TEMPUS

Tash cak i sanksioneve të SHBA-së janë individët e kompanitë, thotë ish-ambasadori Ukshini

Syle Ukshini

Ish-ambasadori dhe profesori i historisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Sylë Ukshini, tha në emisionin “Tempus” në KTV se, ndryshe nga vitet e luftës kur sanksionoheshin shtete me ekonomi, tash cak janë individët dhe kompanitë.

Këtë deklaratë ai e bëri duke diskutuar zgjerimin e sanksioneve të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor.

“Nëse e shohim ish-Jugosllavinë, pa diskutim që krejt kjo arkitekturë e paqes është investim edhe vendosmëri e Shteteve të Bashkuara të Amerikës,” tha Ukshini, duke shtuar se ka vende që kanë tentuar ta cenojnë këtë arkitekturë.

“Ka vende të caktuara, domethënë që këtë etablim të kësaj arkitekture, këtij suksesi, gjithmonë kanë provuar me aktorë të ndryshëm, të brendshëm ose të jashtëm, ta cenojnë”, tha ai.

Ai gjithashtu theksoi se, ndryshe nga Bashkimi Evropian që nuk ka konsistencë, SHBA ka treguar konsistencë më të gjatë në masat ndëshkuese.

“Dhe unë mendoj se kjo është e mirë. Megjithatë, sado që na duket nganjëherë që është e padrejtë, në fund të fundit kështu funksionon politika”, tha Ukshini.

Sipas tij, SHBA-të mbeten lojtari kryesor që kontrollon dhe mirëmban paqen në rajon./BetimipërDrejtësi