Inxhinieri i ndërtimtarisë, Besian Sinani, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se Ligji i ndërtimit është i mangët, se duhet të bëhen plotësime dhe se nuk kemi hulumtime për zona.
“I kam potencuar disa prej tyre që faktikisht është një prej elementeve bazë kryesore, janë kodet ose anekset kombëtare. Anekset kombëtare duhet të punojmë në atë formë duke i marrë informatat nga instituti apo prej elementeve tjera që i organizon shteti. Pra, duhet bërë hulumtimet e gjeofizikës dhe gjeoteknikës, i tokës që në raport me to kur hartohen planet rregulluese apo që janë hartat zonale të projektohen objektet duke marrë për bazë faktikisht gjeofizikën dhe gjeoteknikën e tokës,” tha Sinani
Ai shtoi se Ligji i ndërtimit duhet të përditësohet sa më shpejtë që është e mundur, duke i përmbajtur edhe anekset kombëtare, të cilat do t’i kishin përmbajtur edhe informatat lidhur me truallin, të cilat i kemi vetëm për lagjen “Ulpianë” dhe vetëm për një zonë të Gjilanit.
Sinani tha se në Turqi dihet që nuk ka pasur një kohë të gjatë tërmete dhe për shkak të akumulimit shumë të madh që ka qenë në ngarkesën në tokë, atje ka pasur një shpërthim jashtëzakonisht të lartë të nxitimit.
“Rrjedhimisht, ne e dimë që edhe për atë zonë sa ka qenë e projektuar bazë hartave dhe anekseve kombëtare, e ka tejkaluar kapacitetin projektues dhe rrjedhimisht është një prej arsyeve bazë pse kanë dështuar atje strukturat faktikisht është se ka pas një shkapërderdhje faktikisht të asaj zone si rezultat i akumulimit të gjatë të asaj ngarkese. Rrjedhimisht na mundemi me pas një gjendje të tillë edhe tek ne atje me vite është folur, po e marrë shembull Turqinë sepse është aktuale është folur që realisht ka me pas brenda këtij viti një veprim të tillë sizmik domethënë saktësisht para 6 muajve ka pas një panel njerëzish që kanë dalë në shesh dhe kanë tregu”, tha ai.
Sinani tha se në Turqi kanë matës nëpër zona të ndryshme, të cilat e shohin se sa po lëviz trualli, mirëpo kanë pasur informata të sakta se ajo do të ndodhë. Ndërsa, theksoi se ne si shtet nuk kemi një organizim të tillë që është jashtëzakonisht i rëndësishëm për ta pasur mundësinë pastaj me bë matje.
Në fund, Sinani tha se kjo le të jetë një formë e thirrjes që institucioneve që duhet të shpallim gjendje të emergjente të veprimit, konkretisht me shpallë konkurse që do të angazhonin kompani të ndryshme që do ta bënin hulumtimin e zonave dhe të dilnin me rezultate.