Avokati Florim Shefqeti, ka thënë se nuk ka vonesa në ngritjen e aktakuzës për rastin në Banjskë.
Shefqeti ka theksuar se ky rast nuk është ‘vjedhje pylli’ dhe se nga pikëpamja e tij nuk ka vonesa në këtë çështje.
“Në konsiderojmë që në këtë situatë nuk ka fare vonesë sepse rasti nuk është vjedhje pylli, por është ajo që dihet se çfarë është dhe normalisht ne për nga pikëpamja jonë kemi në disa raste jo të rralla vërejtje rreth aktakuzave të punuara në shpejtësi ose në mënyrë jo të duhur në aspektin e vërtetimit të gjendjes faktike dhe të nxjerrjes së provave. Prandaj, ne konsiderojmë që nuk ka vonesë në këtë çështje”, ka deklaruar ai në emisionin “Tempus” në KTV,.
Shefqeti ka thënë se secili rast i ka specifikat e veta dhe se Kodi i ri i Procedurës Penale lejon zgjatjen e afatit të hetimeve nëse rastet janë të komplikuara ose ka numër të madh të të pandehurve.
“Ne konsiderojmë që secili rast penal i ka specifikat e veta, aq më tepër rasti konkret kur dihet që numri i të dyshuarve është jashtëzakonisht i madh. Sigurimi i provave është më sfidues se në rastet e tjera dhe mund të jetë e rëndësishme siguria shtetërorë apo interesi shtetëror për hetimin e pistave të tjera. Prandaj, duke pasur parasysh mesataren e hetimeve për secilën vepër penale, ne mendojmë se në këtë rast nuk ka fare vonesë sepse e dimë parimisht se Kodi i ri i Procedurës Penale përveç dyvjeçarit të hetimeve e ka lejuar mundësinë që me aprovimin e gjyqtarit të procedurës paraprake, të zgjatet afati i hetimeve edhe për një vit në rastet e veprave të komplikuara ose kur ka më tepër të akuzuar”, është shprehur Shefqeti.
Shefqeti për videot e Sveçlës e Haxhiut: Asgjë s’do bëhej pa kërkesë të Prokurorisë, thjesht po zbatohet ligji
Avokati Florim Shefqeti, në emisionin “Tempus” në KTV, ka folur lidhur me videot e shpërndara nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu lidhur me rastin në Banjskë.
Ai ka thënë se të gjitha sekuestrimet janë bërë me kërkesën e Prokurorisë dhe s’do të bëhej asgjë pa kërkesën e këtyre të fundit.
“Ne në aspektin politik nuk do të lëshohemi sepse ajo është një pjesë që nuk ka të bëjë fare me drejtësinë. E shpjegoi shumë mirë zotëri Fazliu se ajo që rregullohet me Kodin e Procedurës Penale dhe me Ligjin për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar. Sikur të bëhej pyetja ndryshe; A do të sekuestrohej diçka nëse Prokuroria nuk do të bënte kërkesë, atëherë do të del që jo”, ka deklaruar Shefqeti.
Ai ka theksuar se as urdhri i përkohshëm dhe as ai përfundimtar për konfiskimet e bëra lidhur me rastin në Banjskë nuk do të behshin pa aprovimin e Prokurorisë si dhe specifikisht pa aprovimin e gjyqtarit të procedurës paraprake.
“Absolutisht jo sepse drejtësia ka rregulla dhe procedura të mbështetura në ligje dhe në rastin konkret Kodin e Procedurës Penale. E tha zotëri Fazliu që kishte urdhër të përkohshëm pastaj përfundimtar dhe që asnjë nga këto nuk do të bëheshin pa kërkesë të prokurorisë e specifikisht pa aprovim të gjyqtarit të procedurës paraprake”, ka deklaruar ai.