Tokio 2020

Kuka: Kosova ka nevojë për trajnerë cilësorë

Kreatori i sukseseve të jashtëzakonshme të xhudistëve kosovarë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, trajneri Driton Kuka, po i shijon momentet më të mira në karrierën e tij. Pas kthimit në Kosovë, Kuka po ndihet shumë krenar me të arriturat e nxënësve të tij.

“Ende jemi duke u akomoduar me këtë situatë të re, me këtë të arritur të jashtëzakonshme. Po mendoj që për të perceptuar vlerën e suksesit na duhet pak kohë. Medaljet janë këtu, po i shohim, po i prekim dhe vlera që këto medalje ia kanë dhënë jo vetëm sportit të xhudos, jo vetëm mua, ekipit, garueseve dhe Federatës, por ende përtej, sepse një shtet si Kosova ka fituar në shumë dimensione me këto medalje. Kjo e bën të veçantë të arriturën tonë. Për shembull në Amerikë i fitojnë medaljet olimpike sepse është sistem i punës së tyre, por të fitohen në Kosovë është ndjenjë më ndryshe dhe kjo po i tejkalon suazat sportive dhe kjo po na bën të ndihemi pak më të privilegjuar, ndoshta edhe karshi medalistëve të artë të shteteve të tjera”, tha Kuka për KOHËN.

Në mesin e shumë urimeve për sukseset e mëdha, trajneri nga Peja përmend urimet që mori pas publikimit të fotografisë te rrathët olimpikë. Ai synon që t’i mbushë me medalje edhe dy vende të zbrazëta.

"Ka pasur shumë urime dhe komente. Nuk di a është më i miri, por atë fotografinë që e kemi bërë te rrathët olimpikë dhe kanë thënë tri medalje, tre rrathët, tash duhet edhe dy medalje. Kështu, në njëfarë forme, më ka pëlqyer ai mesazh, sepse unë do të vazhdoj të punoj në mënyrë që ndoshta si trajner t’i mbushim ata rrathët olimpikë me medalje për Kosovën”, deklaroi trajneri pejan.

Kuka thekson se formula e suksesit është e qartë – punë serioze. Ai shtoi se në Kosovë ka nevojë për trajnerë cilësorë.

“Formula e suksesit është ta bëjmë punën seriozisht, t’i qasemi punës seriozisht. Në Kosovë ka nevojë për trajnerë. Në Kosovë ka nevojë të bëhen investime në trajnerë. Federatat e Kosovës në përgjithësi si duket këtë punën e trajnerëve pak e kanë neglizhuar e tash prej pozicionit tim e kam më të lehtë të flas se duhet të kemi më shumë investime në kuadro të trajnerëve sportivë. Trajnerët e ndërtojnë ekipin, trajnerët e ndërtojnë garuesin dhe janë çelësi më i rëndësishëm i suksesit dhe rrugëtimit drejt medaljeve të mëdha. Kështu, formulë nuk ka, formula e gjithë kësaj është puna. Ne e kemi ndërtuar një sistem, jemi një ekip kompakt, e ndihmojmë njëri-tjetrin dhe kjo na ka sjellë ku na ka sjellë. T’ia sjellim Kosovës tri medalje të arta olimpike nga një sport që pakkush e ka njohur, është diçka e madhe. Nuk e di a do të përsëritet ky sukses ndonjëherë. Shtetet e vogla si Kosova e kanë të vështirë ta përsërisin një sukses të tillë”, u shpreh Kuka.

Kuka është i gatshëm që eksperiencën e tij ta bartë te trajnerët e sporteve të tjera.

“Le ta gjejë shteti i Kosovës mënyrën, Komiteti Olimpik i Kosovës dhe federatat sportive dhe unë jam i gatshëm gjithmonë të jap eksperiencat e mia për trajnerët e sporteve të ndryshme me aq sa kam mundësi, sepse një pjesë e punës time është në atë pjesën e përgjithshme dhe në atë pjesë mund të jap kontribut për t’u ndihmuar shumë. Derisa nuk vijmë tek ato specifikat që janë të veçanta për secilin sport, aty normalisht atë pjesë duhet ta zhvillojnë trajnerët në sporte të ndryshme”, shtoi ai.

Një fakt që e ka entuziazmuar shumë Kukën është se dy medalje të arta olimpike i kanë fituar në tokën japoneze.

“Ka qenë një mrekulli sepse Japonia i ka fituar nëntë medalje të arta, Kosova dy dhe tri shtete të tjera nga një medalje. Pra, 14 medalje të arta janë ndarë në këtë formë. Të them të drejtën, kur jam nisur kam besuar që do të fitojmë medalje, sepse prej pesë sportistëve, secili prej tyre ka pasur potencial për të fituar medalje, por që do të vijnë dy të arta, këtë nuk e kam pritur as vetë”, u shpreh Kuka, që shquhet për qasje jo shumë të zakontë.

“Unë jam ithtar i një mënyre të jetës, të punës, pak më ndryshe, sepse e kam konsideruar që rrjetet sociale marrin shumë kohë, pastaj komentet dinë me qenë të mira dhe të këqija dhe ato mund të paraqesin turbulenca në atë rrugëtimin tonë drejt të arriturave. Kjo është mënyra se si i jam qasur këtij problemi. Ndoshta në të ardhmen nuk ka me qenë e lehtë, sepse gjeneratat e reja janë shumë më shumë të lidhura me rrjetet sociale dhe është më e vështirë, por ndoshta do të provojmë ta gjejmë një mes të artë për të ardhmen, sepse nuk do të jetë lehtë. Kjo është mënyra qysh unë e kam menduar dhe ka rezultuar me suksese të jashtëzakonshme, kështu që nuk mund të thuash se nuk është diçka e mirë për një sportist kulminant.

Driton Kuka e pranon se medalja e parë e fituar në Rio do të mbetet më e veçanta në karrierën e tij.

“Medalja në Rio ka qenë diçka e veçantë, sepse është e para, pastaj hera e parë që Kosova merrte pjesë në Lojërat Olimpike dhe e ka ngritur Kosovën aq lart në çdo aspekt saqë as vetë nuk kam ditur se si të sillem. Tash janë dy medalje të arta olimpike dhe këto medalje i përkasin më shumë asaj kënaqësisë sportive. Kurse medalja e Majlindës ka qenë më ndryshe, ajo e ka çuar peshë krejt botën, të gjitha mediat botërore i kanë dhënë rëndësi të madhe. Edhe tash, por e para është gjithmonë e veçantë. Ajo ka qenë çelësi që medaljen e Majlindës ta fitojnë edhe shoqet e saj të ekipit”, tha Kuka.

Trajneri 49-vjeçar flet edhe për Majlinda Kelmendin. Pas pensionimit të legjendës së xhudos kosovare, e pranon se ka qarë.

“Ndjenjat që Majlinda nuk do të garojë më janë shumë të fuqishme. Ajo është edhe më e fuqishme sesa performanca ose humbja e Majlindës në gara, se nuk isha mërzitë fort, sepse në sport ka humbje dhe fitore dhe kjo e bën sportin interesant. Fakti që ajo nuk do të garojë më, më ka bërë pak më të ndjeshëm. Nuk e di, ndjenjë e çuditshme kur një sportist që t'i ka përmbushur të gjitha ëndrrat si trajner, të gjitha medaljet i ka mbërri dhe vjen momenti kur ajo nuk do të garojë më, nuk është lehtë. Kështu që ende jam duke u ballafaquar me këtë ndjenjë. Patjetër që kam qarë. Në Tokio kemi qarë së bashku për rezultatin e Distrias, kurse të nesërmen për Majlindën. Kam pasur ndjenja të përziera, jo që ajo ka humbur, por që nuk do të garojë më. Krejt ditën kam qenë në gjendje jo të mirë emocionale. Patjetër që aty ka pasur edhe lot. Ndjenja të çuditshme. Këtë e kam përjetuar për herë të parë”, tregon Kuka.

Në fund, Kuka zbulon edhe një fakt, pas humbjes së Majlinda Kelmendit në “Tokio 2020”.

“Kam biseduar me Majlindën dhe kur kemi biseduar në ato momente pas garës, i thashë që nëse po mërzitesh kaq shumë, vazhdo garo, qe ku e kemi Parisin edhe tre vjet. Normalisht, m’i ka hapë sytë, aso shikimi në formë të pyetjes. Por, unë po mendoj që Majlinda i ka dhënë krejt çka mundet vendit tonë, mua si trajner, familjes së saj, të gjithë shqiptarëve kudo që janë. Kështu që do të ishte jo gjë e mirë që unë t’i them apo ajo të mendoj që ajo të vazhdojë tutje, sepse nuk ka çka me dëshmu më. Ndoshta ato ndjenjat do të shkojnë duke u qetësuar dhe i kam thënë që do të kesh ndjenja të njëjta kur të fillosh të ndërtosh sportistë, siç i kam ndërtuar unë Majlindën dhe sportistët e tjerë”, përfundoi Kuka.

Driton Kuka ka arritur të fitojë tri medalje të arta olimpike në dy pjesëmarrje në Lojërat Olimpike. Në Rio kishte fituar të artën me Majlinda Kelmendin, kurse në Tokio mori dy të arta me Distria Krasniqin dhe Nora Gjakovën.

Bazuar në rezultate, vlerësohet trajneri më i suksesshëm shqiptar, por edhe prej më të mirëve në botë në sportin e xhudos.