Zëvendëskryesuesja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Arjeta Sadiku, ka theksuar se në bazë të Strategjisë kombëtare për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe dhuna ndaj grave janë përcaktuar disa aktivitete të cilat është obliguar KGJK-ja t’i përfundojë.
“Është themeluar grupi koordinues për mbrojtjen nga dhuna në familje në të cilin Këshilli Gjyqësor përfaqësohet nga një anëtar”, ka deklaruar Sadiku në emisionin “Tempus” në KTV.
Ajo ka thënë se sa i përket objektivave të cilat janë vendosur e të cilat duhet të përmbushen nga gjyqësori, KGJK-ja është në rrugë të mirë për realizimin e të gjitha objektivave të përcaktuara.
“KGJK-ja në bazë të Strategjisë ka miratuar Strategjinë në bazë të cilës të gjitha rastet e dhunës në familje trajtohen me prioritet, në rastet penale po ashtu edhe rastet civile trajtohen me kohë të gjitha rastet e dhunës në familje”, ka deklaruar zëvendëskryesuesja e KGJK-së.
Sipas saj, në të gjitha gjykatat janë të caktuar koordinatorë për rastet e dhunës në familje.
“Kemi caktuar koordinatorët në të gjitha gjykatat dhe në disa gjykata kemi edhe gjyqtarë të specializuar për trajtimin e rasteve të dhunës në familje, në disa gjykata të tjera këto raste trajtohen me kujdestari, do të thotë gjyqtarët janë kujdestarë për një javë të cilët i trajtojnë këto raste, po ashtu kemi koordinatorë të cilët koordinojnë të gjitha çështjet të cilat kanë të bëjnë me dhunën në familje”, ka deklaruar Sadiku.
Po ashtu, Sadiku ka përmendur statistikat e trajtimit të rasteve të tilla.
“Për vitin 2023, në procedurë penale janë pranuar 1 mijë e 108 lëndë kanë zgjidhur 1 mijë e 307 lëndë, në lëminë civile janë pranuar 1 mijë e 163 lëndë, të zgjidhura 1 mijë e 184 lëndë, që do të thotë këto raste trajtohen me kohë dhe me prioritet”, është shprehur Sadiku.
Sadiku: KGJK-ja vitet e fundit ka shënuar përparim në zgjedhjen e grave në pozita vendimmarrëse
Zëvendëskryesuesja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Arjeta Sadiku, ka theksuar se KGJK-ja vitet e fundit ka shënuar përparim në zgjedhjen e grave në pozita vendimmarrëse.
“Në Këshillin Gjyqësor të Kosovës janë zgjedhur katër gra si anëtare të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Po ashtu, zëvendëskryesuesja është grua (vetë Sadiku). Pastaj, dy nga anëtaret e Këshillit Gjyqësor janë kryetare të Komisioneve më të rëndësishme të KGJK-së”, ka deklaruar Sadiku, në emisionin “Tempus” në KTV.
Ajo ka shtuar se KGJK-ja përfaqësohet nga gratë me 33.33 për qind.
Zëvendëskryesuesja ka thënë se 152 gra janë në pozitat e gjyqtareve nëpër gjykatat e Kosovës, apo 35.3 për qind.
“Prej tyre, në gjykata kemi dy kryetare. Pastaj, 6 gjyqtare mbikëqyrëse, 8 gjyqtare në Gjykatën Supreme, 13 gjyqtare në Gjykatën e Apelit, 5 gjyqtare në Gjykatën Komerciale dhe 118 gjyqtare janë në gjykatat themelore”, është shprehur Sadiku.
Sipas saj, në stafin profesional në gjykata përfaqësimi gjinor është më i mirë me 52.9 për qind gra. Kurse, në përgjithësi bashkë me staf dhe gjyqtare janë 49.2 për qind gra.
“Vitet e fundit, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka shënuar përparim sa i përket përzgjedhjes së gjyqtareve edhe në pozita vendimmarrëse. Dy kryetare të gjykatave janë zgjedhur në dy vitet e fundit, po ashtu 6 gjyqtare si gjyqtare mbikëqyrëse në degët e gjykatave. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se është e kënaqshme edhe për mua si grua në pozitën e zëvendëskryesueses”, ka deklaruar ajo.