Tokio 2020

Gjashtë notarë polakë kthehen në shtëpi nga Tokio pas gabimit të administratorit

Gjashtë notarëve polakë u është dashur të kthehen në shtëpi nga Lojërat Olimpike të Tokios për shkak të një gabimi administrativ nga Federata e Notit të Polonisë (PZP).

“Unë do të doja të shprehja keqardhjen, trishtimin dhe hidhërimin tim të madh për situatën”, tha kryetari i federatës polake, Pawel Slominski.

Ai tha se gabimi ishte për shkak të “dëshirës për të lejuar sa më shumë lojtarë dhe trajnerë që të ishte e mundur të merrnin pjesë në Lojërat Olimpike”.

Alicja Tchorz, Aleksandra Polanska, Mateusz Chowaniec, Dominika Kossakowska, Jan Holub dhe Bartosz Piszczorowicz, të cilët u detyruan të ktheheshin nga Tokio, bënë thirrje që i gjithë bordi i organizatës të jepte dorëheqjen menjëherë lidhur me incidentin në një letër të hapur drejtuar presidentit të PZP-së, Slominskit. Letra e hapur u nënshkrua nga 16 notarë të tjerë polakë dhe akuzoi PZP-në, se nuk i kuptonte rregulloret e Federatës Ndërkombëtare të Notit (FINA).

“Incidentet e fundit kanë shkatërruar besimin”, thanë notarët polakë, të cilët u kthyen në shtëpi, në letrën e hapur. “Disa prej nesh duhej të ktheheshin në Poloni për shkak të neglizhencës, dhe ëndrra jonë për të garuar në Lojërat Olimpike na u mohua”.

Polonia kishte dërguar 23 notarë në Japoni, por ky numër u shkurtua në 17 pas incidentit që ndodhi.

“Veprimet e federatës çuan në një ngjarje të pashembullt në historinë e sportit polak. Për më tepër, noti polak - si në sytë e publikut ashtu edhe te sponsorët e mundshëm - është ekspozuar si një tallje dhe ai do të ketë një efekt në të gjithë konkurrentët që garojnë me ngjyrat e bardha dhe të kuqe në baza ditore”, shton letra.

Ministria e Kulturës dhe Sporteve e Polonisë i kërkoi presidentit të PZP-së, që “të paraqesë menjëherë shpjegime” mbi incidentin, sipas një deklarate të lëshuar nga organi qeveritar. Ministria do ta analizojë këtë situatë dhe pasojat po vijnë pas Lojërave Olimpike, thuhej në deklaratë.