Çollaku: SHBA-ja nuk e ka më prioritet sigurinë kolektive në Evropë
Fatmir Çollaku, profesor i sigurisë, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e kanë më prioritet sigurinë kolektive në Evropë.
Ai theksoi se kërcënues kryesor për sigurinë kolektive ka qenë Bashkimi Sovjetik, e më pastaj Rusia.
“Në çdo fazë kërcënues në gjysmë shekulli periudhë kërcënues kryesor për sigurinë kolektive ka qenë Bashkimi Sovjetik, e më pastaj trashëgimtarja e Bashkimit Sovjetik, Rusia”, tha Çollaku.
Sipas profesorit Çollaku, ambiciet e Rusisë janë rikthimi i shteteve të vogla, me theks te ato baltike, si dhe mësymja e Polonisë.
“Ambiciet e Rusisë janë pikërisht rikthimi i shteteve të vogla, sidomos ato baltike, si dhe mësymja në mënyrë direkte ose indirekte në formë agresive apo subversive, edhe Polonisë”, tha ai. /BetimipërDrejtësi
Ibishi: Si do të mbrohet Evropa pa Amerikën?
Nuredin Ibishi, njohës i çështjeve të sigurisë, tha se Evropa duhet të marrë përsipër mandatin për t’u vetëmbrojtur në kuptimin e investimeve, burimeve njerëzore, por edhe industrinë ushtarake.
“Unë nuk e shoh Evropën të mbrojtur, është në interes të SHBA-ve që çdoherë të jenë prezent në Evropë, sepse Evropa është si pararoje e Amerikës”, tha Ibishi në “Tempus“.
Për këtë arsye, ai tha se mendon që është mirë paralajmërimi se Evropa duhet shumë më seriozisht t’i qaset sektorit të mbrojtjes dhe sigurisë.
Ibishi tha se investimet ushtarake në Kinë përveç ekspansionit ekonomik që po mundohet ta pushtojë globin, janë edhe në sferën ushtarake, dhe sipas tij, gjithsesi administrata e re e Trump do ta ndalë Kinën dhe interesat e saj sidomos kur ka të bëjë me Detin Kinez e Tajvanin që është një rrezik, por njëkohësisht edhe rreziku i konfliktit në mes Koresë së Veriut dhe asaj të Jugut.
Po ashtu, ai tha se në përgjithësi është mirë që këto reforma e ky programi tremujor, nënkupton që ta vetëdijësojë Evropën që duhet të merret me vetëmbrojtjen, por që Amerika në asnjë mënyrë nuk do të largohet nga Evropa, nga interesi i saj strategjik. /BetimipërDrejtësi
Miftaraj: Kosova s’ka resurse të cilat mund t’i hynin në dobi SHBA-së ose Evropës
Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në emisionin “Tempus” në KTV, tha se Kosova nuk posedon resurse që mund t’i hynin në dobi Shteteve të Bashkuara të Amerikës ose Evropës.
Ai ka deklaruar se Kosova do të duhej të fillonte të mendonte që shtetin ta bënte funksional.
Miftaraj ka shtuar që do të duhej që Kosova të pavarësohej “nga kërkesa e vazhdueshme për ndihma”.
“Fatkeqësisht, Kosova nuk është që ka resurse natyrore të cilat në njëfarë mënyre do të mund t’i hynin në dobi qoftë SHBA-së, qoftë Evropës. Ajo çka Kosova do të mund të ofronte, do të mund të ishte që për herë të parë të fillojmë të mendojmë si ta bëjmë shtetin tonë funksional, resurset tona që i kemi si t’i drejtojmë drejt një ekonomie e cila pastaj garanton zhvillim, në mënyrë që së paku Kosova të pavarësohet nga kërkesa e vazhdueshme për ndihma qoftë nga SHBA, qoftë nga BE”, tha Miftaraj. /BetimipërDrejtësi
Vrajolli: Vizita e sekretarit Rutte është mesazh se NATO-ja mbetet e palëkundur
Mentor Vrajolli, drejtor ekzekutiv në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), tha se vizita e shefit të NATO-s, Mark Rutte në Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë, tregon vendosshmërinë e NATO-s sa i përket mosndryshueshmërisë së aleancës qoftë me Bosnjën qoftë me Kosovën.
Ai tha në “Tempus” se qëllimi i kësaj vizite ka qenë dërgimi i mesazhit që NATO mbetet e palëkundur, pa marrë parasysh ndryshimet.
“Qëllimi i kësaj vizite besoj se ka qenë që me dërgu mesazhe që NATO mbetet e palëkundur pa marrë parasysh ndryshimeve të ndonjë anëtari, në këtë rast anëtarit kryesor të NATO-s”, tha Vrajolli.
Ndërkaq, sa i përket ndryshimeve të mundshme të politikës amerikane në raport me Bosnjën apo Kosovën, Vrajolli deklaroi se një gjë të tillë nuk beson se mund të ndodhë.
“Nuk besoj se do të ketë ndonjë ndryshim të politikës amerikane ndaj Bosnjës apo Kosovës. Nuk ka asnjë zë në qeverinë amerikane apo qarqet amerikane se prezenca amerikane do të ndryshojë”, tha ai. /BetimipërDrejtësi
Çollaku: Ardhja e Ruttes i ka dy qëllime
Fatmir Çollaku, profesor i sigurisë, tha se ardhja e sekretarit të NATO-s, Mark Rutte, në Ballkan dhe Kosovë ka dy qëllime, qëllimin politik dhe atë në fushën sigurisë.
Sipas tij, qëllimi politik është konfirmimi i mbështetjes dhe aktivizimi i subjekteve, i personave që bartin poste publike në përmbushjen e detyrave të tyre në Kosovë dhe në Bosnjë për t’iu bërë më dije të tre anëtarëve të Bosnjës se nuk ka lojë dhe nuk do të lejohet një gjë e tillë atje.
“E ngjashme do të jetë edhe vizita në Kosovë, në aspektin politik për t’iu bërë me dije institucioneve të Kosovës në përmbushjen e detyrave poltike, në rastin konkret për të bërë sa më parë Qeverinë e Kosovës dhe për të përmbushur detyrimet dhe obligimet që dalin nga marrëveshja ndërkombëtare. Ndërsa, në aspektin e sigurisë është meash për përfshirjen tonë dhe për të gjithë që përpiqen ta destabilizojnë vendin se Kosova është nën mbrojtje të sinqertë dhe serioze të NATO-s”, tha Ҫollaku në “Tempus“.
Po ashtu, ai tha se kjo është një rikonfirmim i mbështetjes në kontinuitet dhe i daljes në sipërfaqe që Kosova dhe ruajtja e stabilitetit në Kosovë është edhe interes indirekt edhe i NATO-s edhe miqve tanë ndërkombëtarë, edhe i SHBA-së.
Ҫollaku tha se ardhja e sekretarit të NATO-s në Bosnjë dhe në Kosovë është pozitive dhe funksionarët e shtetit tonë duhet ta pranojnë mirë dhe të fillojnë të përmbushin detyrat që dalin nga ky mesazh që nesër do ta kenë të qartë në Prishtinë. /BetimipërDrejtësi
Miftaraj: Vizita e Ruttes, mesazh se NATO-ja vazhdon t’i mbrojë interesat në Ballkan
Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në emisionin “Tempus” në KTV, tha se vizita e Mark Ruttes në këtë kohë, është mesazh se NATO do t’i mbrojë interesat në Ballkan.
Ai tha se vizita e shefit të NATO-s, Mark Rutte është mesazh për Bosnjë-Hercegovinën në radhë të parë, si dhe për Kosovën.
“Një mesazh konfirmimi se NATO do të qëndrojë, do t’i mbrojë interesat e saj në Ballkanin perëndimor, por besoj fuqishëm që është edhe një mesazh drejtuar fqinjit tonë verior- Serbisë, e cila e kemi thënë vazhdimisht që ka një fuqi destruktive dhe në këto kohë pa kohë, duke marrë për bazë që në Serbi 3-4 muajt e fundit kemi protesta masive dhe presidenti Vuçiq për herë të parë po ndihet ndoshta i pafuqishëm në 10 vitet e fundit prej që është në pushtet. Do të thotë, është një mesazh se NATO do t’i mbrojë interesat në Ballkan”, tha Miftaraj.
Vizita e Ruttes, tha se është e rëndësishme edhe për kohën kur bota po ballafaqohet me tronditjet që po ndodhin në botë: Ukrainë, Siri e Gaza. /BetimipërDrejtësi
Ibishi: Vizitën e Ruttes e shoh si mision parandalues
Nuredin Ibishi, njohës i çështjeve të sigurisë, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se vizitën e shefit të NATO-s, Mark Rutte, i cili sot qëndroi në Bosnjë-Hercegovinë e sheh si mision parandalues.
“Vizitën e zotit Rutte e shoh si mision parandalues dhe bëri me dije se sovraniteti i Bosnjë-Hercegovinës por edhe i shteteve tjera do të jetë i mbrojtur ashtu si kanë paralajmëruar SHBA dhe shtetet e BE-së.
Ai tha se ky është mesazh i duhur dhe se edhe vizita në Kosovë vjen në moment të duhur, para formimit të Qeverisë së re.
“Vetë vizita e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, zotit Mark Rutte vjen në një situatë të ndërlikuar apo të tensionuar të sigurisë në rajon”, tha ai.
Ibishi përmendi dënimin e Millorad Dodik nga shkalla e parë, i cili pa pritur shkallën e dytë thotë se thirri Kuvendin e Republika Sërbskas dhe miratoi një mori ligjesh.
“Situatën në Bosnjë e kam parë të tensionuar sidomos kur filloi të shpërfaqej ajo bota serbe gjithandej dhe kur u bë Kuvendi i gjithëmbarshëm i Republikës Sërbska me qëllim që ta jetësojë botën serbe, ideator i të cilës është Aleksandër Vulin”, tha Ibishi.
Ai shtoi se kjo ka sjellë situatë të tensionuar sidomos tash kur filluan bisedimet për paqen mes Rusisë dhe Ukrainës.
“Atje ndodhi më e keqja kohës së fundit kur në mungesë të dhënies së informacioneve të duhura për forcat mbrojtëse të Ukrainës, u bë një sulm masiv raketor, me drona e me sisteme të fluturake, u sulmuan shumë caqe të infrastrukturës. Serbia mundohet t’i shfrytëzojë këto momentume”, tha Ibishi.
Kjo tha se duhet të merret me seriozitet, teksa shtoi se ekziston rreziku nga ekstremizmi islamik sidomos në Bosnjë.
“Ajo cka mund të jetë domino efekti është të fillojë realizimi i botës serbe duke nis mu nga Bosnjë-Hercegovina që është pjesa më e ndjeshme, ngase edhe boshnjakët edhe kroatët nuk do të jenë duarkryq nëse Dodiku mund të merr një hap tjetër të pavarësimit dhe normal hapi tjetër shkëputjes dhe bashkëngjitjes me Serbinë, që do të jetë domino efekt edhe për Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë”, tha ai.