Atletja holandeze Sifan Hassan ka njoftuar se do të bëjë një “sulm të guximshëm dhe historik” në tri gara të vrapimit – 1500 metra, 5000 metra dhe 10 mijë metra – në Lojërat Olimpike të Tokios. Dhe, në të tri garat, Hassan synon medalje të artë. Përpjekja e saj e trefishtë për të artën në Olimpiadë, do të përfshijë gjashtë gara të vështira në tetë ditë, duke përfshirë garën në vrapimin 1500 metra të hënën në mëngjes, e ndjekur nga finalja në 5000 metra në të njëjtën natë, në temperatura mbi 30 gradë Celsius dhe lagështi të lartë.
Mirëpo, Hassan, e cila fitoi të artën në 1500 metra dhe 10 mijë metra në Doha, në vitin 2019 dhe mbajti shkurtimisht rekordin botëror në 10 mijë metra në qershor, tha se me padurim po i pret të tri garat në Tokio, ku beson se do të jetë e suksesshme. Ajo shtoi se arsyeja që vendosi të garoj në këto disiplina për njëherë, ishte se dëshironte ta sfidonte veten në distancat e saj të preferuara.
“Për mua është vendimtare të ndjek zemrën time”, tha Hassan.
“Paraqitja në tri gara, është shumë më e rëndësishme sesa medaljet e arta. Po ashtu, besoj se sukseset nuk do të më mungojnë. Kjo më mban të motivuar dhe më bën të shijoj këtë sport të bukur”.
Hassan, të premten e fitoi baterinë e saj në 5000 metra në stadiumin olimpik për t’u kualifikuar për finalen e së hënës. Në fakt, Hassan është favorite për ta fituar të artën në vrapimin 5000 metra, por konsiderohet edhe si njëra prej pretendenteve për të triumfuar edhe në 1500 e dhjetë mijë metra. Përpjekja e saj e jashtëzakonshme ndjek edhe gjurmët e vrapuesit legjendar, finlandezit Pavel Nurmi, i cili shkroi historinë në Lojërat e Parisit në vitin 1924 duke fituar pesë medalje të arta në katër ditë.