Tokio 2020

Akili i kënaqur me paraqitjen në Tokio, synon medalje në Paris

Tokio, 27 korrik – Edhe një ditë pas përfundimit të garës së tij, xhudisti Akil Gjakova ka insistuar se është ndarë i kënaqur me paraqitjen e tij në Lojërat Olimpike të Tokios. Gjakova garoi të hënën në kategorinë deri 73 kilogramë dhe iu afrua medaljes, por nuk arriti ta siguronte. Akili u mposht në çerekfinale, ndërsa rastin nuk e shfrytëzoi as përmes repesazhit, ku u mposht nga xhudisti i Azerbajxhanit, Rustam Orujov. Për Akilin është Olimpiada e parë, ndërsa paraqitja e tij ishte me shumë dinjitet. Ai arriti tri fitore para se të pësonte dy humbje. Ka zënë vendin e shtatë. Në një intervistë për KOHËN, një ditë pas garës, Akil Gjakova ka thënë se ka mbetur i kënaqur me paraqitjen e tij në Tokio. Madje, ai ka paralajmëruar se paraqitja në Tokio e ka motivuar për ta synuar medaljen në Lojërat Olimpike të vitit 2024, që do të mbahen në Paris. Madje, Akili pranoi se i është gëzuar medaljes së motrës së tij, Nora Gjakova sikur ta kishte fituar vetë ai.

KOHA: Akil, e hëna ishte një ditë e madhe për familjen tuaj, por edhe ty personalisht, sa i je gëzuar suksesit të Norës?

Akil Gjakova: Është një sukses shumë i madh. Madje, si Nora ashtu edhe unë, ende nuk po mund të besojmë që ajo ka arritur të bëhet kampione olimpike. Për mua, medalja e artë e Norës do të thotë shumë. Nora iu ka përkushtuar sportit në mënyrën më të mirë të mundshme dhe në fund e gjithë ajo sakrificë iu shpërblye me medaljen e artë. Jam shumë i gëzuar për suksesin e saj.

KOHA: Përkrahja jote për Norën nuk mungoi, je treguar shumë emocional gjatë garave të saj?

Akil Gjakova: Për Norën gjithmonë jam i tillë, por të hënën isha pak më shumë, sepse ishin Lojërat Olimpike dhe doja ta përkrahja maksimalisht. Në duelin ndaj japonezes e përkraha më shumë, sepse Nora i kishte katër humbje ndaj saj dhe pritshmëritë nuk ishin shumë të mëdha për fitore. Për një moment, Nora arriti ta fitonte atë luftë pas gabimit të japonezes në gjysmëfinale. Pas asaj lufte të Norës, e kam pasur luftën time menjëherë dhe ndoshta jam emocionuar pak më shumë sesa që duhet. Mendoj se Nora e ka përmbushur edhe pjesën time që nuk munda të merrja medalje, po ndihem shumë mirë sikur të kisha fituar unë.

KOHA: Nuk sigurove medalje në Tokio, por kishe një paraqitje shumë të mirë?

Akil Gjakova: Tri fitore dhe dy humbje, për mua janë një paraqitje shumë e mirë, sidomos në Lojërat Olimpike ku garova për herën e parë. Për mua është mirë, jam mjaft i kënaqur edhe pse në Tokio kam ardhur për medalje, por më duhet të punoj dhe të përgatitem edhe më shumë për të ardhmen. Kjo paraqitje në Tokio, më mjafton për të më motivuar që të synoj medalje në lojërat e tjera olimpike.

KOHA: Dihet që kategoria jote është shumë e fortë, e nivelit më të lartë, sa ishte vështirë të arriheshin fitoret?

Akil Gjakova: Ka qenë presion më i madh për mua, sepse nuk isha bartës, pasi në Botëror nuk pata sukses shumë, ku pata një rënie prej tetëshes. Kështu që, në Tokio është dashur t’i fitoj tri meçe për të futur deri në tetëshe. Ka qenë një presion më i madh në përgjithësi. Lufta e parë nuk ishte e vështirë, por dy të tjerat ishin kundër garuesve shumë të fortë, të nivelit shumë të lartë. Në përgjithësi e kisha cilësuar si një ditë dhe rezultat shumë të mirë për mua në Lojërat Olimpike.

KOHA: A ishte një vit i suksesshëm për ty, pasi fitove titullin në Evropian?

Akil Gjakova: Titulli evropian dhe i shtati në Lojërat Olimpike, rezultat që deri më tash asnjë sportist në Kosovë nuk e ka arritur, mendoj se e bën këtë vit të suksesshëm për mua. Mirëpo, mendoj edhe më shumë, jam i uritur për rezultate dhe pres të vazhdoj të jem i suksesshëm edhe në garat e tjera.

KOHA: Je xhudisti më i suksesshëm në Kosovë, çfarë po iu mungon të tjerëve?

Akil Gjakova: Po mendoj se iu duhet më shumë punë, ndoshta edhe Toni pak më shumë është marrë me neve olimpistëve. Por, edhe ata janë në rrugë të mirë, sidomos Shpati edhe disa të tjerë. Besoj shumë tek ta dhe shumë shpejt do të na bashkohen Shpati e Arbëri, të cilët janë në rrugë shumë të mirë, ku do ta krijojmë një ekip të meshkujve që do të ketë suksese edhe më të mëdha në të ardhmen.

KOHA: Dihet që nuk është lehtë t’i përballosh stërvitjet e Tonit, a janë ato receta e suksesit?

Akil Gjakova: Sigurisht që janë receta e suksesit. Stërvitjet e trajnerit janë shumë të vështira, sepse Toni gjithmonë e kërkon maksimumin prej sportistëve të tij. Dhe për t’iu përmbajtur atyre, duhet të jesh shumë i fortë psikikisht dhe duhet të kesh karakter.