Ekipi olimpik i xhudos është nisur për në Kosovë pas suksesit historik në “Tokio 2020” ku fitoi dy medalje të arta olimpike.
Distria Krasniqi fitoi të artën në kategorinë deri 48 kilogramë, ndërsa Nora Gjakova në atë deri 57 kilogramë.
Akil Gjakova përfundoi i shtati, ndërsa Majlinda Kelmendi e Loriana Kuka, u eliminuan në luftërat e para.
Xhudoja ia kishte sjellë Kosovës edhe medaljen e parë olimpike, të artën në “Rio 2016” me Majlinda Kelmendin.
Ekipi i xhudos pritet të arrijë në Kosovë të hënën mbrëma.
“Mirëmëngjes nga Tokio. Tri copa të arta deri tash. Një te shpia e dy kadal kadal po i sjellim në atdheun tonë! Medaljet e Arta Olimpike”, ka shkruar Driton Kuka disa orë para nisjes.
Grupi i tifozëve “Dardanët” kanë paralajmëruar një pritje të ngrohtësi për xhudistet tona dhe i kanë ftuar të gjithë dashamirët t’i bashkohen atyre në aeroportin ‘’Adem Jashari’’ të hënën në orën 19:50, atëherë kur pritet që ekipi i xhudos të aterojë në Prishtinë.