Luftën e kanë devalvuar deri në fund të pusit. Nuk kanë më pse të krenohen se kanë luftuar, meqë po pranojnë të barazohen me hajna përnjëmend dhe me mashtrues ordinerë përnjëmend. Në vend të krahut të luftës janë shndërruar në krahun e turpit që zhvati gjithçka që mundi. Apo mbase ka mbetur edhe ndonjë skemë, edhe ndonjë rrugë 53-milionëshe; edhe ndonjë termocentral me klauzolë të tërheqjes 19-milionëshe; apo edhe ndonjë lumë në Dukagjin që duhet mbuluar për të nxjerrë nja gjysmë kilovati rrymë... Boll mâ!
Ish-kryeministri Agim Çeku sipas procesverbaleve të cituara në aktakuzë hallin e ka që “më së shumti janë fryrë listat në Dukagjin”, e kjo gjë mund të vërehet. Ai ua ka propozuar një “arsyetim të rremë” anëtarëve të tjerë të Komisionit në rast se pyeten për këto shifra. “Nëse na bëhet pyetja se ku i ka pasur Zona e Dukagjinit 15 mijë ushtarë, ne si komision u themi se UÇK-ja nuk i ka pasur të gjithë këta ushtarë të rreshtuar në një ditë, por 45 mijë ushtarë kanë qenë pjesë e UÇK-së, dhe se fluksi më i madh i hyrje-daljeve ka qenë në Zonën e Dukagjinit dhe atë të Pashtrikut në kufi me Shqipërinë”, thuhet në aktakuzën që gazeta e ka siguruar nga burimet e saj në Prokurorinë Speciale.
Një mashtrim kaq i kulluar nga njeriu, i cili është edhe ushtarak i shkolluar, e që pas lufte ishte madje edhe kryeministër i këtij vendi, është tejet dëshpërues dhe tepër neveritës. Por mbi të gjitha është dëshmi e një mashtrimi të kalibrit të krimit të organizuar, për të cilin absolutisht të gjithë anëtarët e Komisionit shtetëror, pos atyre që janë distancuar, duhen të ballafaqohen me ligjin. E se pjesë e këtij mashtrimi janë edhe të gjithë komandantët që i kanë nënshkruar aplikacionet duke e vërtetuar përmbajtjen e tyre, nuk lë dyshim reagimi thuajse histerik dhe ofendues i Haradinajt menjëherë pas zbardhjes së skandalit “veterani i rremë”.
Nervozizmi i Haradinajt
Hajn i pulav' dhe pishpirik nga Bllaca e Stenkoveci u shpall prokurori Blakaj nga Haradinaj në “Interaktiv”. Mohimi i së drejtës së çdokujt që ka qenë në Bllacë ose Stenkovec për të vlerësuar vërtetësinë e aplikacioneve për veteranë e shpalos në formën më të vrazhdë të mundshme maksimën që e ka udhëhequr këtë Kosovë të mjerë që nga fundi i luftës: “E nxant' UÇK”.
Logjika unë kam luftuar, pra kam të drejtë të bëj çfarëdo që të më teket; se krejt të tjerët që nuk kanë luftuar me pushkë në dorë nuk kanë të drejtë as të bëzajnë; se ne u kemi borxh përjetë -- janë ato që na kanë sjellë në pikën kur jemi duke humbur atë që na e fali NATO-ja.
Reagim plot nervozizëm duke e mohuar se në “Zonën e Lirë të Dukagjinit” siç e quajti ai, ka më së shumti veteranë fals, është reagim tipik i mujsharit, i cili në mungesë të argumenteve e përdor dhunën verbale, duke e paralajmëruar edhe atë fizike -- se ose bëhet siç them unë, ose ke me e pa se me çfarë pasojash do të ballafaqohesh.
Nuk e besoj se do të ketë menduar kushdo qoftë se do të gjendej një prokuror i cili do të mundë të dilte me një konstatim kaq tronditës, dhe për më tepër të lërë edhe dyshimin se numri i “veteranëve të rremë” do të mundë të ishte edhe më i madh se 19.060.
Se Haradinaj e ka ditur se diçka jo fort e këndshme për të do të mundë të dilte nga ky hetim e vërtetoi nëpërmjet një shkrese të cilën ia kishte nisur prokurorit, me të cilën e autorizonte që t'i qasej dokumentacionit të Komisionit shtetëror, por duke ia caktuar dy kushte: që hetimi të mos zgjaste më shumë se 30 ditë (ligji i parasheh dy vjet) dhe që në fund prokurori t'ia dorëzonte një raport gjithëpërfshirës për ato që kishte hetuar e zbuluar. Pra, qysh në fillim ia bën me dije se kontrollin mbi të gjitha duhet ta ketë ai.
Duke e parë më vonë gabimin trashanik -- pra përzierjen e drejtpërdrejtë në punën e gjyqësorit, pardje iu drejtua misioneve të huaja diplomatike në Kosovë, duke e falsifikuar këtë letër në versionin anglisht, ku thuhet se “në marrëveshje me prokurorin Blakaj”, ky do të duhej t'ia paraqiste një raport me shkrim për punën 30- ditore. Kjo me qëllim që të tregohet se ky kryeprokuror nuk është profesional dhe i nënshtrohet diktatit politik.
Bllacakët e stenkoveclinjtë
Jo pak njerëz janë ndier të fyer sa herë që të përmenden Bllaca dhe Stenkoveci -- thuajse ishin hotele me shtatë yje ku mbi 250 mijë njerëz u detyruan, kryesisht me dhunë, që të gjenin strehim nga dhuna sistematike e policisë dhe ushtrisë serbe.
Si njëra nga ato që u përzu nga një shtëpi e huaj nën kërcënimin e kallashave, dhe u detyrua të ecte në rresht të pafund njerëzish, sërish nën kërcënimin e kallashave, drejt stacionit të trenit, e prej aty, sërish nën kërcënimin e kallashave dhe të artilerisë në Dragodan, të futej në tren si të ishte kafshë -- të vetmen gjë që mund ta them është se kur kjo po ndodhte në Prishtinë, nuk ishte asnjëri nga këta 46 mijë veteranë që ta mbronin popullsinë civile.
Si njëra nga ato që i kaloi ditët në terren prej nëntorit të 1997-s deri në prill të 1999-s, atë që mund ta them është se sa herë që granatohej ndonjë fshat në Drenicë, popullata do të largohej në mal, e me të, jo pak njerëz që ditë më parë kishin bartur uniformën e UÇK-së -- me dallimin e vetëm se tash në mal ishin të veshur si civilë.
Si njëra nga ato që dëgjoi me qindra rrëfime rrëqethëse dhe pa shkatërrimin sistematik në terren, më kishte rënë hisja ta kuptoja frikën e popullatës nga veprimet e UÇK-së, për shkak se sulmet sporadike rezultonin përherë me sulme artilerie dhe djegie shtëpish pas një dite a dy. Dhe kur ia thashë këtë një eprori në Shtabin Qendror të UÇK-së në Divjakë, u akuzova se po pija makiato dhe më tha se lufta nuk fitohet pa sakrificë. Të vetmen gjë që mund t'i thosha këtij eprori ishte se lufta pa prapavijë nuk fitohej, e ndihma që nja 100 shqiptarë të angazhuar në organizatat ndërkombëtare po e sillnin dita më ditë në terren, në fakt ishte mbijetesa për popullatën civile dhe për ta. Ah po, edhe nuk pija makiato, por çaj në Shtab, bashkë me të.
Është shumë e padrejtë t'i akuzosh 800 mijë veta që na kanë dëbuar, për shkak se nuk ka pasur as kush të na mbrojë, e as nuk kemi pasur me çka të mbrohemi. Për shkak se nuk e kemi ditur se a kemi ushtri përnjëmend, e as nuk e kemi ditur se kush e ka udhëhequr atë ushtri. Pra, UÇK-ja nuk ka qenë e përkryer, ashtu siç nuk jemi edhe krejt ne. Ata që kanë luftuar për ideal, vërtet e meritojnë gjithë respektin dhe nderimin. Ky fakt i bën ata më të veçantë për guximin e treguar. Dhe ky fakt do të duhej t'i detyronte që atë luftë pa hile ta mbrojnë me mish e me shpirt nga mashtruesit që përfitojnë nga fakti se dikur ka qenë një UÇK, dhe në emër të së cilës edhe është vjedhur, edhe është uzurpuar gjithçka e jona. Dhe në vend se luftëtarët e vërtetë të jenë të parët ata që të çohen kundër kësaj hajnie, këta janë të parët që shpallin hajna të pulav' e pishpirika.
Prokuroria për vajtim
Sigurinë për këso deklaratash pa u skuqur e as zverdhur ua jep Prokuroria e Shtetit me në krye Aleksandër Lumezin. Përsëritja e ekzistimit të një draft aktakuze (që ligji nuk e njeh) për ta cituar ligjin kur duhet mbrojtur Kadri Veselin, dhe nëse mund të merrej në pyetje ose jo, tregon qartazi për intencën e Prokurorisë Speciale dhe të kryeprokurorit për ta zvarritur këtë procedurë.
Fakti se si Lumezi ashtu edhe Millaku thonë se aktakuza nuk i përmban emrat e veteranëve të rrejshëm, dhe për pasojë është aktakuzë draft dhe e pakompletuar, synon një gjë krejt tjetër. Nëse kjo vepër kualifikohet “krim i organizuar”, ligji kërkon që krejt këta të gjykohen njëkohësisht në grup. Kjo në praktikë do të thotë se po qe se 19.060 emra hyjnë në aktakuzë, krejt këta duhen gjykuar njëkohësisht. Cila gjykatore i zë 19.060 veta? Apo çka nëse vetëm njëri nuk vjen në gjykim, pse po i dhemb koka, për shembull? Pra, në vend se të gjykohen anëtarët e Komisionit që, me vetëdije, kanë bërë mashtrim dhe shkelje të ligjeve, intenca e Prokurorisë është që këtë punë ta qesë teknikisht jashtë loje, për shkak se mbase mund të vendosë që në aktakuzë të përfshihen emrat e 19.060 njerëzve që kanë rrejt e kanë mashtruar.
Tash që Blakaj (dikur shumë i lavdëruar nga Lumezi, e më pas i shpallur joprofesional - që i bie diçka si hajn i pulav') është dorëhequr, Lumezi mund të bëjë çfarë t'ia ka ënda me këtë lëndë dhe ta paketojë asisoj që kjo të mos e sjellë asnjë rezultat në kuptimin e luftimit të krimit të nivelit të lartë. Dhe nëse Lumezi e bën këtë, i jep BE-së argumente të mjaftueshme për të thënë se nuk e plotësoni kushtin primar për liberalizim.
Sipas postimit të Blakajt në FB, Lumezi e paska qortuar se përse e kishte ftuar Veselin në intervistë; nga ana tjetër kryetari i Këshillit Prokurorial, Isufaj, i paska bërë presion që në aktakuzë të mos përfshihej Rrustem Berisha, dhe një komandant i Dukagjinit. Në fund, del se Lumezin e ka qortuar Besim Beqaj se përse Blakaj e ka përfshirë në aktakuzën “Pronto”, kurse ky e ka mirëkuptuar hidhërimin e tij. Çfarë kryeprokurori është ky që ia lejon vetes të takohet me një njeri që institucioni i tij e ka akuzuar për krim? Kryeprokuror që dëgjon dhe merr udhëzime politike -- natyrisht.
Prokuroria e Shtetit nën udhëheqjen e Lumezit ka dështuar plotësisht në luftimin e krimit. Kur plasi skandali “Pronto” menjëherë doli e tha se nuk ka prova të mjaftueshme; tash kur plasi “veterani i rremë” e arsyetoi vonesën me një sërë të pavërtetash dhe me shpalljen e aktakuzës si një dokument “draft”. Kush e di edhe sa lëndë janë nëpër sirtarët e prokurorëve që nuk do ta shohin dritën derisa t'iu kalojë afati, por që do të regjistrohen si lëndë të mbyllura.
* * *
Të mërkurën në Prishtinë janë mbledhur disa mijëra qytetarë për t'ia kërkuar dorëheqjen Lumezit dhe për ta kërkuar vetingun e gjyqësisë. Haradinaj u ngut për ta kundërshtuar vetingun (“e kemi bërë një herë, s'ka nevojë”, tha) kurse Lumezi u ngut për të thënë se nuk do të japë dorëheqjen veç pse shoqëria civile e disa individë (mbase është duke i hetuar, nuk dihet, se ashtu ka qejf t'i frikësojë) këtë e kërkojnë.
Në fakt, protestat e qytetarëve, në mungesë absolute të veprimit të partive opozitare oportuniste, të paorganizuara, të mbushura smirë e inate, do të duhej të vazhdonin e të rriteshin aq sa për të këmbëngulur në kërkesat fillestare, dhe të cilat do të duhej zgjeruar edhe te fytyrat e tjera politike që në emër të krahut të luftës janë duke e varrosur këtë vend për së gjalli.
Luftën e kanë devalvuar deri në fund të pusit. Nuk kanë më pse krenohen se kanë luftuar, meqë po pranojnë të barazohen me hajna përnjëmend dhe me mashtrues ordinerë përnjëmend. Në vend të krahut të luftës, janë shndërruar në krahun e turpit që zhvati gjithçka që mundi. Apo mbase ka mbetur edhe ndonjë skemë, edhe ndonjë rrugë 53-milionëshe; edhe ndonjë termocentral me klauzolë të tërheqjes 19- milionëshe; apo edhe ndonjë lumë në Dukagjin që duhet mbuluar për të nxjerrë nja gjysmë kilovati rrymë...
Boll mâ!