Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në emisionin “Tempus” në KTV, tha se Strategjia për Sundimin e Ligjit është e pazbatueshme.
“Praktikisht, në kohën kur ne po flasim, Strategjia për sundimin e ligjit nuk është e zbatueshme. Strategjia e miratuar nga ana e Qeverisë së Republikës se Kosovës e cila siç thash edhe më parë derivon nga një proces i madh, një iniciativë jashtëzakonisht e rëndësishme në sektorin e sundimit të ligjit, siç është procesi i rishikimit funksional të sektorit të sundimit të ligjit për 2021-2026”, tha Shala.
Hulumtuesi shtoi se ky është një dështim sa i përket zbatimit të sundimit të ligjit pasi nuk është rishikuar me kohë Strategjia, ashtu siç është parashikuar në mënyrë që viti 2024 të na gjejë me planin e ri të veprimit.
Po ashtu, Shala theksoi se problematika më e madhe për Strategjinë është fakti se strategjia është në ajër dhe është e pazbatuar në praktikë, për shkak të mungesës se planit të veprimit.
Shala: Aktivitetet si statistikë të kënaqshme, por raportimi i tyre s’është real
Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se në raportet vjetore për Zbatimin e Strategjisë për Sundimit të Ligjit janë rreth 45% të përmbushura plotësisht, por kështu sipas tij nuk qëndron e vërteta.
“Nëse i shohim si statistikë, aktivitetet e zbatuara plotësisht dhe ato që janë në proces, e që del se afërisht 90% konsiderohet që është shifër jashtëzakonisht e kënaqshme. Megjithatë, kur kemi analizuar raportimin e bërë e kemi parë që ky raportim nuk është real pasi kjo përqindje nuk është reale”, tha Shala.
Sipas tij, arsyeja e parë është pasi veprimet që janë ndërmarrë nuk janë ndërmarrë në përputhje me Strategjinë.
“Strategjia për Sundimin e Ligjit, plani i veprimit dhe strategjia duhet të shihen si proces unik që ndërlidhen dhe derivojnë nga procesi i rishikimit funksional të sektorit të sundimit të ligjit. Pra, çështjet dhe rekomandimet në mënyrën se si janë gjetur në fillim dhe janë adresuar në strategjinë e sundimit të lidhur me strategjinë e veprimit”, tha ai.
Shala tha se nëse masa e ndërmarrë ka devijuar nga ky kuptim i përcaktuar, atëherë nuk bëhet fjalë për zbatim të strategjisë por për moszbatim dhe injorim të saj.
“Njëra prej çështjeve problematike që e ka identifikuar procesi i rishikimit funksional është mungesa e mjeteve juridike ndaj vendimeve prokuroriale dhe përkundër kësaj Qeveria prapë se prapë kur ka miratuar Kodin e Procedurës Penale nuk ka garantuar mjete juridike ndaj vendimeve prokuroriale. Megjithatë, në raportin e zbatimin e strategjisë e ka markuar si aktivitet të zbatuar”, tha Shala.
Ai shtoi se raste të tilla kanë gjetur edhe në aktivitet tjera, ku ndonëse aktiviteti ka qenë në zhvillim e sipër apo nuk është kryer fare, në raport është markuar si aktivitet i zbatuar e që sipas tij, kemi të bëjmë me një raportim të pasaktë.
“Njëfarë fryrje e numrave që nuk është as në interes të publikut dhe aq më pak në interes të sundimit të ligjit”, tha ai.
Shala: KGJK-ja pavarësisht avancimit ka ende punë në drejtim të llogaridhënies, KPK-ja vazhdon me qasje korporatiste
Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se Këshilli Gjyqësor i Kosovës pavarësisht avancimit në llogaridhënie, ka ende punë në këtë drejtim.
“Përgjatë viteve, KGJK-ja ka marrë reforma të shumta në drejtim të transparencës, llogaridhënies, meritokracisë, e të tjera”, tha Shala.
Por sipas tij, Këshilli ka ende telashe me llogaridhënien.
“Ende brenda Këshillit Gjyqësor të Kosovës ka punë në drejtim të llogaridhënies, megjithatë proceset që përmenda janë të pamohueshme se KGJK ka bërë një avancim në drejtim të avancimit të llogaridhënies”, tha Shala.
Shala tha se ndonëse KGJK ka përmirësuar qasjen dhe llogaridhënien, në anën tjetër KPK vazhdon me qasje korporatiste.
Ai tha se KPK ka lënë vendin pa Kryeprokuror të Shtetit, ndonëse do duhej të hapte proces të ri për këtë pozitë.
“Që nga dita kur Presidentja ka treguar se nuk e ka dekretuar kandidatin e propozuar nga KPK dhe evidentuar një numër të madh të problemeve në procesin për rekrutimin Kryeprokuror të Shtetit, që atë ditë Këshilli Prokuroral është dashur të shpallë konkursin e ri dhe të garantojë ashtu siç kanë kërkuar akterët ndërkombëtar një proces meritor për Kryeprokuror të Shtetit, nuk është relevante cili është emri për Kryeprokurorin e Shtetit, por që procesi të jetë meritor dhe transparent”, tha Shala.
Ai tha se kanë monitoruar këtë proces nga fillimi dhe kanë evidentuar të gjitha problemet por që nuk kanë pasur reflektim nga KPK.
Shala: Vettingu i nevojshëm, do t’ia kthente publikut besimin në sistemit të drejtësisë
Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se përkundër se Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka një progres në punën e tij, Vettingu është i nevojshëm për të kthyer besimin e publikut në sistemin e drejtësisë.
“Fatkeqësisht, përkundër premtimeve të mëdha që kemi pasur, ky është një prej dështimeve kryesore të kësaj Qeverie që në qendër të premtimeve ka pasur zhvillimin e një procesi të Vettingut”, ka thënë Shala.
Shala tha se tani ku sipas planifikimeve procesi i Vettingut do duhej të ishte në përfundim, jemi në fazën kur nuk kemi diçka tjetër përveç disa draft-amendamenteve të cilat i ka lejuar Gjykata Kushtetuese, por që nuk janë miratuar asnjëherë.
