë angazhimeve dhe talenteve të tyre vetjake, e jo se ne si shoqëri i kemi prodhuar ata
Sot e kremtojmë 14-vjetorin e Pavarësisë së më të shtrenjtës sonë, Kosovë.
Rrugëtim. Shekullor. Si popull shumicë i këtyre trojeve tona, derdhëm shumë gjak, përjetuam vuajtje e dhimbje të shumta, ashtu që ne sot, e edhe gjeneratat që do të vijnë, ta gëzojnë Pavarësinë e Kosovës sonë.
Sot secila familje shqiptare kosovare mbërthen në vete një rrëfim të trishtë vuajtjesh e sakrificash ndër gjenerata. Që nga lufta e fundit e vitit 1999 e deri te të gjitha ato të mëparshmet me armiq të shumtë, të cilët përgjatë historisë patën apetite që t’i sundonin si trojet ashtu edhe njerëzit tanë. Kjo vazhdoi ndër shekuj, vetëm se sunduesit zëvendësonin njëri-tjetrin.
Prandaj liria, të cilën e gëzojmë sot, është aq e shtrenjtë dhe aq sublime për popullin tonë. Aq shumë njerëz u martirizuan dhe i flijuan jetën e tyre për një ardhmëri më të ndritshme të pasardhësve të tyre. E kur njeriu i mendon të gjitha këto gjëra, e që kjo më se sigurt i ndodh gjithsecilit prej nesh këtyre festave kombëtare, atëherë nuk ka se si të mos e pyetesh veten nëse ne që sot e gëzojmë këtë liri i arsyetuam të gjitha ato vuajtje dhe sakrifica të të parëve tanë e edhe të luftëtarëve dhe dëshmorëve të UÇK-së nga lufta e fundit.
Këtu të gjithëve na duhet që të marrim frymë thellë, të jemi të sinqertë me veten dhe të reflektojmë, fillimisht individualisht e mandej duke i menduar dhe duke reflektuar edhe kolektivisht.
Falë intervenimit ushtarak të NATO-s kundër forcave ushtarake dhe atyre policore serbe, si dhe luftës guerilje të UÇK-së, liria jonë e shumëpritur arriti në qershorin e 1999-s. Pasoi rrugëtimi ynë me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, e cila asistoi në ndërtimet e secilit segment të shoqërisë sonë, ani se natyrisht ka pasur vend për kritika. Vetëm se jam gjithashtu i vetëdijshëm se pa ta nuk do të arrinim në pikën ku ndodhemi sot.
Kjo është e vërteta e paekuivoke. Po deshëm të ndërtojmë narrativë të historive të rrejshme, mund edhe ta bëjmë, por historikisht është e dëshmuar se çka do që ndërtohet mbi histori të rreme është jetëshkurtër dhe se përfundimi zakonisht është tragjik.
Ndihmat financiare të bashkësisë ndërkombëtare, gjatë dy dekadave të fundit, kapin shifra miliardëshe dhe ato u futën për rindërtimin e infrastrukturës së rrënuar të Kosovës pas luftës dhe më pas për siguri, gjyqësi, shëndetësi, arsim, bujqësi e në çdo segment tonin të jetës.
Ishin ato paratë e taksapaguesve evropianë, si dhe atyre amerikanë e të disa shteteve të tjera. Kjo ishte se çfarë bëri bashkësia ndërkombëtare në raport me Kosovën (natyrisht e prezantuar në pika shumë të shkurtra), mirëpo çfarë bëmë ne si qytetarë të këtij vendi?
Nëse ia bëni vetes këtë pyetje dhe kërkoni përgjigje të sinqertë, a mendoni se do të ndaheni të kënaqur me përgjigjet të cilat do t’i gjeni apo kuptoni. Mendoj se jo.
Natyrisht progres ka pasur, por ai nuk ka ndodhur me hapat që ne kemi pritur se do të ecnim. Jemi dëshmitarë të vrasjeve të shumta të pasluftës e shumica e të cilave asnjëherë nuk u zgjedhën, si raste krimi. Ndoshta populli edhe mund të ketë ditur për pjesën më të madhe të tyre, por disi e zgjodhi heshtjen e tyre. Kjo mundësoi që në Kosovë të fertilizohej tokë e pëlleshme ku do të mund të instaloheshin lloj-lloj grupacionesh parapolitike e më vonë në sisteme të mirëfillta mafioze. Agjendat e grupeve të interesit sa vinin e shtoheshin dhe secila e kishte një qëllim të vet, por asnjëra prej tyre nuk do të mund të ishte përfituese për Kosovën, popullin e saj, si dhe shtetin që po mëtohej të ndërtohej.
Politikën kosovare të pasluftës e përfshiu lakmia e ajo për pasojë e sjell korrupsionin, e korrupsioni, me mënyrën sesi vepron dhe zgjerohet, ka tendencë që ta shkatërrojë secilën hallkë të shoqërisë. I përmbyt edhe vlerat.
Sot jemi dëshmitarë të pseudopatriotëve, pseudointelektualëve, pseudoartistëve, pseudogazetarëve dhe pseudopolitikanëve. E ne preferojmë shpeshherë që t’i mbyllim sytë, duke pretenduar se këto probleme nuk ekzistojnë në shoqërinë tonë, apo thjesht duke ia rrahur supet njëri-tjetrit dhe duke ia bërë rrafsh, thjesht duke e jetuar dhe përjetuar gënjeshtrën tonë. Këtu nuk dëshiroj që ta amnistoj asnjërën parti politike, ngase të gjithat e kanë hisenë e tyre të dëmit që e kanë shkaktuar me veprimet apo mosveprimet e tyre.
Kosova ëndërr 14 vjeçe! Është ëndrra e të parëve tanë që, me gjithë flijimet dhe sakrificat aq të shumta, nuk arritën që ta gëzonin. Është ëndrra e martirëve aq të shumtë ndër shekuj e ndër vite, është ëndrra dhe amaneti i tyre që ne sot po e jetojmë!
Por a jemi duke ua arsyetuar vuajtjet dhe sakrificën?
Mendimi im është se jo në masën e duhur. Këtu flas për ne si komunitet shumicë shqiptare që jetojmë në Kosovë. Progresi ynë do të duhej të ishte shumë më i madh si shoqëri. Si individë ne kemi arritur të shpërthejmë jashtë kufijve të shtetit tonë të vogël, por kjo falë angazhimeve dhe talenteve të tyre vetjake, e jo se ne si shoqëri i kemi prodhuar ata.
T’i kujtojmë Rita Orën, Bebe Rexhën, Dua Lipën, Majlinda Kelmendin, Ramë Lahajn, Distria Krasniqin, Era Istrefin e edhe shumë emra të tjerë që për momentin mund të mos më kujtohen dhe që joqëllimshëm mund t’i anashkalojë. Por, po e kuptoni poentën time. Këta janë individë që, falë mundit, punës, disiplinës dhe talentit, i kanë arritur kulmet e sukseseve botërore.
Sigurisht që Kosova mes popullsisë së saj aq të re edhe vitale ka edhe shumë talente të tjerë ama sa arrijmë ne që t’i kanalizojmë ata si shoqëri e organizuar dhe t'ua ofrojmë kushtet dhe mundësitë optimale për shpalosjen e talentit tyre, kjo është temë në vete.
Është e dhimbshme të lexosh se edhe 22 vjet pas përfundimit të luftës ne mbetemi populli më i izoluar në kontinentin evropian dhe ambicie e secilit të ri mbetet që të largohet nga Kosova për ndonjë vend perëndimor.
E ky është vërtetimi i dështimit tonë si shoqëri. Normalisht se lëvizje të popullatës do të ketë gjithmonë. Kjo u ndodh edhe vendeve shumë më të zhvilluara, sesa Kosova, porse jo në shkallën se qysh i ndodh Kosovës për kokë banori.
Edhe sa Rita, Dua, Majlinda e Rama potencialë gjendet në mesin e tyre dhe që talenti i tyre të zbulohet diku jashtë Kosovës ashtu që ne pastaj të krekosemi me sukseset e tyre, duke e bërë simbolin e shqiponjës me duar.
Politikanët kosovarë dhe Qeveria duhen që me urgjencë të bëjnë politika lehtësuese që diaspora të vijë dhe të investojë në Kosovë, jo vetëm në blerje të banesave që pjesën më të madhe të vitit mbesin të boshatisura, por në investimet e tyre në biznese të vogla dhe të mesme, të cilat edhe do të gjeneronin punësim të konsiderueshëm për të rinjtë kosovarë. Duhet gjithashtu të ketë politika të qarta dhe lehtësuese për stimulimin e investimeve më të mëdha të të huajve dhe për rimëkëmbjen dhe vitalizimin e ekonomisë në përgjithësi. Buxheti i shtetit, i përbërë nga paratë e remitencave dhe doganat, nuk është diçka e qëndrueshme dhe afatgjate, e planet për zhvillimin ekonomik do të duheshin që të jenë afatmesme dhe afatgjata.
***
Lexuesve të Ditarit tim u kam mbetur borxh nga hera e kaluar që të shkruaja për operacionin “Paperclip”. Operacioni “Paperclip” ishte një program sekret i inteligjencës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në të cilin më shumë se 1.600 shkencëtarë, inxhinierë dhe teknikë gjermanë u dërguan nga Gjermania dikur naziste në SHBA me qëllim të punësimit në qeveri. Kjo pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në Evropë, midis viteve 1945 dhe 1959. Drejtuar nga Agjencia e Përbashkët e Objektivave të Inteligjencës (JIOA), ajo u krye kryesisht nga agjentë specialë të Korpusit të Kundërzbulimit të Ushtrisë Amerikane (CIC). Shumë nga pjesëtarët e këtij personeli ishin ish-anëtarë, dhe disa ishin ish-udhëheqës të Partisë Naziste.
Njëri nga ta ishte edhe Kurt H. Debus, një ish-shkencëtar i raketave V-2, i cili u bë drejtor i NASA-s. Këto raketa ishin përgjegjëse për bombardimin e Londrës, ku pati viktima të shumta dhe shkatërrime të mëdha në qytet.
Qëllimi kryesor i Operacionit “Paperclip” ishte avantazhi ushtarak i SHBA-së në Luftën e Ftohtë sovjeto-amerikane dhe në Garën Hapësinore. Në një operacion të krahasueshëm, Bashkimi Sovjetik zhvendosi më shumë se 2.200 specialistë gjermanë - gjithsej mbi 6.000 njerëz, duke përfshirë edhe anëtarët e familjeve – me Operacionin Osoaviakhim, gjatë një nate më 22 tetor 1946.
Përfshirja e të gjithë këtyre shkencëtarëve në makinerinë dhe ideologjinë naziste ishte shumëfish më e madhe se ajo e Xhafer Devës, për shembull, sepse këta vinin drejt e nga vendi i origjinës së ideologjisë dhe sistemit nazist. Në kushtet dhe rrethanat e paraluftës së Dytë Botërore, ku Kosovën e gjen me një shkallë analfabetizmi prej 95%+, të dërrmuar nga pushtues e krime të panumërta ndaj popullatës së pafajshme civile e deri në veprime gjenocidale ndaj tyre, është lehtë e kuptueshme se dikush do të rreshtohej edhe pas nazistëve përderisa kjo do të ishte përfituese për një popull të dërrmuar nga luftërat dhe armiqtë e shumtë.
Assesi nuk dëshiroj që ta amnistoj dhe ta arsyetoj ideologjinë naziste, por me aq sa unë kam njohuri, në Kosovë asnjëherë nuk pati kampe përqendrimi të hebrenjve dhe grupeve të rrezikuara nga ideologjia naziste. Xhafer Deva nuk ka qenë fare më shumë apo më pak nazist se që ishte Oskar Schindleri. Nuk është qëllimi im që ta shlyej një të kaluar të njohur dhe të evidentuar historikisht, por e tëra që po e them është se historianët e thirrur duhet që t’i studiojnë të gjitha rrethanat e asaj kohe dhe që konkluzat t’i nxjerrin konform atyre studimeve dhe hulumtimeve. E ish-shtëpia e Xhafer Devës ç’faj ka në të gjithë këtë mesele?
Ajo thjesht është një godinë me vlera arkitektonike të kohës dhe si e tillë do të duhej të rinovohej, dhe një pjesë e saj të shndërrohej edhe në një muze, ku do të përshkruheshin ditët e errëta të njerëzimit, si pasojë e një ideologjie të gabuar të kohës.