Maratona e atletëve dhe finalet në disa sporte të ndryshme i kanë lënë vend ceremonisë mbyllëse të Lojërave më të veçanta Olimpike deri më tani. Në Stadiumin Olimpik në Tokio, të dielën, është mbajtur ceremonia mbyllëse, ku janë gërshetuar elemente të ndryshme tradicionale e moderne, sidomos të vendit nikoqir.
Ceremonia është vlerësuar e bukur, ndërsa përmes saj e drejta e organizimit të Lojërave të ardhshme Olimpike është bartur te Parisi, kryeqendra e Francës.
Shpresat janë që situata për Lojërat e vitit 2024 do të jetë shumë më e volitshme se për Lojërat e Tokios.
“Tokio 2020”, si e tregon emri, është dashur të mbahen vitin e kaluar. Por për shkak të pandemisë janë shtyrë për këtë vit. Ka pasur shumë hezitim te një pjesë e japonezëve për mbajtjen e tyre, duke vlerësuar se qeveria po i kushton më shumë rëndësi ngjarjes globale se shëndetit të tyre.
Organizatorët megjithatë vendosën të organizojnë ngjarjen dhe ai ishte tregim suksesi. Nuk kanë munguar emocionet sportive. Janë vendosur rekorde, kanë dalë emra të rinj e janë konfirmuar shumë emra të tjerë. Shumë sportistë kanë zgjedhur skenën e madhe për ta shpallur pensionimin e shumë të tjerë janë motivuar për të punuar më shumë për suksesin.
Si zakonisht, janë aktualizuar çështje të ndryshme. Ka dominuar ajo për shëndetin mental të sportistëve. Mungesa e tifozëve ishte “hendikepi” më i madh, ndërsa edhe temperatura e lartë është vlerësuar pengesë.
Por, prapë, paraqitja e sportistëve ishte superiore, ndërsa edhe organizimi pa të meta. Kanë marrë vlerësime mbi 70 mijë vullnetarë japonezë, që i kanë përshëndetur të gjithë me buzëqeshje dhe i kanë bërë gjërat dukshëm më të lehta për të gjithë pjesëmarrësit.
Në mesin e mbi 11 mijë sportistëve, ishin edhe 11 sportistë të Kosovës. Dhe Kosova u kthye me dy medalje të arta. Tokio 2020 ishte prej tregimeve më të suksesshme sportive për Kosovën dhe rrjedhimisht Kosova ka hisenë e saj në Lojërat më të veçanta Olimpike deri më tani.
Janë Distria Krasniqi e Nora Gjakova që kanë fituar medalje të arta për Kosovën në xhudo dhe i kanë mundësuar vendit pozitën e 42-të në listën e shteteve më të suksesshme.
Më e suksesshmja në “Tokio 2020” është SHBA-ja me 39 medalje të arta dhe 113 medalje gjithsej. I ka edhe 41 të argjendta e 33 të bronzta. Kina, që ka udhëhequr deri vonë, e mbyll Olimpiadën me 38 medalje të arta, 32 të argjendta e 18 të bronzta. Pra, me 88 gjithsej. Japonia është e treta me 27 medalje të arta dhe 58 gjithsej. Britania e Madhe i ka 65 medalje gjithsej, por prej tyre 22 të arta. Ranglista formohet në bazë të medaljeve të arta dhe për këtë arsye Japonia qëndron më lart. Madje, Komiteti Olimpik i Rusisë ka plot 71 medalje, por vetëm 20 të arta dhe renditet pas Japonisë dhe Britanisë së Madhe.
Falë vlerës së madhe të medaljes së artë, të pakrahasueshme me medaljet e argjendta dhe të bronzta, Kosova lë prapa në listë shumë vende që kanë fituar shumë më tepër medalje. Për shembull, Ukraina renditet e 44-ta, ndërsa i ka 19 medalje gjithsej. Por, ka vetëm një të artë, gjashtë të argjendta e 12 të bronzta. Bjellorusia i ka shtatë medalje – një të artë, tri të argjendta e tri të bronzta. Renditet e 45-ta. Vende me sport shumë të zhvilluar janë prapa Kosovës në listë, si Rumania, Sllovakia, Afrika e Jugut, Austria, Egjipti, Portugalia, Argjentina, Meksiko, Finlanda e shumë të tjera. Prapa Kosovës është edhe India me mbi një miliard banorë.
Gjithsej 93 vende kanë fituar medalje në “Tokio 2020”. Vendin e 86-të me nga një medalje të bronztë e ndajnë tetë shtete.
Gjithsej kanë marrë pjesë në Lojërat e Tokios 206 vende. Pra, më shumë se gjysma e tyre nuk kanë fituar medalje.
Prej vendeve të regjionit, më lart se Kosova janë Kroacia, Serbia e Sllovenia. Shqipëria, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina nuk kanë fituar fare medalje. Maqedonia e Veriut mund të krenohet me një të argjendtë në taekwondo.
Shumë më tepër arsye për krenari ka Kosova. Ndonëse me një ekip të vogël të trajnerit Driton Kuka, Kosova tashmë ka tri medalje të arta olimpike në xhudo. Dhe për një shtet të vogël si Kosova kjo vlerësohet e arritur e madhe.
Natyrisht kjo mundëson që prapa suksesit të fshihen shumë dështime e mossuksese të komunitetit sportiv në vend. Por kjo është pjesë e çmimit që paguhet për suksesin e ekipit të vogël me të arritura të jashtëzakonshme.
Falë suksesit të xhudisteve në Tokio është ngritur lart flamuri i Kosovës, ndërsa është intonuar edhe himni i Kosovës në dy raste.
Flamuri ishte edhe në ceremoninë hapëse dhe atë mbyllëse. Derisa në ceremoninë hapëse e mbajtën Majlinda Kelmendi e Akil Gjakova, në ceremoninë mbyllëse e mbajti mundësi Egzon Shala.
Ceremonia mbyllëse ka përmbledhur një ngjarje sfiduese por megjithatë të suksesshme. Është vlerësuar se Lojërat e Tokios i kanë shërbyer shumë botës në një moment të vështirë.
“Për herë të parë qëkur pandemia ka filluar, e tërë bota është bashkuar”, ka thënë presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach. “Sporti është kthyer në skenën kryesore. Miliarda njerëz përreth botës janë bashkuar në emocione, duke ndarë momente të kënaqësisë dhe inspirimit. Kjo na ka dhënë shpresë. Na ka dhënë besim në të ardhmen”, ka shtuar Bach.
Ai kishte dorëzuar medaljen për Nora Gjakovën dhe natyrisht ka përmendur sportistët në ceremoni.
“Përgjatë 16 ditëve ju na keni mahnitur me të arriturat sportive. Me shkëlqimin tuaj, me gëzimin, lotët, ju keni krijuar magji nga këto lojëra. Ju ishin të shpejtë, ju shkuat më lart, ju ishit më të fortë. Kjo pasi qëndruam të bashkuar për solidaritet dhe paqe. Ju na keni inspiruar me forcën unifikuese të sportit. Kjo bëhet edhe më e vlefshme, marrë për bazë sfidat që i kemi pasur për shkak të pandemisë”, ka shtuar Bach.
Ai më pas ka shpallur lojërat të mbyllura, ndërsa flamuri olimpik ka kaluar te Parisi, që organizon ngjarjen në vitin 2024.
“Arigato” (faleminderit) ishte mesazhi i fundit i shfaqur në stadium.
Faleminderit Japonisë për lojërat sfiduese dhe të shkëlqyeshme. Faleminderit Norës, Distrisë dhe Dritonit që Kosovën e bënë pjesë të rëndësishme të tyre.
Shihemi në Paris në vitin 2024.