OpEd

100 sekonda të fundit

Një fatkeqësi në Alpet italiane, mbrëmja më e nxehtë në Podgoricë, grusht shteti në Washington dhe Samitit i NATO-s në Madrid, janë momentet përbashkuese të një ore apokaliptike

Të dielën një pjesë e akullnajës më të madhe në Alpet italiane u shkëput dhe shkaktoi ortekun që ua mori jetën e shtatë bjeshkatarëve. Incidenti ndodhi një ditë pasi që maja e akullnajës shënoi temperaturën rekorde prej 10 shkallësh celsius. Kryeministri Italian, z. Mario Draghi, tha se incidenti ishte “pa asnjë dyshim” i ndërlidhur me ndryshimet klimatike. Me këtë konstatim u pajtua edhe ambientalisti dhe alpinisti legjendar z. Reinhold Messner, si dhe profesori i glaciologjisë nga Universiteti i Kembrixhit, z. Poul Christoffersen. Edhe vetë Papa Françesku ishte dakord dhe rrjedhimisht tha në Twitter: “Tragjeditë që po i përjetojmë për shkak të ndryshimeve klimatike duhet të na shtyjnë urgjentisht të gjejmë rrugët e reja që do të respektojnë natyrën dhe njerëzimin”.

Tragjedia në Alpet italiane vjen në një kohë kur efektet e ngrohjes globale po shpërfaqen në të gjitha anët e botës. Kësisoj qeveria e Nepalit njoftoi se kampi bazë i Everestit do të zhvendoset 400 metra më poshtë nga lokacioni i tanishëm për shkak shkrirjes së akullnajës Khumbu. Në anën tjetër të botës, në Antarktik, gjendet Akullnaja Thwaites. Thwaites është akullnaja më e gjerë në botë (më e madhe se Mbretëria e Bashkuar) dhe njëkohësisht më jostabile në botë. Ajo njihet ndryshe si “akullnaja e fundit të botës” pasi që kolapsi i saj do të vendoste në lëvizje një efekt zinxhirë të shkrirjes së akullnajave të tjera, ngritjes së nivelit të detit dhe eventualisht kërcënimin e njerëzimit. Në këtë sfond, në fund të vitit të kaluar Unioni Gjeofizik Amerikan paralajmëroi se shtresa mbrojtëse e akullnajës Thwaites do të mund të shkrihej brenda tre vjetëve të ardhshëm, ndërsa javën e kaluar shkencëtarët konfirmuan se akullnaja po humb akullin më shpejt se në cilëndo periudhë tjetër në 5.000 vjetët e fundit. Por efektet e ndryshimeve klimatike nuk po shpërfaqen vetëm në viset ekstreme të globit sikur Alpet italiane, Everest apo Antarktik. E gjithë bota po thyen rekorde të nxehtësisë këtë verë.

Në Romë u shënua temperatura më e lartë historike prej 40.8 gradësh celsius. Në Francë, Zvicër, Spanjë, Austri, Gjermani, Finlandë, Slloveni dhe Kroaci u thyen qindra rekorde mujore të nxehtësisë. Po ashtu, rekorde të nxehtësisë për muajin qershor janë vendosur në Kinë, Japoni, Turkmenistan, Iran, Indi dhe Pakistan. Në New Delhi u shënua temperatura rekorde prej 49 gradësh celsius – më e larta që nga viti 1941. Në Tokio u shënua temperatura më e lartë për muajin qershor prej vitit 1875. Në Spanjë zjarret kanë djegur 20.000 hektarë tokë. Në Itali rajoni i Lombardisë ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, ndërsa Milani ka ndaluar ujin në të gjitha fontanat publike. Franca ka ndaluar të gjitha ngjarjet publike në mjedise të jashtme, ndërsa përdorimi i madh i kondicionerëve të ajrit ka obliguar shtetin francez të importojë rrymë elektrike nga shtete të tjera. Kështu njëjtë edhe në Japoni përdorimi i madh i kondicionerëve të ajrit ka obliguar Qeverinë japoneze të shpallë periudhë të jashtëzakonshme tremujore për kursimin e energjisë. Në SHBA 16 qytetet kanë shënuar temperaturat rekorde, ndërsa një e treta e popullatës së SHBA-së është këshilluar të mos dalë nga shtëpitë e tyre për shkak të valës ekstreme të nxehtësisë. Ndërtesat publike sikur libraritë janë hapur për qytetarët për t’u strehuar nga nxehtësia, ndërsa shkollat pa kondicioner të ajrit kanë ndaluar mësimin fizik. Sipas Qendrës Kombëtare Ndërqeveritare të Zjarreve të SHBA-së, mbi 1 milion hektar tokë janë djegur këtë vit – dyfishi i periudhës së njëjtë të vitit të kaluar. As Ballkani nuk po u shpëton ndryshimeve klimatike. Të dielën në Podgoricë u shënua temperatura më e lartë e mbrëmjes në 73 vjetët e fundit. Meteorologu malazias, z. Branko Micev, vlerësoi se këtë vit Mali i Zi do të thyejë rekordin e numrit të ditëve tropikale – ditët kur temperatura kalon 30 celsius. E gjithë bota duket sikur po e përjeton të ardhmen e paralajmëruar tek “Ministria për të Ardhmen”.

***

Disa javët e fundit në Washington, Komisioni Hetimor i Kongresit Amerikan ka mbajtur seancat publike përkitazi me sulmin e 6 janarit 2021 mbi Kongresin Amerikan. Gjatë dëgjimeve publike kemi kuptuar shkallën e përpjekjes të ish-presidentit Trump për të refuzuar rezultatin zgjedhor dhe për të penguar transferimin paqësor të pushtetit. Në përmbledhje kuptuam katër gjëra të jashtëzakonshme. E para, presidenti Trump ka qenë personalisht i njoftuar se turma protestuese ka qenë e armatosur dhe se potenciali për dhunë ishte i lartë. E dyta, presidenti Trump ka kërkuar nga institucionet e rendit të mos pengojë turmën e armatosur në sulmin e tyre ndaj institucioneve amerikane. E treta, presidenti Trump personalisht ka dashur t’i prijë turmës së dhunshme, por ishte ndaluar nga sigurimi presidencial i Shërbimit Sekret. E katërta, presidenti Trump i ishte rrëfyer stafit të tij se zëvendëspresidenti i SHBA-së, z. Mike Pence, meriton të varet pasi që kishte lejuar certifikimin e rezultatit zgjedhor.

Punimet e Komisionit Hetimor kanë konfirmuar atë që të gjithë e kemi ditur. Presidenti Trump ka dashur të pengojë certifikimin e rezultateve zgjedhore duke organizuar dhe mbështetur një grusht shtet të ngritur mbi gënjeshtër dhe dezinformim. Gënjeshtër se Donald Trumpi i kishte fituar zgjedhjet dhe dezinformim se Joe Biden i kishte humbur ato. Dëgjimet hetimore ishin moment këndelljeje pasi që kuptuam se dezinformimi është çdo gjë që i duhet një autokrati për të sfiduar edhe demokracinë më të konsoliduar në botë.

***

Javën e kaluar u mbajt Samiti i NATO-së në Madrid. Samiti miratoi dokumentin kryesor të aleancës: Konceptin Strategjik 2022. Koncepti solli shtatë risi të rëndësishme.

E para, Rusia. Koncepti identifikon Rusinë si kërcënimin më të madh dhe më të drejtpërdrejtë për sigurinë, paqen dhe stabilitetin e Aleancës. Kjo është në kontrast të thellë me Konceptin e kaluar Strategjik të NATO-së të vitit 2010, ku NATO-ja synonte “partneritet të vërtetë strategjik me Rusinë”. Pra, Rusia është shndërruar nga partner potencial në kërcënim të drejtpërdrejtë. Në këtë sfond nuk ishte i befasishëm vendimi i NATO-së për ngritjen e paprecedent të kapaciteteve ushtarake në tokë, ajër dhe det. Në Poloni, SHBA-ja do të stacionojë për herë të parë forcat e përhershme ushtarake në krahun lindor të NATO-s. Në Rumani dhe Baltik, SHBA-ja do të ngrejë gatishmërinë luftarake. Në Spanjë numri i anijeve shkatërruese do të ngrihet nga katër në gjashtë. Në Mbretërinë e Bashkuar do të dërgohen dy skuadrilje të aeroplanëve luftarakë “F-35”. Ndërsa në Gjermani dhe Itali do të përforcohen kapacitetet mbrojtëse ajrore.

Risia e dytë është Kina. Në krahasim me Konceptin e kaluar Strategjik të NATO-s të vitit 2010, kur Kina nuk është përmendur fare, në vitin 2022, NATO-ja identifikon Kinën si “sfidë për interesat, sigurinë dhe vlerat tona”. Kjo ishte edhe arsyeja përse për herë të parë në Samit të NATO-s u ftuan vendet nga Indo-Pacifiku, respektivisht Japonia, Australia, Koreja Jugore dhe Zelanda e Re. Sipas NATO-s, Kina synon “të përmbysë rendin ndërkombëtar të bazuar mbi rregullat, përfshirë hapësirën, detin dhe domenin kibernetik”. Kina është duke “zgjeruar me shpejtësi arsenalin e vet bërthamor dhe sistemet e sofistikuara të lansimit, në mungesë të transparencës apo të angazhimit në mirëbesim me qëllim të kontrollit të armëve apo zvogëlimit të riskut”.

Risia e tretë është përdorimi i armëve bërthamore. Në këtë sfondin e jostabilitetit strategjik NATO-ja për herë të parë ka bërë të qartë publikisht vendosmërinë e saj për përdorimin e armëve bërthamore ndaj kërcënimeve strategjike. Rrjedhimisht, Koncepti 2022 nënvizon se “çfarëdo angazhimi i armëve bërthamore kundër NATO-s do të ndryshonte thellësisht natyrën e një konflikti potencial. Aleanca ka kapacitetet dhe vendosmërinë që të shkaktojë kosto të papranueshme për armikun dhe të cilat do të mbipeshonin çdo përfitim që armiku do të synonte të arrinte”.

Risia e katërt janë kërcënimet hibride. Në krahasim me Konceptin e kaluar Strategjik të NATO-së të vitit 2010, kur kërcënimet hibride nuk janë përmendur fare, në vitin 2022 NATO-ja ngre rrezikun e kërcënimeve hibride në piedestalin më të lartë të mundshëm. Në fakt Aleanca paralajmëron armiqtë e saj se “operacionet hibride kundër Aleancës mund të trajtohen si sulm i armatosur dhe mund të obligojnë Këshillin Veriatlantik të aktivizojë nenin 5 të Traktatit Veriatlantik”. Kjo është hera e parë në histori të Aleancës që format e reja të konfrontimit, sikur mjetet hibride, të trajtohen si sulm i armatosur i denjë për aktivizimin e nenit 5.

Risia e pestë janë militarizimi i hapësirës dhe kërcënimet kibernetike. Kërcënimet nga hapësira nuk janë njohur asnjëherë më parë si rrezik nga NATO-ja, sot Aleanca për herë të parë në histori të saj njeh faktin se konfrontimi në mes forcave konkurruese ka lëvizur nga toka në hapësirë. Nga ana tjetër, edhe pse kërcënimet kibernetike janë përmendur në Konceptin e kaluar Strategjik të NATO-s të vitit 2010, në vitin 2022 NATO-ja ngre rrezikun e kërcënimeve kibernetike, sikur ato hibride, në nivelin më të lartë të mundshëm. Kësisoji Aleanca paralajmëron se “aktiviteti i izoluar apo i organizuar malinj kibernetik, apo operacion armiqësor nga dhe në hapësirë, mund të trajtohen si sulm i armatosur dhe mund të obligojnë Këshillin Veriatlantik të aktivizojë nenin 5 të Traktatit Veriatlantik”. Në këtë pikë Aleanca duket se i referohet pothuaj ekskluzivisht programit gjithnjë më agresiv të Kinës në hapësirë dhe eksplorimit të hapësirës me qëllime të dominimit të Tokës.

Risia e gjashtë është autoritarizmi. Në krahasim me Konceptin e kaluar Strategjik të NATO-s të vitit 2010, kur autoritarizmi nuk është përmendur fare, në vitin 2022, NATO-ja identifikon rritjen e autoritarizmit si “Sfidë për interesat dhe vlerat e Aleancës”. Kësisoj, aleanca për herë të parë ka bërë ndërlidhjen formale në mes cilësisë së demokracisë së një vendi dhe kërcënimit të sigurisë së Aleancës.

Risia e fundit janë ndryshimet klimatike. Në Konceptin e kaluar Strategjik të NATO-s të vitit 2010 ndryshimet klimatike kanë qenë thjesht një fusnotë, sot në vitin 2022 NATO-ja paralajmëron se “ndryshimet klimatike janë kërcënim përcaktues i kohës sonë, me efekt të jashtëzakonshëm në sigurinë e Aleancës. Si të tillë ndryshimet klimatike janë krizë dhe multiplikues i kërcënimeve.” Rrjedhimisht, NATO-ja për herë të parë në histori të saj ka vendosur të shndërrohet në “organizatë kryesore ndërkombëtare për të kuptuar dhe përshtatur ndikimit të ndryshimeve klimatike në sigurinë”. Kush do të kishte imagjinuar para 30 vjetësh një rol të tillë mjedisor për NATO-n?

Koncepti i fundit strategjik i NATO-së konfirmon se asnjëherë më parë NATO-ja nuk është ballafaquar më mjedis më jostabil dhe më të paparashikueshëm që nga themelimi i saj.

***

Në vitin 1945 disa nga mendjet më të ndritura të botës të përfshira në Projektin Manhatan u mblodhën për të themeluar Buletinin e Shkencëtarëve Bërthamorë. Produkti kryesor i punës së tyre do të marrë emrin Ora e Apokalipsit. Çdo vit që nga viti 1947 Buletini bën vlerësimin e faktorëve kryesorë, të cilët kërcënojnë shkatërrimin e njerëzimit dhe vendos Orën më larg apo më afër mesnatës. Mesnata, duke qenë simbol i mbarimit të kohës dhe fundit të civilizimit. Sa më afër ora i vendoset mesnatës, aq më afër jemi shkatërrimit të jetës në Tokë.

Deri së fundi ora i është vendosur më së afërmi mesnatës (2 minuta para mesnate) në vitin 1953 kur SHBA dhe Bashkimi Sovjetik testuan bombat respektive hidrogjene. Më së largu nga mesnata (17 minuta) ora u vendos në vitin 1991 pas rënies së Murit të Berlinit dhe shpërbërjes së BRSS-së. Sidoqoftë, viteve të fundit ora ka vendosur rekord të ri. Në tre vjetët e fundit Ora e Apokalipsit është vendosur më së afërmi mesnatës në historinë e saj: 100 sekonda para mesnate. Arsyet që kanë shtyrë shkencëtarët të vlerësojnë se asnjëherë më parë njerëzimi nuk ka qenë më afër shkatërrimit të vet janë rritja e mundësisë së një konflikti bërthamor, përkeqësimi i ndryshimeve klimatike dhe keqpërdorimi i avancimeve teknologjike në kohën e dezinformimit.

Zhvillimet e ditëve të fundit konfirmuan gjendjen alarmante në të cilin gjendet civilizimi sot. Koncepti i fundit strategjik i NATO-s konfirmoi sa afër jemi ndaj një konflikti bërthamor, vala e fundit e nxehtësisë në mbarë botën shpërfaqi përkeqësimin e ndryshimeve klimatike, ndërsa dëgjimet në Komisionin Hetimor të Kongresit Amerikan na treguan se si edhe demokracia më e konsoliduar në botë mund të kërcënohet nga një grusht shtet që ngrihet mbi dezinformimin e llojit “Donald Trump nuk i ka humbur zgjedhjet”.