Përgatitja fizike është prej anëve më të forta të xhudistëve kosovarë. Falë dhe përgatitjes, xhudistët e vendit kanë fituar deri tani krejt çka mund të fitohet në sportin e tyre. Ata kanë shumë medalje evropiane, medalje botërore e madje edhe medalje të arta olimpike.
Stërvitja e pasdites e 29 qershorit në palestrën e “Ipponit” në Pejë përshkruan më së miri se pse garuesit e trajnerit Driton Kuka janë superiorë në tatami, kur bëhet fjalë për gara të mëdha të xhudos. Ishte stërvitja me ngarkesën më të madhe që ekipi i KOHËS ka përcjellë ndonjëherë.
Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi, Loriana Kuka e Akil Gjakova mezi e kanë përballuar intensitetin e lartë të stërvitjes. Të paktën kjo përshtypje krijohej nga anash.
Në arenë ishin vetëm xhudistët prej të cilëve e gjithë Kosova pret të fitojnë medalje në ngjarjen më të madhe sportive – Lojërat Olimpike – si dhe partnerët e tyre, që natyrisht ndërroheshin. Xhudistët e tjerë shikonin nga anash.
Xhudistët olimpistë mezi ngiheshin frymë. Frymëmarrja e tyre ishte shumë e thellë. Ishte e vetmja që dëgjohej, pos këshillave e vërejtjeve me zë të lartë të trajnerit Driton Kuka. Xhudistët piknin djersë dhe thuajse pas secilës seancë lëshoheshin në gjunjë për të pushuar. Vërejtjet e këshillat e trajnerit Kuka ishin të shumta për xhudistët olimpistë dhe për partnerët e tyre. Seancat që përbëheshin nga ushtrime tipike të xhudos ishin më të gjata e pushimet fare të shkurtra. Xhudistët po përgatiteshin për atë që i pret në Tokio prej 24 korrikut e tutje.
Ndonëse kërkesat ishin në maksimumin e mundshëm, nuk kishte ndonjë hezitim nga xhudistët. Ndonjë shmangie apo ndonjë shikim të keq. Ata, njëjtë si trajneri Kuka, e dinë që vetëm me stërvitje të tilla është i mundur suksesi.
Jo të gjithë i përballojnë stërvitjet e vështira të Toni Kukës. Por ata që i përballojnë e kanë thuajse të garantuar suksesin ndërkombëtar. Për këtë flet edhe Majlinda Kelmendi.
“Disiplina, vendosmëria dhe puna e madhe janë çelësi i suksesit tonë. Për shumë njerëz në botë është e pakapshme se si një shtet si Kosova të ketë një xhudo kaq të suksesshme. Mirëpo, kur vijnë të ushtrojnë me neve, kur e shohin se sa shumë punojmë, atëherë e kuptojnë se prej nga vjen ai sukses. Mirëpo unë personalisht në momentin kur hyjmë në sallë, caku im kryesor është të jap jo 100%, por 200%. Nuk është lehtë t'i përjetosh ato ndjenja ndoshta që i përjeton te ne, nuk është e lehtë kur nuk mundesh të ngopesh frymë, e kur të del terr para syve. Mirëpo, të njëjtën kohë ndihem keq, por edhe mirë sepse e di që po e jap maksimumin dhe në gara nuk ka shans të lodhem. Ndjenja më e keqe për një sportist është kur e humb një luftë në garë për shkak të lodhjes. Kjo është ndjenja më e keqe që mund ta përjetojë një sportist. Kështu që kjo është arsyeja që unë punoj shumë, sepse nuk dua që të më ndodhë ajo asnjëherë. Realisht jo, mua personalisht nuk më ka ndodhur asnjëherë. Nuk ka ndodhur ta humb një luftë për shkak të lodhjes”, thotë kampionia olimpike.
Kërkimi për sukses në vendin e xhudos
Xhudo natyrisht ka të bëjë me shumë më tepër sesa vetëm me përgatitje fizike. Ka të bëjë me teknikë, taktikë, përgatitje psikike, e shumë gjëra të tjera që e bëjnë prej sporteve më komplekse luftarake.
E zhvilluar në Japoni, xhudo është sporti ku Kosova ka arritur sukseset më të mëdha deri më tani. Kjo vlerësohet meritë e trajnerit Kuka dhe punës që bën ai.
Fakti që Lojërat Olimpike mbahen në Tokio të Japonisë, në vendin ku ka lindur xhudo, e bën garën e këtij sporti më të veçantë. Fokusi i japonezëve është të fitojnë medaljet e arta në sa më shumë kategori.
Në pesë prej kategorive në rrugë mund t’u dalin garuesit kosovarë. Majlinda, Nora, Distria, Loriana e Akili në Tokio kanë udhëtuar falë normës që e kanë fituar për të garuar në Lojërat Olimpike. Norma fitohet duke mbledhur pikë në gara të mëdha. Fakti se të gjithë kanë normë e shumica janë bartës dëshmon se janë pretendues për medalje.
Majlinda e ka të qartë synimin.
“Caku im është ta mbroj titullin, të bëhem përsëri kampione olimpike. Është shumë e vështirë, por nuk është e pamundur. Siç e thashë më herët, po ndihem mirë dhe do ta jap maksimumin. Nuk do të ishte çudi të bëhem kampione olimpike, nuk do të ishte çudi ta marr cilëndo prej medaljeve, por nuk është çudi dhe nuk është turp, siç e them gjithmonë, të humbësh në Lojëra Olimpike. Njerëzit duhet ta kuptojnë se këtu marrin pjesë, përderisa një garues e fiton normën olimpike, ai automatikisht është kandidat për t'u bërë kampion olimpik. Kështu që nuk është turp të biesh në xhiro të parë. Çfarëdo që ndodh në Lojëra Olimpike është shumë normale. Mirëpo, unë për vete cak e kam medaljen e artë, por prapë e them, cilado prej medaljeve që do të vinte për mua do të ishte e suksesshme”, thotë 30-vjeçarja nga Peja.

Medalja në Tokio për Majlindën do të ishte një përmbyllje perfekte e një karriere shumë të madhe. Ajo është sportistja bindshëm më e mirë shqiptare e të gjitha kohërave. Në Lojërat e kaluara Olimpike, në Rio në vitin 2016, Majlinda fitoi medaljen e artë në kategorinë deri 52 kilogramë. Ishte debutim i Kosovës në Olimpiadën verore. Majlinda ka edhe dy tituj të botës dhe një medalje të bronztë botërore. Ka edhe katër tituj të Evropës dhe një medalje të bronztë evropiane. Në garat e xhudos, Masters, Grand Slam e Grand Prix i ka plot 18 medalje të arta, ndërsa ka edhe të argjendta e të bronzta. Lista e saj e sukseseve është shumë e gjatë. Me shumë gjasë, Lojërat Olimpike do të jenë gara e fundit për Majlindën dhe ajo është e përkushtuar ta japë më të mirën.
Majlinda për herë të tretë merr pjesë në Lojërat Olimpike. Së pari kishte garuar në “Londra 2012” ku kishte prezantuar Shqipërinë. Ishte ndalur befasisht në luftën e dytë.
“Hera e parë ka qenë e vështirë. Hera e dytë nuk e di, e kam shijuar në maksimum. Po shpresoj që edhe hera e tretë do të jetë ashtu. Realisht, pa marrë parasysh sa je i mirë, sa ke rezultat, e sata herë është që merr pjesë në Olimpiadë, prapëseprapë ke emocione, ke stres. Siç e thatë edhe ju, është garë tjetër, është garë prestigjioze, është garë që mbahet çdo katër vjet dhe për katër vjet shumë gjëra mund të ndryshojnë, ndoshta sivjet je, ndërsa pas 2-3 vjetësh nuk je në atë formë. Sigurisht që nuk është ndjenjë e njëjtë si të shkosh në një Grand-Slam ose në një Kampionat të Evropës, si të shkosh në Lojëra Olimpike. Po mendoj se po ndihem ashtu siç duhet të ndihesh.”
Majlinda së fundi nuk ka garuar shumë. Për shkak të telasheve me lëndime, që nuk i janë ndarë për kohë të gjatë, ajo ka zgjedhur të përgatitet për Lojëra Olimpike, duke i anashkaluar garat e tjera. Këtë vit fitoi medaljen e bronztë në Mastersin në Doha më 11 janar dhe në Grand Slamin në Tel Aviv më 18 shkurt. Vitin e kaluar, edhe për shkak të pandemisë, nuk garoi fare. Majlinda është bartësja e katërt në kategorinë deri 52 kilogramë. Para saj janë Amandine Buchard e Francës, Uta Abe e Japonisë dhe Odette Giuffrida e Italisë.
Seria e Norës
Podiumin në Lojërat Olimpike e kërkon Nora Gjakova. Ajo kishte garuar në Rio 2016, por për shkak të një lëndimi ishte ndalur herët. Medalja olimpike është e vetmja që i mungon Norës në karrierë. Ajo garon në kategorinë deri 57 kilogramë dhe është bartësja e tretë. Nora tashmë i ka katër medalje të mëdha në këtë vit. Ajo fitoi të bronztën në Masters e të artën në Grand Slam të Tbilisit. Ishte e treta në Evropianin e mbajtur në Lisbonë në muajin prill, ndërsa vendin e tretë e zuri edhe në Botërorin në Budapest, në fillim të qershorit.

Nora ka një medalje të artë, një të argjendtë dhe katër të bronzta në kampionate evropiane. Edhe lista e saj e sukseseve është e gjatë. Në një ditë të mirë, Nora mund t’i mposhtë të gjitha rivalet e kategorisë.
“Përgatitjet po shkojnë shumë mirë. Edhe vitin e kam filluar mirë me medalje. Kam pasur medalje në secilën garë dhe normalisht që shkoj me një motiv shumë më të fortë për të fituar një medalje në Lojërat Olimpike. Tash e kam fituar medaljen që më ka munguar në Kampionatin Botëror. Kjo është ajo që gjithmonë më ka bërë të ndihem jo shumë mirë, për arsye se nuk jam ndier shumë e sigurt në garë apo ku ka pasur pjesëmarrës nga e gjithë bota, ose në kampionate botërore. Por kjo medalja në Kampionat Botëror më jep shumë motiv për Lojëra Olimpike”, thotë Nora Gjakova.
Rritja e Distrisë
E para prej xhudisteve të Kosovës do të garojë Distria Krasniqi. Rrjedhimisht, presioni më i madh është mbi të. Distria ka treguar formë të lartë për kohë të gjatë dhe garon të shtunën, më 24 korrik.

Ngritja e madhe në karrierë ka bërë që Distria të jetë bartësja e parë në kategorinë deri 48 kilogramë. Ajo vlerësohet se do të ketë konkurrencën e Daria Bilodidit të Ukrainës dhe Funa Tonakit të Japonisë për medalje të artë. Nëse e shfaq potencialin që ka, Distria pritet të arrijë deri në finale.
Distria po ashtu ka medalje botërore e titull të Evropës. E treta në Evropë ishte në vitin 2019, ndërsa sivjet u rendit e pesta.
Është kampione në fuqi e Evropës. Vjet ishte e treta në kampionatin kontinental, ndërsa në vitin 2018 ishte ndalë në finale.
Para Botërorit ajo kishte rreshtuar rezultate pozitive. Ishte ngjitur në podium rregullisht në dy vjetët e fundit.
“Po e ndiej veten shumë gati dhe shumë të përgatitur. Kemi bërë përgatitje të mira dhe gjithçka ka shkuar siç duhet. Falë Zotit nuk kam lëndime, puna po shkon mirë. Kështu që normal që po shkoj atje për t'u kthyer me medalje dhe shpresoj të ndodhë ashtu.
Besoj që nëse është dita ime, nëse jam e qetë, nëse ndihem sikur jam ndier në të gjitha garat që i kam pasur në të kaluarën, atëherë çdo gjë do të shkojë mirë. Janë kundërshtaret e njëjta si në çdo garë, vetëm emri është ndryshe, pra Olimpiadë. Kështu që besoj se do të ndihem si në garat e kaluara që i kam pasur. Nëse do të ndihem mirë, atëherë do të marr medalje”.
Sakrifica e Lorianës
Bartëse është edhe Loriana Kuka. Ajo kishte lënë jetën në Zvicër për ta vazhduar karrierën e xhudos në Kosovë. E ka ndier se çelësi i suksesit është të punojë me axhën e saj, Dritonin. Dhe vendimi doli i drejtë.
Loriana garon në kategorinë deri 78 kilogramë dhe është bartësja e shtatë. E ka marrë veten pas një lëndimi që kishte dhe ka shfaqur formë të mirë në garat e fundit. Por, synimet janë që më të mirën ta shfaqë aty ku vlen më së shumti – në arenën olimpike.
Loriana në Botëror ishte e pesta. Në Masters u rendit e treta, ndërsa vendin e tretë e zuri edhe në Evropianin e mbajtur në Pragë në nëntor të vitit të kaluar.
Ajo ka një medalje të bronztë botërore e dy të bronzta evropiane. Një e bronztë olimpike do të ishte sukses i jashtëzakonshëm.
“Kanë qenë disa gara të mira dhe disa jo të mira. Por, më duket ajo është normale që ka gjëra që shkojnë mirë dhe gjëra që shkojnë keq. Synimi më i madh është Olimpiada. Shpresojmë që aty të jemi në top-formë. Po normal, ai ka qenë caku im, që të mund të marr pjesë në Olimpiadë. Jam shumë e gëzuar që ia ka vlejtur ta lë Zvicrën për të ardhur këtu për ta përcjellë këtë ëndrrën time. Nuk ka qenë shumë e lehtë sepse ka qenë hera e parë që jetoj vetë. Shpresoj që të marr medalje”, ka theksuar Loriana Kuka.
Rritja e Akilit
Për herë të parë Kosova ka edhe një xhudist me normë në Olimpiadë. Bëhet fjalë për kampionin evropian Akil Gjakova. Medalja e artë evropiane i ka dhënë hov karrierës së Akilit. Ai shpreson ta shfrytëzojë momentin e mirë për të pasur sukses edhe në Lojërat Olimpike.

Akil Gjakova e ka fituar titullin evropian më 17 prill në Lisbonë. Akili garon në kategorinë deri 73 kilogramë, ndërsa nuk është bartës. Por, bëhet fjalë për kategorinë ku secili mund ta mposhtë secilin dhe ku të jesh bartës jo domosdoshmërisht është avantazh.
“Për mua ka qenë ëndërr ta fitoj Kampionatin Evropian. Më në fund është bërë realitet, por po e shoh që kapacitetet dhe mundësitë i kam edhe më të mëdha. Kështu që nuk jam i ngopur me kaq. Shpresoj që të vazhdoj edhe më tutje për medalje botërore, e po ashtu edhe olimpike”, thotë Akil Gjakova.
Kosova i ka gjashtë norma olimpike, pesë prej tyre në xhudo. Dhe ky sukses do të ishte i pamundur pa përkushtimin e trajnerit Driton Kuka. Të gjithë e pranojnë se Kuka ia ka dalë të formojë një top-ekip prej një grupi jo shumë të madh xhudistësh.
Për rreth një dekadë e gjysmë punë me përkushtim të plotë, Kuka si trajner ka fituar çdo gjë që fitohet në sport. Dhe është shndërruar në njërin prej trajnerëve më të vlerësuar në botë sa i takon xhudos.
Fjala e kreatorit të suksesit
Rritja e ekipit të Toni Kukës është evidente. Majlinda Kelmendi fitoi normën për Londra 2012, ndërsa në Rio 2016 me normë ishin Majlinda e Nora. Tani Kosova i ka plot pesë xhudistë me normë. Nëse vazhdon ky ritëm, në vitin 2024 do të jenë të paktën dhjetë.
“Së pari është kënaqësi që rritja e skuadrës ka ndodhur në kontinuitet, që prej Lojërave Olimpike në Londër kur kemi marrë pjesë me Majlindën dhe pastaj kemi vazhduar në Rio me dy norma olimpike, e tani kemi pesë norma dhe atë plotë pesë norma që secili është pretendues për rezultate të mira. Normalisht kur e them këtë, rezultat të mirë, gjithmonë mendoj që për ekipin tonë rezultat i mirë është medalja. Kështu që faktikisht i kemi pesë adutë dhe secili prej tyre në Olimpiadë shkon për plasman të mirë e normalisht pretendojnë të gjithë medalje. Tani sa dhe si do të shkojnë Lojërat Olimpike kjo është me të vërtet gjithmonë sfidë e jashtëzakonshme, pasi dihet që Lojërat Olimpike janë gara më e rëndësishme në sport, ku të gjithë sportistët e të gjitha shteteve në botë përgatiten në mënyrë specifike, diçka të cilën e bëjmë edhe ne. Po besoj që së pari numri prej pesë garuesve e rrit përgjegjësinë e gjithashtu i rrit edhe pritshmëritë. Por po besoj që me një përgatitje të mirë edhe kësaj radhe do t'ia dalim që prej Lojërave Olimpike të mos kthehemi pa medalje. Normalisht ne si shtet i vogël, si Kosovë, edhe me një medalje jemi të kënaqur, por mundësi ka. Mundësi kanë të gjithë garuesit, kështu që po shpresoj që ta kenë ditën, disponimin dhe po besoj që përgatitja edhe performanca e tyre duhet të vijë pikërisht në Lojëra Olimpike”, ka theksuar Driton Kuka për KOHËN.
Nëse kthehet prapa dhe analizon sukseset e garuesve që drejton, Driton Kuka mund të ndihet krenar. Sportistët e tij në fakt janë shkëputur shumë prej pjesës tjetër të sportistëve të vendit. Janë dukshëm më të suksesshmit. Natyrisht falë punës së madhe që bëjnë dhe ndjekjes së trendëve në sportin modern.
Është kënaqësi që tani kemi një pesëshe garuese në këtë cikël olimpik. Nga Rio e deri tani e kanë rritur numrin e medaljeve elitare. Tani kemi edhe medalje elitare për meshkuj që nuk kemi pasur dhe atë hiç më pak se kampion evropian. Pastaj të gjitha vajzat kanë medalje në kampionate botërore, faktikisht deri në Olimpiadën në Rio ka pasur vetëm Majlinda, ndërsa në këtë cikël olimpik kemi medalje nga kampionatet botërore. Medalje kanë fituar Loriana, Nora dhe Distria. Faktikisht, Distria këta dy-tre vjetët e fundit – hiq garën e fundit ku ka marrë pjesë – thuajse e ka dominuar botën. Pra, kemi të bëjmë me një ekip që në kontinuitet ka ditur të na gëzojë me medalje, duke nisur nga Distria dhe normalisht Majlindën, duke vazhduar me Norën, Akilin dhe Lorianën, një pesëshe që në këta pesë vjet ka arritur të fitojë medalje në çdo garë pothuajse dhe faktikisht ekipi ka bërë që të rritet dhe jo vetëm me normë olimpike, por edhe me medalje”.
Por, cili është sekreti i suksesit? A ka Kuka ndonjë formulë të fshehtë apo nxënësit e tij sukseset i arrijnë vetëm me punë të madhe? Të tillë si në stërvitjen e fundqershorit.
“Nuk mund të them që e kemi ndonjë formulë të veçantë, kemi një sistem të punës, të cilin normalisht e kemi të precizuar deri në detaje. Çdo garë ne dëshirojmë ta performojmë mirë, ku ne përgatitemi në mënyrë specifike dhe në këta pesë vjetët e fundit kanë ardhur rezultatet. Sistemi i punës me të cilin punojmë është i bazuar në periodizim. Punojmë shumë në zhvillimin e teknikës, taktikës por njëkohësisht edhe anës fizike dhe kjo gjithmonë ka rezultuar me suksese. E kemi nisur ndoshta prej vitit 2009-2010 të punojmë në këtë formë. Gjatë pjesës së parë ka pasur çalime, ka pasur dilema në kokën time se si do të funksionojë, por tani më duket që realisht e kemi mënyrën qysh ne vijmë deri te performanca e mirë në çdo aspekt, edhe teknik, edhe taktik, edhe fizik e edhe në anën e përgatitjes aerobe-anaerobe dhe kjo faktikisht dallohet edhe në gara. Komentatorët e mediave, të cilët janë të specializuar në xhudo gjithmonë e vlerësojnë përgatitjen e xhudistëve të Kosovës dhe ne e kemi një veçori që na dallon prej shteteve të tjera të botës”, thotë Kuka.