Në humor të mirë është parë Loriana Kuka në “Nippon Budokan”, aktualisht qendra botërore e xhudos.
Nuk ka se si të jetë ndryshe. Ekipi, pjesë e të cilit është Loriana, ka arritur sukses të jashtëzakonshëm në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”. Distria Krasniqi e Nora Gjakova kanë fituar medalje të arta olimpike. Është suksesi më i madh i mundshëm në sport.
Luftërat e paradites, të martën, Loriana i ka përcjellë në shoqëri me Norën, kampionin evropian dhe të shtatin në Olimpiadë, Akil Gjakovën, si dhe kryemjeshtrin Driton Kuka, fituesin e tri medaljeve të arta olimpike si trajner.
Nora, Distria, Majlinda Kelmendi e Flaka Loxha, që janë xhudistet e delegacionit të Kosovës në Lojërat e Tokios, me siguri e kanë motivuar maksimalisht Lorianën. Energjia pozitive e tyre është bartur edhe te Loriana, që e mbyll garën olimpike për ekipin e Kosovës në xhudo.
Loriana Kuka, mbesa e trajnerit Driton Kuka dhe kryetarit të Federatës, Agron Kuka, garon të enjten në kategorinë deri 78 kilogramë. Në “Nippon Budokan” natyrisht, aty ku shkëlqyen Distria e Nora.
Loriana është bartësja e shtatë. Në raundin e parë është e lirë. Në të dytin takohet me fituesen e luftës mes ruses Aleksandra Babintseva dhe kongolezes Marie Branser. Me fitore kalon në çerekfinale ku me shumë mundësi do të takohej me japonezen Shori Hamada.
Të mërkurën, Loriana ka zhvilluar stërvitjen e fundit. Suksesi i shoqeve të saj pritet ta motivojë gjiganten që ka lënë jetën në Zvicër për të ndjekur ëndrrën që të bëhet xhudiste e suksesshme. Ajo la jetën në Zvicër për të punuar me axhën, Driton Kuka, njërin prej trajnerëve më të vlerësuar në botë.
Puna me të i ka siguruar medalje botërore e evropiane. Shpresat janë që bashkëpunimi të sjellë edhe medaljen olimpike, që do të ishte e jashtëzakonshme.
Loriana në Evropian, më 18 prill, ishte e pesta. Fitoi medalje të bronztë në Mastersin në Doha, në janar. Vjet fitoi medalje të bronztë evropiane. Në vitin 2019 fitoi medalje të bronztë botërore e evropiane. Pra, 24-vjeçarja e di se çka kërkohet për sukses në skenën e madhe. I njeh kundërshtaret.
“Kam pasur disa gara të mira, e disa jo. Por, më duket se është normale që ka gjëra që shkojnë mirë dhe gjëra që shkojnë keq. Synimi më i madh është Olimpiada. Shpresojmë që atje të jemi në top-formë”, ka thënë Loriana para udhëtimit për në Tokio.
Ajo tregon se kishte shkëmbyer Zvicrën me Kosovën me synim për të arritur në Olimpiadë.
“Po normalisht, ai ka qenë caku im, që të mund të marr pjesë në Olimpiadë. Jam shumë e gëzuar që ia ka vlejtur ta lë Zvicrën për të ardhur këtu për ta përcjellë ëndrrën time”, thotë Loriana.
Të jetoj larg familjes më të ngushtë, natyrisht se ishte sfidë.
“Nuk ka qenë shumë e lehtë, sepse ka qenë hera e parë që jetoj vetëm, por përsëri kam pasur familjarë përreth, axhallarët, hallat dhe nuk kam qenë krejtësisht e vetme. Por, ka qenë një fillim i ri për mua, në jetën time”.
Kategoria e saj, si gjithë të tjerat, vlerësohet shumë e fortë, me konkurrencë të madhe. Por, pas suksesit të Distrisë e Norës, pritjet janë rritur edhe prej Lorianës. Ajo ka pasur një lëndim, por që e ka kaluar me kohë.
“Shpresoj që po, shpresoj që të marr medalje”, ka thënë Loriana Kuka.