Tokio, 3 gusht (AP) – Duke e mbajtur njëri-tjetrin më fort se të dashuruarit e tyre, mundësit e njollosin njëri-tjetrin me djersë, pështymë dhe ka raste kur pa dashje e prenë njëri-tjetrin. Ndonjëherë del edhe gjak. Mushkëritë fryhen, gojët hapen, ato përplasen dhe fryhen në fytyrat e skuqura të sportistëve.
Nga trupat e tyre shkëlqyes është e pamundur të dallohen lëngjet e kundërshtarëve të tyre.
Theksimi i rreziqeve shëndetësore të një afërsie të tillë është se ata janë të vetmit njerëz në sallë që nuk mbajnë maska në fytyrë.
Shikimi i mundjes olimpike në mes të pandemisë ndihet si pjesë e një eksperimenti virologjik, një studim real i pikave dhe shpërndarjes së lëngjeve. Ky makth është një spektakël i çrregullt që vërehet më së miri nga tribunat ku vullnetarët mbajnë shenja, ku shkruhet “mbaj distancë fizike” për turmat inekzistente, të ndaluara nga Lojërat e Tokios për shkak të rritjes së infeksioneve të koronavirusit në vendin pritës, ku më pak se një e treta e popullsisë është e vaksinuar.
Por për shkak se mundja është sporti më i afërt i Olimpiadës, gjithashtu flet më me zë për luftën e gjithanshme kundër virusit që sportistët kanë bërë për të arritur në Tokio. Dhe pasi kanë arritur vazhdojnë të luftojnë për të qëndruar të lirë nga infeksionet dhe të garojnë. Edhe garuesit thonë se ndihen të sigurt duke shkuar trup më trup në luftime, gjë që dëshmon për përpjekjet e jashtëzakonshme që olimpistët po bëjnë për të qëndruar të shëndetshëm, duke ushtruar një disiplinë sanitare që ka bërë të mundur mbajtjen e garave.
Për këtë, mundësja nga Brazili, Alina Silva, thotë se është një çmim i nevojshëm për t’u paguar. Ajo shpreson se Lojërat në Tokio do të shërbejnë si kundërpeshë ndaj lodhjes nga COVID-19, duke dërguar një mesazh të qartë se derisa virusi të mposhtet, njerëzit kudo duhet të kenë kujdes më të madh dhe të kujdesen më mirë për veten dhe të tjerët. Brazili ka numrin e dytë më të lartë në botë të vdekjeve nga COVID-19, me 556 mijë viktima.
“Në Brazil të gjithë e dinë se është më mirë të mos jesh në ahengje dhe të bësh gjëra të tilla. Por unë nuk e di pse ata nuk kujdesen”, tha Silva. “Pra, ne duhet t'u tregojmë njerëzve se kemi nevojë, tani për tani, të jemi të përqendruar në kryerjen e punëve tona në mënyrë sa më të sigurt”.
34-vjeçarja i kishte vënë synimet e saj në Tokio për të korrigjuar dështimin e saj për të fituar një medalje në Lojërat në Rio de Janeiro, në vitin 2016. Por kur goditi pandemia, ajo vendosi të ndalonte mundjen pjesërisht, sepse nuk ndihej më e sigurt, por edhe për të dhënë një shembull që jeta nuk mund të vazhdojë si më parë. Silva thotë se xhaxhai i saj i kaloi 13 ditë në spital për shkak të koronavirusit. Vetëm këtë vit, në një “flluskë” të vogël të sportistëve që u testuan dhe jetuan së bashku me kontakt të kufizuar nga jashtë, ajo rifilloi përgatitjet për Lojërat Olimpike.
“Unë besoj se tani për tani njerëzit duhet të mendojnë për jetën. Kjo ka më shumë rëndësi se çdo sport. Por ne jemi këtu duke u përpjekur ta mposhtim edhe këtë virus”, tha ajo. “Ne duhet të bëjmë pjesën tonë që të gjithë të mbijetojnë. Unë mund të mos vdes nga COVID, por nuk dua ta përcjell sëmundjen te dikush që mund të vdesë. Shumë njerëz nuk mendojnë për këtë”.
Në Tokio, olimpistët nuk mund të mos mendojnë për këtë. Ata mbyllen në një “flluskë” gjigande sanitare të ndërtuar me teste të përditshme, me dezinfektues dhe kufizime të rrepta në lëvizjet e tyre. Ata udhëzohen të mos përzihen me njerëz jashtë ekipeve. Atyre u thuhet që të shmangin përqafimet dhe shtrëngimet e duarve, të gjitha të konsideruara “të panevojshme” nga organizatorët e Lojërave. Ata nuk mund të shikojnë sporte të tjera përveç sporteve të tyre ose të enden nëpër qytet. Salla e ngrënies në fshatin e sportistëve, ku shumica e tyre janë të mbyllur, ka pastërti të ngjashme me spitalin.
Matilda Kearns, një lojtare e vaterpolos nga Australia, detajoi procedurat sanitare në një postim në “TikTok”. Ata jo vetëm që i dezinfektojnë duart, por gjithashtu mbajnë dorëza plastike para se të prekin tabakët e ushqimit që janë dezinfektuar, tha ajo.
Ata pastaj hanë në kabina të vogla, të cilat i fshijnë me peceta dezinfektuese, të ndara nga ekranet plastike të tejdukshme që e bëjnë bisedën gjatë kohës së vaktit “mjaft të vështirë, sepse është e vështirë të dëgjosh përmes tyre”, tha Kearns.
Ajo shtoi se kanë një rregull shtesë të ekipit, “që sapo maska të jetë larguar, ju keni vetëm 10 minuta për të ngrënë për të zvogëluar ekspozimin”.
Masat parandaluese shtrihen edhe në fushat e lojës. Pingpongu i ka ndaluar lojtarët të fryjnë në top para se të shërbejnë, gjë që disa e bënin për t’ia hequr pluhurin, dhe për të fshirë pëllëmbët e djersitura në tryezë. Para pandemisë, lojtarëve u lejohej të fshinin veten me peshqir pas çdo gjashtë pikëve, për të shmangur ngadalësimin e lojës. Tani, ata mund të përdorin peshqirët lirshëm, për të shmangur djersën në tryezë. Lojtarët gjithashtu duhet të mbajnë maska dhe dorëza kur zgjedhin stokun e tyre të topave para ndeshjeve.
Në badminton, kur lojtarët duhet të zëvendësojnë një flutur të dëmtuar, ata marrin një të re vetë nga një bombol me vrimë nxjerrëse, kështu që ata nuk trajtohen më nga zyrtari i ndeshjes, i cili i shpërndante ato. Në arenën olimpike të boksit pastruesit e uniformuar “sulmojnë” ringun midis shumicës së luftimeve për të fshirë litarët, jastëkët e qosheve nga çdo djersë ose gjak, para se çifti tjetër i boksierëve t'i detyrojë ata ta bëjnë këtë përsëri. Në ngritjen e peshave, shtanga dezinfektohet me alkool kirurgjikal midis ngritësve. Jashtë “flluskës” olimpike, infeksionet në Tokio kanë regjistruar rekorde të reja ditore dhe gati janë trefishuar në javën e parë pas hapjes së Lojërave Olimpike më 23 korrik. Zyrtarët japonezë thonë se rritja nuk ka lidhje me Olimpiadën.
Brenda “flluskës” së olimpistëve, infeksionet kanë qenë të kufizuara. Që nga 1 korriku, 222 mijë teste të bëra ndaj sportistëve dhe zyrtarëve të ekipeve dhanë 32 raste pozitive. Plotësisht i vaksinuar dhe aq i kujdesshëm sa mund të jetë, mundësi finlandez Elias Kuosmanen tha se ndihej mjaft i sigurt për të mbyllur mendjen ndaj rrezikut të infeksionit, kur garoi dhe djersiti të gjithë në peshën e rëndë në stilin greko-roman.
“Ne jemi testuar gjatë gjithë kohës, kështu që jam shumë i sigurt se kundërshtarët dhe të gjithë janë pa COVID-19”, tha ai. “Nuk kam nevojë të stresohem për këtë”.