Tokio 2020

Kuka krenar me xhudistët e tij

Trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka është shprehur krenar me paraqitjet e xhudistëve të tij në Lojërat Olimpike të Tokios.

Në një postim emocional në “Facebook”, Kuka ka thënë se ende nuk po i besohet që nga Tokio po kthehet me dy medalje të arta, të cilat i fituan Distria Krasniqi e Nora Gjakova. Ai i ka quajtur xhudistët e tij, heronj.

Ai i ka falënderuar nga zemra të gjithë xhudistët e tij që u paraqitën në Tokio: Distria Krasniqin, Nora Gjakovën, Majlinda Kelmendin, Loriana Kukën e Akil Gjakovën.

“Lojërat Olimpike 2020 Tokio. U nis me Majlinden në Rio De Janeiro tash e 5 vite, e arta erdhi në Kosovë! Në Tokio vazhduan Distria e Nora. Krejt të Arta! Medalje të Arta Olimpike Ende smë besohet, kemi ardh për medalje por … 2 të Arta e një vend i 7 për shtetin me më pak se 2 milionë banorë. Dhe kjo s’është e tëra! Çfarë e arriture në radhitjen e shteteve me medalje të arta në sportin ku shtetet investojnë me dhjetëra e qindra miliona Euro! Kosova vetëm pas Japonisë e para Francës, Rusisë … e para 200 e më shumë shteteve dhe e gjithë kjo në Lojëra Olimpike! Majlinda, Disi, Nora, Akil, Loriana … Heronjtë e mi! Heronjtë e lirisë së fituar me gjak! Sa e sa herë jam lutur për ju në këto vite e sot shihni Kosovën ku e keni ngrit në Sportin tonë të dashur. Thjesht e shkurt faleminderit nga zemra!”, ka shkruar Kuka.