Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se draft-strategjia kundër korrupsionit e propozuar nga Qeveria përmban pasaktësi dhe nuk i trajton problemet kryesore të luftës kundër korrupsionit.
Në emisionin “Tempus” të KTV-së, Shala tha se drafti është i mbushur me pasaktësi faktike dhe se përmban referenca të papërshtatshme, duke përfshirë raporte që nuk janë publikuar ende.
Ai e ka kritikuar përdorimin e raporteve që janë të pasakta ose të mbështetura në burime të paqarta, siç është një raport i një eksperti të angazhuar nga Bashkimi Evropian, i cili, sipas tij, është përdorur pa theksuar qartë se është një mendim individual dhe jo qëndrim i institucioneve të BE-së.
“E pashë tek komentet e BE-së që në një vend përdoret një raport i një eksperti të angazhuar nga BE-ja, por nuk tregohet se ai është qëndrim apo mendim i ekspertit dhe jo i BE-së që rrezikon me kriju një pasqyrë mashtruese lidhur me qëndrimin e BE-së dhe këtë e kemi në draft-strategji”, ka deklaruar Shala.
Shala theksoi se referencat për Komisionin e Venecias janë gjithashtu të pasakta, duke shpjeguar se ky organ është pjesë e Këshillit të Evropës dhe jo Bashkimit Evropian, siç përmendet në dokument.
Ai e kritikoi gjithashtu përdorimin e raporteve të Amnesty International për vitin 2024, një raport që ende nuk është publikuar, pasi ai do të jetë në dispozicion vetëm në vitin 2025.
Ai propozoi që një skanim i detajuar dhe i sinqertë të bëhet për të kuptuar në mënyrë më të qartë problemet dhe nevojat në fushën e luftës kundër korrupsionit.
Sipas tij, një analizë e thelluar do të mundësonte zhvillimin e një strategjie të bazuar në fakte dhe nevoja reale, duke krijuar masa konkrete dhe rezultate të prekshme për të luftuar korrupsionin në Kosovë.
“Është dashur të përmenden çështjet e procedurave të mbyllura të prokurimit, është dashur të përmenden dyshimet për subvencione, është dashur të rritet transparenca në atë fushë, hakmarrja ndaj sinjalizuesve etj.etj, planet e integritetit”, ka shtuar ai. /BetimipërDrejtësi