Ligji për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit ka hyrë në fuqi në gusht të vitit 2022. Sipas nenit 24 të këtij Ligji, Strategjia shtetërore dhe plani i veprimit kundër korrupsionit hartohet dhe miratohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, derisa zbatimin e monitoron Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit.
Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 22 shkurt 2023 kishte marrë vendim për themelimin e strukturave për hartimin e kësaj Strategjie. Ky grup punues, sipas këtij vendimi, duhej ta draftonte këtë Strategji deri më 1 dhjetor 2023. Kjo Strategji nuk u miratua brenda këtij afati kohor. Madje, përkundër disa përpjekjeve, Strategjia nuk u miratua as në vitin 2024.
Në dhjetor të vitit 2024, Zyra e Kryeministrit kishte publikuar për konsultime publike Draft Strategjinë dhe Draft Planin e Veprimit. Përkundër vonesave të deritanishme, në kundërshtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë, Zyra e Kryeministrit nuk respektoi afatin minimal të konsultimeve publike.
Përgjatë gjithë periudhës kohore, Qeveria nuk morri parasysh komentet e partnerëve ndërkombëtar dhe shoqërisë civile. Përkundër disa përmirësimeve, Draft Strategjia e publikuar vazhdon të përmbajë probleme.
Raporti “Saga e Strategjisë kundër Korrupsion” nga IKD evidenton se Draft Strategjia ka mangësi thelbësore në identifikimin e problemeve dhe nuk pasqyron në mënyrë reale sfidat në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit. Gjithashtu, Draft Strategjia dhe Plani i Veprimit nuk janë hartuar sipas Manualit të Qeverisë për Planifikimin, Hartimin dhe Monitorimin e Dokumenteve Strategjike dhe Planeve të tyre të Veprimit.
Kritika më e madhe në raport me Draft Strategjinë kishte të bënte në lidhje me zgjerimin e kompetencave të Gjykatës Kushtetuese ndaj vendimeve të KGjK dhe KPK, propozim ky që është po ashtu pjesë e draftit të fundit. Propozimi për zgjerimin e kompetencave të Gjykatës Kushtetuese për ta bërë atë institucion mbikëqyrës të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, bie ndesh me Kushtetutën dhe rolin e drejtësisë kushtetuese në Kosovë. Këto masa mund të kufizojnë pavarësinë e institucioneve të drejtësisë dhe krijojnë një disbalanc në ndarjen e pushteteve.
Në anën tjetër, sipas raportit të IKD, Draft Strategjia përfshin masa të cilat nuk përbëjnë qartësisht masa anti-korrupsion.
Derisa, draft strategjisë i mungojnë masa të rëndësishme në fusha kyçe kundër korrupsionit. Masat e tilla, të cilat duhet të përfshihen në Draft Strategji, kanë të bëjnë me parandalimin e konfliktit të interes, mbrojten e sinjalizuesve, vullnetin politik, korrupsionin në sektorin privat, bashkëpunimi ndërkombëtar, angazhimi për anëtarësim në mekanizmat ndërkombëtar, planet e integritetit, vlerësimin e rreziqeve të korrupsionit në fusha apo sektorë të ndryshëm, vlerësimi i rreziqeve dhe zbrazëtirave të legjislacionit që potencialisht mund ta rrisin korrupsionin dhe vlerësimi nëse legjislacioni është në pajtim me standardet ndërkombëtar kundër korrupsionit etj. Po ashtu, Draft Strategjia duhet të parasheh edhe masa që kanë të bëjnë me Policinë e Kosovës dhe Komunat.
Përkitazi me dokumentin e publikuat, partnerët ndërkombëtar dhe IKD tanimë kanë dërguar komentet. Në raport me komentet e pranuara, Qeveria duhet të luajë një rol konstruktiv dhe të zhvillojë një proces gjithëpërfshirës me të gjitha palët e interesit, duke adresuar me kujdes të gjitha komentet e pranuara./BetimipërDrejtësi