OpEd

100 ditët e para: Jo aq ndryshe sa frikësohej opozita e sa shpresonin qytetarët

Nëse qëllimi i Qeverisë Kurti 2 ka qenë që gjatë këtyre 100 ditëve t’i reduktojë pritjet e qytetarëve, atëherë këtë e ka realizuar me sukses

Njëqind ditët e para të Qeverisë Kurti 2 ishin ditë të reduktimit të pritjeve për ndryshime të mëdha dhe të shpejta. Fitorja historike që siguroi Vetëvendosje në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, duke fituar mbi 50% të votave të qytetarëve, ishte edhe një mesazh për qeverinë e re: Qytetarët kanë pritje të mëdha nga qeveria e re. Por, siguria e numrave të deputetëve në Kuvend ka bërë që qeveria e re të mos ndiejë presionin e kohës, e aq më pak presionin e një opozite pa integritet. Gjatë këtyre 100 ditëve, mesazhi që Qeveria e dërgoi te qytetarët ishte ky: Nuk jemi këtu për t’u ngutur.

Gati gjysmën e 100 ditëve të para Qeveria i kaloi pa program qeverisës. Por, kur më në fund u aprovua programi qeverisës katërvjeçar, përmbajtja e tij ishte dëshpëruese. Programi nuk vendoste një vizion afatgjatë, nuk tregonte se çka do të konsiderohej sukses i kësaj qeverie dhe cilat janë objektivat afatshkurtra dhe afatgjata. Kritikave të shumta për programin, Qeveria iu përgjigj se së shpejti do të aprovohet edhe plani njëvjeçar zbatues, i cili do t’i përmbajë edhe afatet kohore për realizimin e programit qeverisës. Por, 100 ditët e para kaluan pa planin qeverisës për vitin 2021. Kësisoj, askush nuk e di se cila politikë do të ketë prioritet e kur parashihet të dalin për aprovim në Qeveri pjesë të ndryshme nga programi qeverisës.

Vonesa në aprovimin e programit si dhe mosaprovimi i planit me afatet kohore sjellin keqkuptime të panevojshme mes Qeverisë në njërën anë dhe mediave, qytetarëve e organizatave të shoqërisë civile në anën tjetër. Në këto 100 ditë kanë ndodhur shumë raste kur mediat apo organizatat e shoqërisë civile kanë kritikuar Qeverinë për mosveprim dhe vetëm pak ditë pas kritikave Qeveria të marrë veprime të shoqëruara shpesh edhe me cinizëm se mediat dhe shoqëria civile ‘po nguten me kritika’. Krejt këto do të mund të evitoheshin nëse Qeveria do të kishte një plan vjetor të detajuar të politikave.

Edhe Qeveria Kurti 2, ashtu sikurse edhe Qeveria Kurti 1, ka emëruar zëdhënës. Ky fakt nuk do të duhej të ishte lajm, por duke marrë parasysh se qeveritë e mëhershme nuk emëronin zëdhënës, ky veprim i Qeverisë Kurti duhet të përshëndetet. Por, komunikimi me publikun nuk duket të jetë më i mirë sesa ai i qeverive të mëhershme. Dhjetëra kronika të lajmeve gjatë këtyre 100 ditëve kanë përfunduar me atë se “përkundër pyetjeve të dërguara, Qeveria nuk ka dhënë asnjë përgjigje”. Andaj, nuk mjafton vetëm emërimi i zëdhënësve dhe ngritja e njësive për komunikim, por këta persona edhe duhet të japin zë e të komunikojnë. Për atë, ashtu siç ndodh në shumë vende demokratike, disa herë në javë zëdhënësi i Qeverisë duhet të mbajë konferenca me gazetarë për t’u përgjigjur në të gjitha pyetjet që kërkojnë koment nga Qeveria.

Më i mirë nuk ka qenë as bashkëpunimi me shoqërinë civile. Përderisa deri më 14 shkurt 2021, Vetëvendosje mbante tryeza të rregullta diskutimi me shoqërinë civile dhe u jepte jehonë në parlament shumë çështjeve që ngriheshin nga organizatat e shoqërisë civile, tash kur Vetëvendosje është partia që ushtron pushtetin e plotë, ka një qasje arrogante ndaj shoqërisë civile.

Shembulli më i freskët për ta ilustruar këtë është procesi i përzgjedhjes së komisioneres për Informim dhe Privatësi. Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes u kritikua me të drejtë për mënyrën se si e menaxhoi procesin, që nga intervistimi i kandidatëve e deri te dhënia e pikëve maksimale personit që nuk i plotësonte kriteret për të marrë pjesë në proces. Në fund, Kuvendi zgjodhi për komisionere kandidaten e cila ishte më e vlerësuara nga kompania profesionale e angazhuar përmes memorandumit të bashkëpunimit mes Kuvendit të Kosovës dhe Ambasadës britanike, por që kjo kandidate nuk ishte më e vlerësuara nga deputetët e Vetëvendosjes që kishin menaxhuar intervistimin. Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes nuk e pranoi se korrigjimi i procesit u bë për shkak të presionit të shoqërisë civile, por akuzoi organizatat e shoqërisë civile se ‘çuan pluhur për asgjë’. Kjo arrogancë e qasjes ndaj shoqërisë civile do të jetë pengesë bashkëpunimi gjatë mandatit qeverisës.

Sa i përket relacionit me opozitën, Qeveria mund të ndihet e lehtësuar sa herë që kritikohet nga parti opozitare të cilat janë përgjegjëse për krijimin e monopoleve, humbjen e milionave nga buxheti i shtetit, shkatërrimin e ndërmarrjeve publike e izolimin e vendit. Është qesharake e neveritëse njëkohësisht kur një parti opozitare përgjegjëse për krijimin e monopoleve në ekonomi del dhe kritikon Qeverinë se nuk ka plan për zhvillimin ekonomik. Apo kur deputetët opozitarë kritikojnë Qeverinë se po i shkatërron ndërmarrjet publike të shkatërruara. Apo kur kritikohet Qeveria pse po merr vendime politike për shkarkimin e ambasadorëve të vendosur po me vendime politike. Të vetmen kritikë të sinqertë që do të mund ta jepte opozita është kjo: Mos u bëni si ne.

E vetmja ministri e cila duket se e ka të qartë programin dhe çfarë synon të arrijë është Ministria e Drejtësisë, e cila që në ditët e para të qeverisjes ka vendosur planin konkret për procesin e vetingut në institucione të gjyqësisë dhe ka proceduar Projektligjin për Gjykatën Komerciale. Veprim tjetër pozitiv gjatë këtyre 100 ditëve është edhe ndjekja e parimit të emërimit të barabartë të grave dhe burrave në bordet e agjencive dhe ndërmarrjeve publike.

Në anën tjetër, shumë vendime të mëdha të cilat do të duhej të inicioheshin në këtë fazë, qoftë sa i përket rritjes së punësimit, reformimit të skemave sociale, edukimit e shëndetësisë, nuk janë pjesë e këtij 100-ditëshi të parë.

Nëse qëllimi i Qeverisë Kurti 2 ka qenë që gjatë këtyre 100 ditëve t’i reduktojë pritjet e qytetarëve, atëherë këtë e ka realizuar me sukses.