TEMPUS

Shala: KPK-ja është e mbyllur, s’ka transparencë e kontrollohet secili informacion

Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi, ka thënë se Këshilli Prokurorial i Kosovës është i mbyllur dhe nuk ka transparencë.

Sipas tij, rishikimi i sektorit të sundimit të ligjit është një nga iniciativat më të mira në këtë fushë.

“Rishikimi funksional i sektorit të sundimit të ligjit në Kosovë, është njëra prej iniciativave më të mira dhe më të mëdha që ka ndodhur në kuptim të sundimit të ligjit. Për publikun, për ata që ndoshta nuk e dinë se çka është ky proces, do me thënë ky proces e ka skanuar krejt sistemin e drejtësisë deri në detaje, ku ka përcaktuar se cilat janë problemet, cilat janë objektivat, cilat janë rekomandimet dhe pas saj kemi tash edhe një strategji, që i përcakton edhe veprimet konkrete. Nëse i shohin këta se çka kemi gjetur gjatë monitorimit tonë, në kuptim të zbatimit të kësaj strategjie, nuk shohim një dinamizëm të kërkuar nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, në kuptim të adresimit të të gjitha aktiviteteve dhe objektivave që përcaktohen me anë të kësaj strategjie. Do të thotë, nuk mohohet fakti se Ministria e Drejtësisë është duke punuar në shumë fusha, në shumë ligje, mirëpo si të përfunduara ende nuk jemi në nivel të kënaqshëm deri më tani, të paktën nuk ka një dinamizëm që kërkohet nga strategjia”, tha Shala në “Tempus” të KTV-së.

Sipas tij, në raport me Këshillin Gjyqësor, ku shihen hapa konkret dhe se praktikë e mirë është se sfidat pranohen dhe ballafaqohen, në KPK nuk ndodh e njëjta.

“Ndërsa në rastin e Këshillit Prokurorial unë e shoh një status quo, e shoh që nuk ka veprime konkrete. Do të thotë, nëse i krahasojmë Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial, sot KGJK-ja i publikon takimet në Facebook edhe në platformë e ka një qasje më proaktive që shumë qytetarë ta arrijnë ta shohin atë. KGJK-ja e publikon për konsultim publik secilën rregullore, ndërsa KPK vetëm ndonjë rast, madje afatet janë shumë të shkurta, siç është aktualisht një rregullore për të cilën janë dhënë afat pesë ditë. Po ashtu e shohim një mbyllje të përgjithshme, një qasje selektive, mos ta harrojmë edhe një qasje në KPK informacioni vazhdon të jetë i centralizuar kundërligjshëm në zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, pa marrë parasysh se aty thuhet për disa raste të veçanta, në praktikë pothuajse për secilin rast duhet të pyetet Kryeprokurori i Shtetit nëse duhet me u dhanë një informatë”, ka thënë ai.

Sipas tij, kjo nuk garanton transparencë dhe lë shije të keqe te publiku.