Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se përgjegjësia lidhur me komentet që bëhen në rrjete sociale u takon jo vetëm institucioneve, por edhe personave të ndryshëm të cilët marrin komente të paligjshme në postimet e tyre.
“Rasti i Francës që ndodh në kontekst të Facebookut, ka të bëjë me një kandidat që nuk është media fare, për dallim prej rastit të parë të Estonisë që ka të bëjë me media. Ideja në rastin konkret është janë dy arsye pse përmendet në punim media specifikisht, e para është se është një burim shumë i madh i publikimeve, do të thotë ka shumë më shumë publikime, ka shumë më shumë komente, e dyta do të thotë etika që duhet me i ndjekë mediat profesionale përcakton nevojën për me ndërmarrë veprime shtesë”, tha Shala.
Në emisionin “Tempus” në KTV, Shala tha se përgjegjësia u takon edhe personave të ndryshëm. Ai mori shembull një profil të një personi publik, e që në rastin konkret tha se një postim i tij tërheq pas vete shumë komente, të cilat janë haptazi të paligjshme.
Sipas tij, edhe ai person mban përgjegjësi vetë për ato komente.
“Sipas Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, vërtetësia e lajmit nuk ndërlidhet me komentet, do të thotë ti mbahesh përgjegjës për atë koment, përkundër faktit që lajmi i përmban të gjitha standardet, është mirë i balancuar, është i vërtetë”, tha Shala.
Sipas tij, GJEDNJ-ja mirë e thekson se është shumë më e vështirë për një person t’i moderojë të gjitha platformat sesa një subjekt i caktuar të moderojë platformën e vet, qoftë ajo e mediave apo institucioneve, apo edhe personave të caktuar. /BetimipërDrejtësi
