TEMPUS

Rama-Morina: S’ka shumë të interesuar për trajnimet për Konventën Evropiane

Melihate Rama-Morina

Melihate Rama-Morina përqafuese nga Akademia e Drejtësisë, ka thënë se nuk ka shumë të interesuar për trajnimet për Konventën Evropiane.

E ftuar në “Tempus“, ajo tha se përkundër sfidave me buxhet, realizojnë shumë trajnime varësisht nga nevojat dhe kërkesat, si dhe zhvillimin e mekanizmave për hartimin e programeve trajnuese.

“Me keqardhje muj me thanë që numri nuk është i kënaqshëm edhe përkundër faktit që çdoherë në trajnimet e Konventës, Akademia e Drejtësisë përveç trajnuesve vendorë që i ka të angazhuar nga radhët e gjyqësorit qoftë të nivelit të Apelit dhe të nivelit Suprem apo prokurorë nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit dhe PSRK-ja, çdo herë me ndihmën e donatorëve ose partnerëve e sjell edhe nga një ekspert ose dy ndërkombëtarë”, tha Rama-Morina.

Sipas saj, krejt kjo falë bashkëpunimit të shkëlqyeshëm që kanë me shumicën e projekteve të Këshillit të Evropës, zyra në Prishtinë.

Mirëpo, ajo tha se në kuadër të këtyre trajnimeve nuk kanë ndonjë mekanizëm që i detyrojnë t’i ndjekin trajnimet.

“Ne nuk kemi në kuadër të trajnimeve të vazhdueshme, nuk kemi ndonjë mekanizëm që i detyrojmë ta ndjekin trajnimin”, ka thënë Rama-Morina.


Maxhuni: Kemi marrë pjesë në trajnimet për GJEDNJ, në disa raste s’janë trajtuar ato që ishin në interes për ne

Gjykatësi Agron Maxhuni, tha se në trajnimet në të cilat kanë marrë pjesë gjyqtarët për çështjet që lidhen me Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), nuk janë trajtuar rastet që kanë qenë me interes.

“Ne kemi pas trajnime ku kanë marrë pjesë edhe gjyqtarët, në disa raste ta themi drejtpërdrejti që nuk kemi pasur raste të trajtimit të vendimeve të cilat kanë qenë në interes për ne. Ka një ndryshim, ka një qasje ndryshe, tani kemi edhe ekspertë që vijnë prej shteteve të ndryshme që janë pjesë edhe e Këshillit të Evropës ose Bashkimit Evropian e që i përfshin ato raste”, tha Maxhuni.

Sa i përket vendimeve të Gjykatës së Apelit, gjykatësi Maxhuni ka thënë se kemi një rritje të konsiderueshme të rasteve ku gjyqtarët e Apelit, veçanërisht ata të fushës civile në rastet komplekse i referohen vendimeve të GJEDNJ-së.

“Madje i kam dy-tri të 2021-ës, 2023, 2024, ka raste për të cilat në njëfarë forme ka një intensitet të shtuar si rezultat edhe i shtimit të numrit të gjyqtarëve brenda Gjykatës së Apelit, e kemi një numër të konsiderueshëm të rekrutimeve të reja që janë bërë brenda Gjykatës së Apelit edhe kanë vendos me i zbatu në vendimet e tyre, vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, tha tutje Maxhuni.

Për më tepër, ai theksoi se nëse hyjmë në vendimet e Këshillit Gjyqësor dhe e përmendim GJEDNJ-në, automatikisht mund të kemi qasje në atë se sa vendimet i referohen vendimeve të GJEDNJ-së.

“Në momentin që ka vendos Këshilli me i publiku ato aktgjykime, qasja e të gjithë njerëzve, opinionit publik në raport me vendimet e gjykatës është e lehtë, sepse vetëm i drejtohesh e shkruan gjykata “GJEDNJ”, automatikisht del se a iu ka referu një gjyqtar rastit konkret në fakt vendimit të Gjykatës Evropiane”, ka thënë Maxhuni.

Megjithatë, ai tha se ka nevojë të menjëhershme për ta përmirësuar gjendjen dhe ka vullnet për përmirësim.


Gjykatësi Maxhuni thotë se ka rast kur në Vushtrri dorëzohen 300 lëndë në ditë për kontrata kolektive

Gjykatësi Agron Maxhuni derisa foli për ngarkesën e gjyqësorit me lëndë të rasteve që kanë të bëjnë me kontrata kolektive, tha se në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, Dega në Vushtrri ka rast që dërgohen rreth 300 lëndë në ditë për kontrata kolektive.

“Ka raste si Dega në Vushtrri që është, vijnë 300 lëndë të kësaj natyre për një ditë të vetme. Numri i lëndëve të zgjidhura në vitin që shkoi ka qenë 1 mijë e 276 përmes procedurës së ndërmjetësimit. Aty ka disa veprime për me i ndërmarrë, vendimi për referim të rastit, krejt këto vendime duhet të hyjnë në programin SMIL, krejt këto aktgjykime duhet, marrin edhe kohë teknike gjyqtarëve”, tha gjykatësi Maxhuni.

Maxhuni tha në “Tempus” të KTV-së se ky standard është krijuar, megjithatë numri i lëndëve është në rritje e sipër si rezultat i kërkesave të vazhdueshme që vijnë nga palët në mungesë të pagesës së rregullt të sekuestrimit financiar të marrëveshjes kolektive.

“Që është nënshkruar nga një ministër i caktuar i Arsimit ose i Shëndetësisë dhe që reflekton në buxhetin e vet Komunës, sepse këto ndarje buxhetore shkojnë pastaj edhe në procedurë përmbarimore”, tha Maxhuni.

Mirëpo, ai thotë se kjo nuk e justifikon sistemin gjyqësor për të mos i zbatuar standardet, përkatësisht vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“Veçanërisht kur lidhet me raste të komplikuara. Po ju them me përgjegjësi të plotë që kemi një rritje të konsiderueshme të rasteve ku gjyqtarët referohen me vendime Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, veçanërisht në rastet që janë të natyrës më komplekse brenda sistemit”, tha gjykatësi Maxhuni.
 


Gashi: Ende s’është krijuar mekanizmi i kompensimit të qytetarëve që zvarriten në gjykata

Suzana Gashi , përfaqësuese nga Avokati i Popullit, tha se nuk është krijuar mekanizmi i kompensimit të qytetarëve që zvarriten nëpër gjykata.

“Është një raport të cilin ne e kemi publikuar në vitin 2018, e që bëhet fjalë për krijimin e një mekanizmi për kompensimin e qytetarëve që janë viktima të zvarritjeve të procedurave në gjykatë. Çka është e vërtetë se duhet me pranu që për penale marrim shumë pak, ma shumë janë civile dhe aty këtu administrative. Në penale nuk shohim që ka ndonjë problem substancial sa i përket Avokatit të Popullit, sepse si duket aty shkojnë më shpejt. Në vitin 2018 e kemi vlerësuar se një rast civil merr 8 vite e gjysmë kohë hala pa u kry dhe kjo mesatare mund me u ngrit hala tu e marrë parasysh që rasti ka me shku edhe në instanca të tjera, domethënë për neve ka qenë shumë e papranueshme”, tha Gashi.

E ftuar në “Tempus“ të KTV-së, Gashi tha se kanë dalë me një raport për krijimin e një mekanizmi për kompensimin e qytetarëve që janë viktima të zvarritjes nëpër gjykata, i cili ka qenë kërkesë e Këshillit të Evropës. Sipas saj, ky raport nuk ka gjetur zbatim.

“Raporti që ne e kemi publikuar më 2018 nuk ka gjet zbatim, në fakt ky është kusht për Këshillin e Evropës, sepse shumë shteteve, në anëtarësim në Këshill të Evropës, edhe rasti i parë që ka me shku në Gjykatë Evropiane për të Drejtat e Njeriut, besoj që ka me u ballafaqu me këtë problem. E kemi të qartë, GJEDNJ nuk i ndërron ligjet, nuk i ç’bën vendimet e gjykatave por vendos disa standarde, e standardin që e ka vendos në shtetet përreth që janë anëtare në Këshill të Evropës, është me kriju këtë lloj mekanizmi i cili nuk është krijuar hala me gjithë premtimet, e që i bie një lloj dështimi i shtetit në plotësimin e kësaj”, tha Gashi.
 


A janë të obligueshme trajnimet në Akademinë e Drejtësisë për gjyqtarë dhe prokurorë?

Melihate Rama-Morina, përfaqësuese nga Akademia e Drejtësisë, tregoi se cilat trajnime janë të obligueshme për gjyqtarë dhe prokurorë, derisa përmendi se në kuadër të Akademisë funksionojnë tri programe.

“Në kuadër të Akademisë së Drejtësisë funksionojnë tri programe. Është programi i trajnimit fillestar, i cili i trajnon gjyqtarët dhe prokurorët e sapoemëruar, është programi i trajnimit të vazhdueshëm i cili ka për objektivë që t’i ngrejë kapacitetet profesionale të gjyqtarëve në shërbim dhe është programi për hulumtime dhe publikime”, tha Rama-Morina në “Tempus“ të KTV-së.

Sipas saj, trajnimet e programit fillestar janë të obligueshme, ndërsa trajnimet e programit të vazhdueshëm në parim janë vullnetare.

Mirëpo, ajo thotë se specifike janë rastet kur komisionet për vlerësim të performancës, qoftë në Këshillin Gjyqësor se atë Prokurorial vërejnë se performanca e një gjyqtari apo prokurori nuk është e mjaftueshme, shkojnë me kërkesë të veçantë te Akademia dhe atëherë ato trajnime mund të konsiderohen si të obligueshme.

Rama-Morina shtoi se Akademia e Drejtësisë rëndësi të veçantë iu kushton edhe kërkesave që dalin nga strategjitë e vendit, siç janë Strategjia për sundimin e ligjit dhe në veçanti programi kombëtar për të drejtat e njeriut.

“Përveç kësaj, Akademia e Drejtësisë edhe gjatë trajtimit të temave në fushën civile, penale, ekonomike dhe administrative kërkon që çështjet ligjore që trajtohen t’i referohen praktikës dhe perspektivës së GJEDNJ-së”, tha Rama-Morina.

Përfaqësuesja e Akademisë së Drejtësisë tha se vetëm gjatë vitit 2023 në kuadër të programit të trajnimit të vazhdueshëm, janë realizuar 9 trajnime për Konventën, me gjithsej 189 pjesëmarrës nga radhët e gjyqtarëve, prokurorëve dhe profesionistëve të tjerë siç i përcakton ligji.


 


Miftaraj: Fatkeqësisht, niveli i zbatimit të praktikës së GJEDNJ-së është pothuajse minimal

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në emisionin “Tempus” në KTV, tha se niveli i zbatimi të praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) është minimal dhe se këtë e tregojnë edhe gjetjet e një raportit të publikuar nga IKD.

“Instituti i Kosovës për Drejtësi brenda vitit i monitoron përafërsisht 2 mijë deri 3 mijë seanca gjyqësore në të gjitha gjykatat e Kosovës dhe fatkeqësisht niveli i zbatimit të praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut është pothuajse minimal. Në bazë të një raporti që kemi publikuar në vitin 2023, nga 209 aktgjykime që i kemi analizu, del që vetëm 9.5% zbatohet kjo. Dhe kjo kryesisht zbatohet në Gjykatën Supreme dhe në Gjykatën Themelore në Prishtinë”, tha Miftaraj.

Sipas tij, nga gjetjet e tyre në atë raport ka dalë se Gjykata e Apelit në asnjë rast nuk i është referuar praktikës së GJEDNJ-së, teksa theksoi se aktgjykimet e lartpërmendura janë marrë në bazë të rastësisë.
Miftaraj tha se jo vetëm paditësi, por edhe avokatët, palët tjera që duan ta realizojnë një të drejtë, nuk është se në kërkesat e tyre iu referohen praktikës së GJEDNJ-së. Tha se avokatët kur vlerësojnë se një e drejtë e klientit të tyre është cenuar, do duhej të kishin më shumë njohuri rreth kësaj praktike.

“Nuk përjashtojmë raste kur ka avokatë, të cilët e praktikojnë këtë, por nëse e marrim si fenomen është pothuajse në raste minore”, tha Miftaraj.

Miftaraj tha se ka shumë hapësirë për përmirësim, teksa përmendi se kanë filluar zbatimin e një projekti të financuar nga Ambasada Gjermane, i cili ka të bëjë me zbatimin e praktikës së GJEDNJ-së.

“Ne si Institut i Kosovës për Drejtësi së bashku me dy organizata tjera joqeveritare Lëvizjen FOL dhe Iniciativën për Progres (INPO), kemi filluar një projekt që mbështetet nga Ambasada Gjermane dhe Republika Federale e Gjermanisë, përmes së cilave do të fillojmë me fushata vetëdijesuese për rëndësinë që ka zbatimi i praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, tha ai.

Sipas tij, do të merren manualet e GJEDNJ-së që publikohen me praktikat më të mira që i trajtojnë gjatë një viti kalendarik dhe do t’i përshtaten kontekstit të Kosovës, do të përkthehen në gjuhën shqipe dhe serbe, në mënyrë që gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët të kenë qasje në to.

Nga monitorimi, Miftaraj thotë se kanë gjetur se në shumë raste nuk respektohen të drejtat e palëve në procedurë.
 


Avokati i Popullit vlerëson se praktika e GJEDNJ-së s’gjen zbatim te gjykatat e rregullta

Suzana Gashi, përfaqësuese nga Avokati i Popullit, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se gjatë monitorimit të lëndëve, Avokati i Popullit ka vërejtur se ka pak raste nga gjykatat e rregullta që i referohen praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ).

“Deri tani, Avokati i Popullit gjatë monitorimit të lëndëve që vijnë te na, shumë pak ka parë raste ku gjykatat e rregullta i referohen praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Këtë kryesisht e bën Gjykata Kushtetuese. Ata marrin modele shumë të mira edhe i inkorporojnë te vendimet e veta. Por, edhe Avokati i Popullit ka kohë që kur të gjen shkelje te ankesat që vijnë te Avokati i Popullit. Në fakt, është puna jonë e përditshme me i pa dhe me i lexu vendimet e GJEDNJ-së edhe me i përkthy në kontekstin e rastit të cilin e trajtojmë”, tha Gashi.

Gashi, e cila njëherësh është drejtoreshë e Departamentit për Mbrojtje nga Diskriminimi në Avokatin e Popullit, ritheksoi se nuk ka shumë raste të gjykatave të rregullta, por mund të ketë disa përjashtime tek Gjykata Supreme. Ajo shtoi se janë dy raste të diskriminimit që nuk janë trajtuar në mënyrën e duhur nga gjykatat.

“Unë për vete nuk kam pa rast të gjykatave të rregullta që i referohet praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. E çka është akoma më keq është se i kemi dy raste të diskriminimit, të cilët nuk janë trajtuar nga gjykata në mënyrë të duhur, në kuptimin e barrës së provës”, tha Gashi.
Përfaqësuesja e Avokatit të Popullit shtoi se pala e cila paraqet padi për diskriminim, duhet t’ia ofrojë gjykatës provat “prima facie” që ka diskriminim, mirëpo të provuarit që nuk ka diskriminim duhet ta bëjë pala e paditur.

E njëjta tha se bëhet fjalë për dy rastet e njohura: Faruk Kukaj kundër Komunës së Prishtinës dhe rasti tjetër në Gjykatën Themelore në Mitrovicë- Dega në Vushtrri, i cili ka të bëjë me qasjen e personave me aftësi të kufizuara në objekte publike.

“Gjykata nuk ka vepru në bazë të Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi, nuk iu ka referu standardeve evropiane për të drejtat e njeriut në dy kuptime”, tha ajo.
Gashi tha se ligji kërkon që kryerësi i diskriminimit të ndalohet së përsërituri veprimin diskriminues dhe barra e provës duhet të bie te i padituri. Ajo shtoi se Kukaj është detyruar vetë ta paguajë ekspertizën për të provuar diskriminimin.
 


Maxhuni: Ka rritje të rasteve ku gjyqtarët u referohen vendimeve të GJEDNJ-së

Gjykatësi Agron Maxhuni tha se vitet e fundit ka rritje të rasteve ku gjyqtarët me rastin e trajtimit të lëndëve të caktuara, i referohen vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ).

“Krahasuar me vitet e kaluara, kemi një avancim, përkatësisht një rritje të rasteve ku gjyqtarët me rastin e trajtimit të lëndëve, të çështjeve që janë brenda gjykatës, u referohen edhe vendimeve që lidhen me natyrën e çështjes”, tha Maxhuni në emisionin “Tempus” në KTV.

Gjykatësi theksoi se ka një avancim duke marrë parasysh se një numër i konsiderueshëm i gjyqtarëve të cilët janë në sistem, kanë kompetencë t’i lexojnë dhe zbatojnë vendimet e GJEDNJ-së në kuadër të vendimeve që i marrin.

“Veçanërisht, kemi një numër të konsiderueshëm të rasteve që kanë të bëjnë me kompensimet e dëmeve në fushën civile, përkatësisht dëmeve jomateriale. Po ashtu, te liria e shprehjes kemi numër të konsiderueshëm të vendimeve të gjykatave, Gjykatës Themelore, Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Supreme. Po ashtu, edhe në raport me të provuarit që lidhet me çështjet penale, kemi një numër të konsiderueshëm të vendimeve që janë marrë nga gjykatat. Standardet e sigurimit të provave si dhe çështjet që kanë të bëjnë me diskriminimin, pronësinë industriale dhe të drejtën e autorit”, tha ai.

Sipas tij, ka rritje të konsiderueshme të rasteve ku gjyqtarët me rastin e vendosjes për një çështje të caktuar e cila i referohet gjykatave në të gjitha nivelet, trajtohet dhe integrohet vendimi i GJEDNJ-së në raport me vendimin që e marrin gjyqtarët.