Tokio 2020

E arta e Distrisë ngre Kosovën në piedestalin sportiv

Ka pasur lot e shumë emocione. Ka pasur dramë dhe mosbesim. Lotët “buronin” nga zemra. Por ishin lot gëzimi. Lot krenarie.

Njërin prej momenteve më emocionale, jo vetëm sportive, për shtetin e Kosovës dhe qytetarët e saj e ka bërë të mundur të shtunën xhudistja Distria Krasniqi. Në skenën më të madhe sportive, në ditën e parë të Lojërave unike Olimpike që po mbahen në Tokio të Japonisë, Distria ka bërë të mundur që për Kosovën sërish të dëgjojë e gjithë bota.

Dhe kur bëhet fjalë për sportistët, përkatësisht për xhudistët kosovarë, bota flet vetëm për gjëra të mira, pas momenteve historike.

Kështu ndodhi në Rio në vitin 2016, kur Majlinda Kelmendi në debutim të Kosovës në ngjarjen më të madhe sportive fitoi medaljen e artë.

Kështu ndodhi edhe të shtunën në Nippon Budokan, arenën madhështore në Tokio, vendlindjen e xhudos.

Ashtu siç kishte paralajmëruar KOHA, ishte momenti që Distria Krasniqi të shpërblehet për mundin e sakrificën shumëvjeçare. Dhe të dëshmojë se sukseset e nxënësve të kryemjeshtrit Driton Kuka nuk janë të rastësishme dhe nuk janë periodike.

Distria ka dëshmuar se me punë të madhe e të pandalshme dhe me një trajner të denjë, edhe ëndrrat më të mëdha mund të bëhen realitet. Për sportistët nuk ka ëndërr më të madhe se të fitojnë medaljen e artë olimpike. Është kulmi për çdo sportist. Është kulmi në të cilin pas Majlindës ka arritur edhe Distria. Dhe ka shpresë se mund ta arrijë sërish Majlinda, por edhe Nora e Akil Gjakova dhe Loriana Kuka.

Piedestali olimpik bëhet edhe më i çmuar kur bëhet fjalë për Distrinë, 25-vjeçaren nga Peja. Suksesin e ka arritur në arenën që ishte ndërtuar pikërisht për xhudo, Nippon Budokan. Në finale e mposhti një xhudiste japoneze e po ashtu u bë e para që shpallet kampione olimpike në këtë arenë madhështore.

Nippon Budokan ishte ndërtuar për Lojërat Olimpike të vitit 1964, të parat në Japoni. Atëherë në xhudo kishin garuar vetëm djemtë.

Urimi i presidentes

Më ndryshe ishte të shtunën. Me plot krenari, por edhe me emocione të mëdha, Distria ka bërë xhiron e nderit në tatamin e Budokanit, pasi vuri në gjoks medaljen e artë që rëndonte shumë. Gjatë ceremonisë së medaljeve, që nuk ishte e zakontë për shkak të pandemisë, Distrinë e kanë tradhëtuar lotët. Është kthyer të paktën dy herë për ta përshëndetur trajnerin Kuka, ndërsa atë e ka falënderuar me dhjetëra herë gjatë pronocimeve të shumta pas suksesit.

“Po ndihem shumë mirë, shumë e lumtur. Jam e lehtësuar pasi një ëndërr që e kam pasur prej fëmijërisë e kam realizuar”, ka thënë Distria për KOHËN menjëherë pasi siguroi titullin olimpik.

Lotët në majën e podiumit e tradhtuan atë, por gjërat që kanë rëndësi për një sportist jo. Ajo ka shfaqur nivel superior në tatami. Në një ditë perfekte, pa u rrezikuar asnjëherë, ka arritur te titulli olimpik, te medalja e artë olimpike.

Image

Foto: AP

Si bartëse e parë ishte e lirë në raundin e parë. Bartëse e parë ishte për faktin se rezultatet e saj në tre vjetët e fundit ishin impresive. Gabriela Chiibana e Brazilit, Chen-Hao Lin e Taipeit Kinez, Urantsetsag Munkhbat e Mongolisë kanë rezistuar fare pak ndaj forcës e cilësisë së Disit, ashtu si e thërret shkurt trajneri Kuka dhe xhudistët e tjerë.

Finalja me japonezen Funa Tonaki ishte e fortë. E denjë për një finale olimpike. Në fazën finale të luftës Distria, megjithatë, realizoi hedhje. Dhe kontrolloi luftën deri në fund. U shpall fituese. U shpall kampione olimpike. Fituese e medaljes së artë olimpike.

“Jam ndier shumë mirë gjatë garës, ka qenë një performancë shumë e mirë e imja. I besoj shumë punës së trajnerit Driton Kuka dhe ka dalë ashtu si e kemi planifikuar”, ka theksuar Krasniqi, që ka edhe medalje botërore e titull evropian.

Pasi shfaqi emocione, Distria nisi festën. Natyrisht së bashku me trajnerin Kuka, arkitektin e kësaj përralle të bukur për Kosovën, që nuk duket se do të ketë fund. Në festë shpërthyen edhe shqiptarët e tjerë në arenën gjigante. E pranishme ishte edhe e para e vendit, Vjosa Osmani. Distria e ka mbajtur një takim me presidenten, gjatë të cilit është uruar për suksesin. Është uruar edhe nga i pari i KOK-ut, Ismet Krasniqi.

Buja ndërkombëtare

Urime të shumta kanë pasuar. Shkrime të mediave më të fuqishme ndërkombëtare dhe mirënjohje për trajnerin Kuka, nxënësit e tij dhe Federatën e Xhudos së Kosovës.

Ajo që pak ishte e besueshme u realizua sërish. Por nuk është e tëra. Trajneri Kuka ishte i interesuar të kthehej sa më shpejt në fshatin olimpik. E presin sfida të mëdha në ditët e ardhshme. Ai pranon se qëllimi është arritur, por nuk e ka në konsideratë të ndalet.

Është kjo qasja që i ka dërguar në superioritet të gjithë nxënësit e tij. Qasje që ofron momente krenarie si ai i së shtunës historike në Tokio.

“Shpresoj që Kosova nuk do të kthehet në shtëpi vetëm me medaljen time. I kemi 11 sportistë, pesë nga xhudo dhe jam shumë e sigurt se Kosova do të kthehet në shtëpi me një medalje tjetër nga xhudoja”, ka theksuar Krasniqi, duke u dhënë kurajë atyre me të cilët ushtron për kohë të gjatë.

Për KOHËN ka folur edhe trajneri Driton Kuka. Ai ka pranuar se ishte më i lehtësuar pasi u sigurua finalja dhe rrjedhimisht edhe medalja. Ka thënë se në dy minutat e parë të luftës finale ishte disi i “humbur”, njëjtë si Distria në tatami. Vetëm më pas është fokusuar në luftën e nxënëses së tij, që përfundoi me fitore historike.

“Fjalët kanë mbetur pak në atë brendinë time dhe nuk po dalin. Kam pritur medalje prej Distrisë, por medalja e artë ka qenë diçka e madhe. Më duket se në fillim të luftës, në dy minutat e parë, ajo vetëkënaqësia e ka zënë pak Distrinë. Pas minutës së dytë ka ardhur në terren të vetin dhe në momentin kur xhudistja japoneze ka pritur shumë, e kam pasur një ndjesi që po vjen momenti i gjuajtjes, momenti që për mua është i jashtëzakonshëm. Në dy Olimpiada, dy medalje të arta është rezultati më i madh që ka mundur të arrihet në sport”, ka theksuar Kuka.

Sajti zyrtar i Lojërave Olimpike ka pranuar se Distria ka thyer zemrat e japonezëve me fitoren ndaj Funakit në finale.

Ajo ka marrë urimet e vullnetarëve japonezë të angazhuar në palestër, ndërsa ka ndarë edhe nënshkrime për ta. Ndryshe do të ishte sikur tifozët të ishin në palestër. Por, për Kosovën nuk do të mund të ishte më mirë.