Tokio 2020

Nora Gjakova: Kam mësuar më shumë nga humbjet sesa nga fitoret

Tokio, 27 korrik – Xhudistja Nora Gjakova ndihet krenare me medaljen e saj të artë që e fitoi të hënën në Lojërat Olimpike, në kategorinë deri 57 kilogramë. Medalja e Norës ishte e dyta e artë për Kosovën në Tokio pas asaj që e fitoi Distria Krasniqi të shtunën e shkuar në kategorinë deri 48 kilogramë. Një ditë pasi e fitoi medaljen e artë, Nora ka folur për emocionet e saj, pritjet dhe përgatitjet që i kishte bërë para se të udhëtonte për në Tokio. Gjithashtu, ajo ka folur edhe për gjestin e saj sportiv në finale ndaj francezes Sara Leonie Cysique, ku është përgëzuar nga zyrtarët e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos (IJF). Ajo ka pranuar se lufta më e vështirë e saj në rrugën drejt medaljes ishte gjysmëfinalja ndaj japonezes Tsukasa Yoshida, që ishte favoritja kryesore për medaljen e artë. Nora ka folur edhe për paraqitjen e vëllait të saj, Akil Gjakova, që në të njëjtën ditë garoi dhe përfundoi i shtati në kategorinë deri 73 kilogramë.

KOHA: Si po ndihesh një ditë pas suksesit në Tokio, a po ia di vlerën më shumë medaljes së artë?

Nora Gjakova: Dalëngadalë po filloj ta kem atë ndjenjën si kampione olimpike, po mësohem me atë ndjenjë. Sot, kam ardhur thjesht të kënaqem me garat e xhudos në arenë. Është dita e parë që nuk garon askush prej ekipit tonë, dhe po mundohem thjesht vetëm t’i shijoj garat.

KOHA: Si e vlerësoni krejt ditën e garave tua, cili ishte momenti vendimtar?

Nora Gjakova: Ka qenë një ditë shumë e mirë, pasi ndryshe prej garave të tjera, në Tokio jam ndier shumë e qetë, edhe vazhdimisht kam thënë me vete se si po ndihem kaq e qetë në një garë të tillë, sepse janë Lojërat olimpike dhe duhet të kisha më shumë emocione. Nuk kam pasur për vete emocione, por më shumë për Akilin që gjithashtu garonte në të njëjtën kohë. Ky ka qenë presioni i vetëm që kam pasur. Përndryshe, gjithçka ka shkuar shumë mirë. Në luftën e parë kam qenë pak më e ngarkuar, jo që kisha probleme me atë garuese, sepse e kam mposhtur edhe në Evropian dhe isha e sigurt që do ta mposhti, por prapë ishte dueli i parë dhe këto janë Lojërat Olimpike, ku gjithçka mund të ndodhë.

KOHA: Na trego pak për kthesën e madhe në luftën ndaj japonezes Yoshida, ku e mposhte në kohën shtesë?

Nora Gjakova: Para ndeshjes me japonezen kam folur shumë me Tonin, edhe ai në çdo mënyrë është munduar të më bindë se do ta mposhti atë. Kemi bërë një strategji së bashku dhe gjatë tërë ndeshjes Toni me ka thënë të punoj një lloj teknike, sepse ajo gjithmonë është mbrojtur prej teknikave përpara, kurse trajneri më tha të punoj në teknikat prapa. Kështu që, vetëm e kam pritur momentin tim dhe me vjen mirë që e kam dëgjuar Tonin, pasi me atë lëvizje e fitova meçin ndaj japonezes.

KOHA: Toni na ka treguar se je përgatitur shumë për luftën me japonezen, pasi ishte favoritja kryesore?

Nora Gjakova: Ndryshe prej garueseve të tjera, me japonezen e kam ditur se do të takohem në gjysmëfinale, sepse kjo është bazuar edhe në bazë të ranglistës botërore. Dhe, nuk kam besuar se do ta ndalë dikush deri në gjysmëfinale, kështu që lufta me të ishte e sigurt nëse unë do ta arrija aty. Kjo është një fitore e rëndësishme për mua, sepse ta mposhti japonezen në vendin ku ka lindur xhudoja është diçka e jashtëzakonshme. E sidomos ta mposhti atë pas katër humbjeve që m’i kishte shkaktuar, dhe në Lojërat Olimpike, është diçka edhe më e veçantë dhe e pabesueshme.

KOHA: Sa i përket finales ishim dëshmitarë që more komplimente edhe prej zyrtarëve të IJF-së për gjestin tënd sportiv?

Nora Gjakova: Kam thënë që nuk ishte mënyra që doja të përfundonte finalja e Lojërave Olimpike, por nuk është që isha duke humbur apo fituar, pasi ndeshja ishte e barabartë deri në atë moment kur francezja e bëri një lloj teknike dhe ra me pjesën e qafës, ku në xhudo nuk është e lejuar për shkak të lëndimit dhe gjyqtarët vendosën ta diskualifikonin. Pak minuta më vonë erdhi edhe komisioni i gjyqtarëve dhe më përgëzoi për veprimin tim sportiv, sepse unë kam mundur të vazhdoj edhe pak dhe të fitoj pikë, por e kam lënë me aq. Ata më falënderuan që nuk kam shkuar kundër sportit të xhudos dhe kam qenë ferplej, pasi po të kisha vazhduar francezja do të ishte lënduar shumë rëndë.

KOHA: A ndodh shpesh të marrësh komplimente të tilla që të jesh shembull për xhudon me veprimin sportiv?

Nora Gjakova: J0, nuk ndodh. Më erdhi shumë mirë që edhe gjyqtarët e kanë parë veprimin tim. Në momentin që ajo ka shkuar në atë formë, unë jam ndaluar automatikisht dhe nuk kam pasur dëshirë të vazhdoj me luftën, ndonëse ishte një pikë e sigurt për mua po të vazhdoja.

KOHA: Mund të quhet kjo një fitore e dyfishtë?

Nora Gjakova: Nuk mund të them një fitore e dyfishtë, ndoshta secili sportist do të kishte reaguar në atë mënyrë si reagova unë. Kjo ishte ajo që e kam bërë unë, ndërsa vendimi ishte i gjyqtarit. Unë kam qenë e gatshme të shkoj deri në fund të luftës dhe ta fitoj medaljen e artë olimpike me çdo kusht pas fitores ndaj japonezes, pasi nuk besoj se kisha lënë ta humbi medaljen e artë.

KOHA: Ke fituar shumë medalje dhe ky sukses a ka ardhur falë punës së madhe që e ke bërë?

Nora Gjakova: Gjatë këtyre viteve nuk më kanë ngritur vetëm fitoret, por edhe humbjet. Nuk mund të them që humbjet me kanë ngritur më shumë se fitoret, por kam mësuar shumë prej humbjeve dhe jam përmirësuar për të dhënë më tepër. Gjithmonë kam thënë se pse nuk po arrij deri aty ku duhet dhe jam angazhuar të punoj më shumë dhe e kam gjetur formën. Pa dyshim që të kesh një trajner si Toni është e pamundur të mos arrish në këtë nivel. Ka 20 vjet që punoj me Tonin, nuk është sukses që arrihet brena një dite, pasi kam punuar prej moshës dhjetëvjeçare. Prej që kam filluar të merrem me xhudo nuk jam ndalur asnjëherë. Tash edhe kjo punë u shpërblye në mënyrën më të mirë të mundshme. Më shumë jam krenare që kam arritur Tonit t’ia shpërblejë këtë punë. Dihet puna e madhe që e bën Toni te klubi ynë. Nuk është lehtë të merresh me dikë që nuk e njeh, e që ndoshta një ditë mund ta lërë sportin dhe ta humbë krejt punën.

KOHA: Jeni një grup i vogël i xhudistëve dhe a është kjo lidhja e mirë e klubit që ju bën të funksiononi?

Nora Gjakova: Normalisht që po. Ne e motivojmë njëri-tjetrin si në humbje ashtu edhe në fitore. Arsyeja që arrijmë deri këtu është duke e parë tjetrin, duke e shtyrë njërin-tjetrin. Motivohemi prej fitoreve të njëri-tjetrit. Kjo është puna që e bëjmë si ekip. Mundohemi ta shtyjmë sa më shumë njëri-tjetrin dhe t’ia japim përkrahjen e duhur.

KOHA: Ke garuar në të njëjtën ditë me Akilin, sa je e kënaqur me paraqitjen e tij?

Nora Gjakova: Po, normal që jam shumë e kënaqur me paraqitjen e Akilit, sepse kategoria e tij në Lojërat Olimpike ka qenë shumë e vështirë dhe e fortë. Sidomos për Akilin ka qenë vështirë, sepse është dashur t’i fitoj tri luftëra për t’i kaluar eliminatoret. Kjo është shumë vështirë dhe duhet të jesh shumë i përgatitur. Tri ndeshje vetëm të kalosh grupin nuk është lehtë. Kështu që, natyrisht që jam e kënaqur me paraqitjen e tij, dhe pozitën e shtatë që e zuri në Tokio. Ndonëse dëshira ishte që edhe ai të fitonte medalje.