Tokio 2020

E arta olimpike po i duket ende ëndërr Nora Gjakovës

Është fituese e medaljes së artë olimpike në kategorinë deri në 57 kilogramë në xhudo. Edhe pse kanë kaluar dy javë nga ky sukses historik, Nora Gjakova ende nuk po mund të besojë që është kampione olimpike, pavarësisht që po i shikon meçet e saj.

“Po ndihem shumë mirë. Është kënaqësi kur të tjerët të respektojnë dhe e dinë vlerën e një medaljeje olimpike. Nuk ka qenë punë e lehtë të mbërrijmë deri te kjo medalje, andaj çdo lloj respekti, është vlerësim i madh për ne. Zakonisht nuk është që i shikoj shumë ndeshjet pas garave, por këto të Olimpiadës i kam shikuar me kënaqësi tepër të madhe. Nuk e di, tash po më duket se gjithçka ka shkuar shumë mirë dhe sa herë e shoh ndeshjen emocionohem shumë edhe ende nuk e kam atë ndjenjën, nuk po mund të besoj që jam kampione olimpike. Është një rrugëtim i gjatë dhe të mendoj që e kam arritur atë për të cilën kam punuar pothuajse tërë jetën për këtë moment, atëherë është vështirë të besohet, sepse ka qenë shumë e mundimshme të vijmë deri këtu. Por kam filluar ta kuptoj se ka qenë e shkruar dhe po mundohem ta shijoj sa më shumë”, deklaroi Gjakova për KOHËN.

Ajo zbulon edhe urimet më të mira që ka marrë pas suksesit të madh që ka arritur.

“Urimet më të mira kanë qenë nga sportistët e mëdhenj që i kam shkuar me admirim. Ka qenë ndjenjë e mirë kur ata ma kanë uruar fitoren, pra kampionë të mëparshëm olimpikë. Ato kanë qenë urimet më të mira, por ka pasur edhe shumë urime të tjera".

"Fitorja e Disit, jo vetëm që më ka motivuar, por edhe më ka relaksuar, sepse tash si ekip tashmë e kemi një medalje. Ajo ka qenë shumë e rëndësishme, sepse ne gjatë gjithë kohës kemi punuar si ekip”, u shpreh tutje Nora.

Gjakova beson fuqishëm se medalja e artë olimpike ka ardhur edhe si rezultat i humbjeve që ka pësuar në karrierë.

“Tash kur po e shikoj prapa, më të vërtetë ka qenë shumë e vështirë. Nuk ka pasur momente kur kam thënë që dua ta lë sportin, sepse kjo ka qenë prej pikave të mia të forta. Unë nuk i jam frikësuar asnjëherë humbjes. Unë besoj fuqishëm se kjo medalje më shumë është si rezultat i humbjeve që i kam pësuar, sepse gjithmonë jam munduar me marrë mësim dhe me i marrë si diçka pozitive dhe si eksperiencë dhe kjo më ka ndihmuar shumë me u ngritë si sportiste dhe sot me e shiju këtë fitore”, tha Gjakova.

28-vjeçarja tregon për vështirësitë nëpër të cilat ka kaluar ajo edhe shokët e ekipit. Shton se po t’i shikonin kushtet jo të mira për punë, nuk do të arrinin deri këtu.

“Ndoshta me u ndalë dhe me i shiku kushtet në të cilat kemi punuar, ndoshta nuk do të kishim vazhduar dhe ëndërruar kaq lart. Janë këto gjëra të thjeshta që na kanë bërë sportiste të këtij niveli. Edhe vetë trajneri nuk na ka lënë me u anku, na ka thënë që këto janë mundësitë, këtu punoni dhe e kemi shfrytëzuar në mënyrën më të mirë”, theksoi Gjakova.

Xhudistja nga Peja mori vlerësime të larta nga gjyqtarët për veprimin sportiv që bëri në finale ndaj francezes Sarah Leonie Cysique.

“Ka qenë diçka që ka ndodhur automatikisht. Unë kam mundur të vazhdoj edhe me marrë poenë, minimum vazari. Ajo ka shkuar me qafë dhe nëse i kish prekë krahu në tatami atëherë do të kishte qenë poen për mua. Kështu unë jam larguar, sepse e kam pa që ka shkuar shumë keq dhe nëse e do ta kisha shtyrë, atëherë ajo ka mundur të lëndohet keq, e ndoshta të mbetet edhe invalid. Unë nuk e kam pritur falënderimin e gjyqtarëve, pasi ajo që ndodhi nuk e kam menduar, por ka qenë diçka që vetë instinktivisht kam vepruar, kështu që më erdh shumë mirë që edhe gjyqtarët e kanë vlerësuar në atë mënyrë. Ajo është një sjellje sportive që kisha pasë dëshirë që edhe të tjerët ta bëjnë ndaj meje, e jo vetëm unë ndaj tyre”, shtoi Gjakova.

Për dallim prej Distria Krasniqit, Nora Gjakova deklaron se ka hapur rrjetin social Twitter, por që nuk është shumë aktive. Por nuk ka profile në “facebook” e “instagram”.

“Nuk kam Facebook e as Instagram. Tash e kam hapur një Twitter, por nuk jam shumë aktive. Besoj që qëndrimi larg rrjeteve sociale ka qenë pozitiv për të arritur suksese në karrierën time”.

Gjakova thekson se do të vazhdojë me xhudo dhe paralajmëron se do ta ndërrojë kategorinë.

“Unë po mendoj të vazhdoj prapë, ndoshta do ta ndërroj kategorinë, ndoshta shkoj një kategori më lart. Në këto vite kam pasur problem në kategorinë 57 kg, edhe pse jam e gatshme që nëse nuk shkon mirë do të vazhdojë në kategorinë e njëjtë. Besoj që deri te kualifikimet olimpike, do ta ndërroj kategorinë”, deklaroi Gjakova.

Garat në të njëjtën ditë dhe kohë për Norën dhe vëllanë e saj, Akil Gjakovën, nuk kanë qenë diçka e re, pasi u ka ndodhur edhe më herët. Ajo thotë se mendjen e kanë pasur te njëri-tjetri gjatë gjithë kohës.

“Në njëfarë forme kam qenë e gatshme, sepse na ka rënë edhe disa herë në Kampionat Botëror, pasi unë edhe Akili i kemi kategoritë si mesatare e na bie gjithmonë bashkë të garojmë. E kam ditë që do ta kem një ditë të tillë me emocione, jo vetëm për vete, por edhe për Akilin. Tërë dita na ka shkuar duke menduar për njëri-tjetrin. Shpesh ka ndodhur që unë kam qenë duke garuar, kurse Akili duke u përgatitur. Kur ka garuar ai i pari, unë nuk kam mundur të fokusohem derisa Akili nuk e ka përfunduar garën”, u shpreh Gjakova.

Gjakova vlerëson lart të arriturat e Majlinda Kelmendit.

"Majlinda është njëra prej faktorëve që edhe ne e kemi fituar medaljen e artë. Ndoshta ne nuk do ta kishim pasë guximin që e ka pasur ajo të shkojë kaq lart. Në njëfarë forme ajo na ka hapur rrugën dhe ne e kemi përcjellë atë që e ka bërë ajo. Majlinda duhet të jetë krenare që na ka inspiruar në këtë formë. Pas fitores në Rio tani erdhën dy medalje të tjera dhe këto janë si rezultat i fitoreve të saj”, përfundoi Gjakova.

Nora Gjakova i ka fituar të gjitha medaljet në garat e mëdha të xhudos. Në Tokio, ishte hera e dytë që u paraqit në Olimpiadë.