Tokio, 27 korrik – Kampionia e sapokurorëzuar olimpike, Nora Gjakova, përcolli nga afër luftërat e bllokut të paradites, të martën. Në krahun e djathtë e kishte Loriana Kukën. Pranë Lorianës ishte Akil Gjakova e pranë Akilit kryemjeshtri Driton Kuka.
Organizatorët e garave të xhudos, që janë të njëjtit, janë mësuar me një pamje të tillë. Një grup i vogël sportistësh e drejtuesish nga Kosova. I vogël për nga numri natyrisht. Shumë i madh për nga vepra.
Pas ditës së tretë të garave në Lojërat Olimpike, Kosova ishte e teta në listën e medaljeve. Vetëm superfuqitë e sportit, Japonia, SHBA-ja, Kina, Rusia (që paraqitet si Komiteti Olimpik i Rusisë), Britania e Madhe, Australia e Koreja ishin para Kosovës. Në xhudo, pas tri ditë garash, Japonia i kishte katër të arta, Kosova dy. Të gjitha shtetet e tjera së bashku: asnjë.
Dhe këtë e bën të mundur ky grup i vogël njerëzish.
Është grup i vogël që po e bën krenarë të gjithë vendin me të arriturat sportive. Kryesori është trajneri Driton Kuka, që mban të gjithë afër tij. Ai përkrahet nga vëllai Agron Kuka, kryetar i Federatës së Xhudos së Kosovës. Janë aty kampionet olimpike, Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi. Është kampioni evropian dhe i shtati në Lojërat Olimpike, Akil Gjakova. Është Loriana Kuka, fituese e medaljeve botërore e evropiane. Është edhe Flaka Loxha, xhudistja që po vjen.
I pari i Federatës, Agron Kuka, ka qëndruar në tribunë i shoqëruar me një pjesë të këtyre xhudistëve. Varësisht kush ka garuar dhe kush ka pasur garë të nesërmen. Ata që kanë garuar kanë qëndruar pak në tribunë. Edhe ata që kanë pasur garë të nesërmen, për të pushuar. Flaka nuk garon në Tokio, por është përfshirë në ekip si partnere e sparingut. Kontribuon mjaft. Në tribunë të arenës Nippon Budokan, grupit të vogël i është bashkuar vetëm edhe fizioterapeuti Fatlind Maraj, që duket i afërt me xhudistët dhe dy drejtuesit e tij. Jo të tjerë.
Në arenë vazhdimisht janë edhe shumë drejtues të KOK-ut dhe zëvendësministrja për Kulturë, Rini e Sport, Daulina Osmani. Vijnë herë pas here edhe drejtues të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar. Por xhudistët nuk përzihen shumë me ta. Pasi Nora fitoi të artën olimpike në kategorinë deri 57 kilogramë, të hënën, drejtuesit e KOK-ut, të MKRS-së, por edhe i pari i KOKSH-it u afruan te xhudistët për t’i uruar dhe natyrisht për të bërë shumë e shumë fotografi.
Trajneri Kuka poston fotografi vetëm me grupin e tij, me xhudistët dhe vëllain Agronin. Grupi vlerësohet shumë i rëndësishëm për të gjithë pjesëtarët e tij. I besojnë njëri-tjetrit, flasin lirshëm. Çka është më e rëndësishmja që mund të analizojnë secilën luftë e secilin detaj që ndodh në tatami.
“Hajde Tinaa” është dëgjuar disa herë nga grupi i vogël i xhudistëve kosovar të martën paradite në Nippon Budokan. Ishte përkrahje për sllovenen Tina Trstenjak, që po garonte në kategorinë deri 66 kilogramë. Lidhjen më të fortë xhudistët kosovarë e kanë me sllovenet. Shkojnë shpesh për përgatitje në Slloveni. Madje ushtrimet bazike për lojërat olimpike “Tokio 2020” i kanë kryer në Rogla të Sllovenisë. Me Trstenjakun dhe të tjerat. Edhe sllovenet kanë nisur të vijnë në Kosovë. Trajneri Kuka ka raporte të shkëlqyeshme me trajnerin slloven, Marjan Fabjan. E konsideron mentor të fillimkarrierës si trajner. Kuka e ka kaluar me suksese dhe këtë e ka pranuar edhe Fabjani. Por respekti i ndërsjellë është maksimal. Dhe përkrahja për Trstenjakun, sidomos nga trajneri Kuka, është përkrahje më shumë për Fabjanin.
Kuka është në kulm të karrierës si trajner. Dy medaljet e arta në Tokio 2020, e Norës dhe e Distria Krasniqit, të shtunën në kategorinë deri 48 kilogramë, e kanë konfirmuar nivelin superior të tij. Pa asnjë dyshim është prej më të mirëve në botë aktualisht, sa i takon xhudos. E urojnë herë pas here për suksesin. Një trajner i Britanisë e bëri këtë, ndër të tjera, të martën. Nuk është praktikë të urohen trajnerët e tjerë gjatë garës, por ka përjashtime.
Pasi Nora shpërtheu në kategorinë deri 57 kilogramë dhe fitoi të artën olimpike, trajneri Kuka ftoi për fotografi edhe Majlinda Kelmendin, Distrinë, Akilin, Agron Kukën dhe Flaka Loxhën. Loriana nuk ishte në palestër. Pra mblodhi meritorët.
Pas medaljes së artë të Distrisë, postoi fotografi me të, Agron Kukën dhe Akil Gjakovën.
I përmbahet këtij grupi. Dhe kjo po del formulë e suksesshme. Rezultatet e dëshmojnë këtë. Në një sport olimpik, që aktualisht vlerësohet prej kryesorëve sa u takon disiplinave luftarake. Në të vërtetë xhudistët dhe trajnerët e kanë të ndarë në tribunë vendin prej pjesës tjetër të zyrtarëve e drejtuesve.
Xhudistet kishin udhëtuar një javë para fillimit të Lojërave për në Japoni. Me ta ishte vetëm trajneri Kuka. Ndërkohë para së të fillojë Olimpiada, u bashkua edhe i pari i Federatës.
Ishte dukshëm më e relaksuar atmosfera të martën paradite. Ka pasur shumë zhvillime në 24 orët e fundit. Nora Gjakova është bërë kampione olimpike, Majlinda Kelmendi, përmes KOHËS, ka njoftuar se zyrtarisht i jep fund karrierës si xhudiste. Dhe ajo do të qëndrojë në ekip si trajnere, duke qenë krahu i djathtë i Toni Kukës.
“Në drekë, para luftës së Norës, kam qenë shumë i relaksuar. Si asnjëherë më parë para luftërave finale. Po besoj që ka pasur ndikim biseda që kam pasur me Majlindën. Për xhudon natyrisht, për luftën e madhe të Norës me japonezen. Më ka ndihmuar shumë psiqikisht që idetë që i kisha për luftën i përkrahte edhe Majlinda. E ndieja një lehtësim”, tregon Kuka.
Është shenjë e fillimit të një bashkëpunimi të ri, që në fakt ka qenë shumë i fortë edhe deri më tash, por në një formë pak më ndryshe.
Në disponim të mirë, Kuka bën pak shaka me kampionen olimpike, Norën. E ngacmon për deklarata të mëhershme. Suksesi i tyre i përbashkët e lejon këtë. Kanë prekur kulmin. Kanë fituar medaljen më të madhe që mund të fitohet në sport.
Ai është shumë i kënaqur edhe me paraqitjen e Akil Gjakovës, që përfundoi i shtati, po të hënën.
“Akili mbeti pa medalje, iu afrua shumë asaj, por pati paraqitje shumë të mirë. Kategoria e tij është e jashtëzakonshme. I janë dashur tri fitore për të arritur në zonën e medaljeve. Më pas erdhën dy humbje, por paraqitjet ishin të barabarta. Ai ka potencial, e ka dëshmuar këtë edhe këtu”, thotë Kuka.
Për paraqitjen në Tokio të Distrisë, Norës e Akilit, Kuka flet me krenari. Për Majlindën ka folur e ka shkruar me shumë emocion. “Krenarinë e veprimtarisë së tij”, Toni Kuka e ka falënderuar publikisht.
Ka shkruar me shumë emocione për Majlindën, kampione olimpike nga “Rio 2016”, dy herë kampione e botës dhe katër herë kampione e Evropës.
Edhe Majlinda kishte ardhur për medalje në Tokio. Por u ndal befasisht në luftën e parë, të dielën. Pas humbjes së Majlindës askush nga xhudistët nuk ka folur. Grupi është izoluar në fshatin olimpik dhe kështu e ka kaluar momentin e vështirë. Por pas suksesit të arritur të hënën, është kthyer fryma pozitive. Janë kthyer disponimi e buzëqeshja. Edhe te Majlinda, që ka përkrahur zëshëm Norën e Akilin.
Situata e relaksuar nuk zgjat shumë. Garën nuk e ka përfunduar ende Loriana Kuka, mbesa e Dritonit dhe Agronit. Ajo kishte lënë jetën në Zvicër për karrierë në Kosovë. Për të mësuar nga mjeshtri dhe axha i saj. Loriana garon të enjten në kategorinë deri 78 kilogramë.
“Ka potencial për medalje. Është në nivel me garueset e tjera. Por të shohim”, thotë Kuka.
Përgatitjen e garës për Lorianën e diskuton me grupin e vogël. Të vogël sa i takon numrit. Madhështor sa i takon veprës.
