Kampionia olimpike në kategorinë deri në 48 kilogramë në xhudo, Distria Krasniqi, e realizoi ëndrrën e saj në Tokio 2020, lojëra që u mbyllën të dielën.
Distria kishte fituar të artën në ditën e parë të garave, por aromën e suksesit e kishte nuhatur që në Rio të Brazilit, ku Majlinda Kelmendi e kishte fituar medaljen e artë.
Në Rio në vitin 2016, Distria ishte sparing-partnere.
Krasniqi po ndihet më e lehtësuar pas suksesit të jashtëzakonshëm që e arriti në Tokio. Ajo thotë se i përmbushi pritshmëritë e njerëzve të vendit të saj.
“Tash po ndihem shumë mirë dhe duke kaluar ditët po e ndiej më shumë shijen e fitores. Në ato ditët e para kemi qenë të gjithë të lumtur, por edhe konfuzë, sepse ka qenë një ngjarje shumë e madhe. Kur të bëhet ëndrra realitet, ndihesh shumë mirë, ndihesh shumë e lumtur. Kur po e shoh që të gjithë qytetarët e Kosovës i kam bërë të ndihen krenarë, kjo është ndjenja më e mirë që mund të përjetosh. Më vjen shumë mirë që e gjithë Kosova ka pritur prej meje dhe kam arritur që pritshmëritë e tyre t'i realizoj. Të gjithë më kanë thënë që ‘të kemi thënë që ki me qenë e para dhe kemi besuar në ty’. Këto kanë qenë urimet më të mira”, deklaroi Krasniqi për KOHËN.
25-vjeçarja nga Peja pohon se nga stërvitjet e rënda kishte menduar që të largohej nga sporti i xhudos. Thekson se ato mendime i ka pasur vetëm kur ka qenë shumë e lodhur.
“Ka qenë një rrugë shumë e gjatë. Unë merrem me xhudo qe gati 19 vjet dhe kjo ka qenë ëndrra ime. Sidomos pasi Majlinda ka pasur shumë suksese dhe ka fituar në Olimpiadë dhe kjo ka qenë ëndrra ime që edhe unë ta përsëris. Ka qenë rrugë shumë e gjatë, kam pasur shumë sfida, shumë sakrifica, dhe mund të them që ka pasur shumë stërvitje të cilat kanë qenë shumë të lodhshme, shumë të mundimshme, dhe shumë herë jo vetëm mua por edhe krejt ekipit na ka shkuar mendja ta ndërpresim, por ato kanë qenë momente kur kemi qenë shumë të lodhur. Mundi na është shpaguar dhe ato kalojnë krejt”, theksoi ajo.
Krasniqi flet edhe për përvojën në Olimpiadën e Rios, që sipas saj ka ndikuar shumë në suksesin e arritur në Tokio.
“Më ka ndihmuar shumë eksperienca që e kam pasur në Rio, edhe pse nuk kam garuar, por kam qenë aty dhe e kam parë se si shkojnë gjërat, se si janë Lojërat Olimpike. Ndoshta nëse nuk do të isha në Rio, nuk do të vinte ky rezultat. Jam shumë mirënjohëse që kam qenë aty, edhe pse nuk isha si garuese. Ajo përvojë më ka ndihmuar shumë”, u shpreh Krasniqi.
Distria Krasniqi konfirmon se nuk ka rrjete sociale. Këtë fakt e vlerëson si shumë pozitiv në rrugën drejt medaljes olimpike, suksesit më të madh në sport.
“Nuk kam rrjete sociale, kurse së fundmi kanë hapur profile në Instagram në emër timin. Besoj që kjo ka qenë pozitive për mua që nuk kam rrjete sociale. Për shembull të merrem me shumë komente, edhe pse ato kanë qenë pozitive, atëherë na kishte humbur fokusi. Mua më ndihmon shumë që nuk kam rrjete sociale sepse fokusohem në punën time”, tha Krasniqi.
Për herë të parë Krasniqi tregon se si në Rio e kishte bartur në shpinë Majlinda Kelmendin shkallëve të hotelit, pasi lifti nuk punonte.
“Kemi qenë poshtë hotelit një natë para garës që e ka pasur Majlinda. Ka pasur probleme me lift, i cili ishte prishur dhe nuk punonte. Nëse Majlinda do të ecte në këmbë shkallëve për të shkuar lart, atëherë do të lodhej dhe do të kishte problem të nesërmen me mpirjen e këmbëve. Kështu që unë e kapa dhe e dërgova lart, e ndihmova pak, por nuk dua të flas më shumë për këtë pjesë, edhe pse edhe Majlinda e ka treguar këtë rast”, zbuloi ajo.
Xhudistja pejane e quan Majlinda Kelmendin heroinë dhe personin që ka gisht në sukseset e saj.
"Për ne të gjithëve, Majlinda Kelmendi është heroinë. Ajo e ka pasur më së vështiri, sepse është shumë vështirë ta hapësh rrugën. Për ne është shumë më e lehtë t’i ndjekim hapat e saj. Sado që kemi me mbërri ne rezultate, kurrë nuk kemi me u krahasu me Majlindën. Ajo është e para, Majlinda e ka bërë historinë për Kosovën dhe pa të ne nuk do të kishim mundur të arrijmë këtu ku jemi. Unë personalisht i jam shumë falënderuese sepse më ka ndihmuar shumë të ngrihem si sportiste".
Distria Krasniqi e fitoi medaljen e artë olimpike në paraqitjen e saj të parë në Olimpiadë. Ka të fituara medalje në Botëror, Evropian, Masters, turne Grand Slam e Grand Prix. Dhe mbi të gjitha ka medalje të artë olimpike. Medalje më të madhe në sport nuk ka.