Drejtoresha ekzekutive e Nismës së të Rinjve për të Drejta të Njeriut, Marigona Shabiu, Senad Ibishi nga organizata Voice of Roma, Ashkali and Egyptians, drejtoresha ekzekutive në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli, dhe Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi, të ftuar në emisionin “Tempus” në KTV, kanë folur për rëndësinë dhe përparësitë që ka anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, ndërsa kritikuan Qeverinë për neglizhencë.
Shabiu tha se është shumë e rëndësishme që qytetarët e Kosovës në momentin e anëtarësimit të kenë një mekanizëm shtesë ku mund t’i kërkojnë të drejtat dhe ku mund të adresohen për mbrojtje të të drejtave të tyre në rast se mekanizmat shtetërorë, mekanizmat në nivel të Kosovës dështojnë t’i mbrojnë këto të drejta.
“Domethënë është qasja në një prej aspekteve më të rëndësishme do të konsideroja në rast të anëtarësimit është qasja në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, tha Shabiu.
Sipas saj, Kosova i ka shumicën e konventave ndërkombëtare në Kushtetutë e që të njëjtat mbizotërojnë në rast të konfliktit me Kushtetutën ose me legjislacionin në fuqi.
“Mirëpo, në praktikën ligjore ose vendimet që merren, janë marrë deri tash në Gjykatën Evropiane janë direkt të aplikueshme, ku të gjitha gjykatat duhet t’i marrin parasysh, pak i marrin parasysh edhe raporti e nxjerrë këtë, shumë pak referohen vendimet e Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut për fat të keq, kështu që qasja e qytetarëve në Gjykatën Evropiane të drejtësisë do të kishte me qenë përfitimi më i madh që do t’i mundësohej qytetarëve të Kosovës”, tha Shabiu.
Ibishi nga organizata Voice of Roma, Ashkali and Egyptians (VoRAE), tha se Kosovës do t’i kushtonte shumë mosanëtarësimi në Këshillin e Evropës.
“Definitivisht (me mosanëtarësim) e bën një hap prapa drejt nismave të regjionit të cilat janë shumë qenësore për Kosovën dhe pa të cilën Kosova nuk do të kishte një të ardhme proevropiane”, tha Ibishi.
Në anën tjetër, Luljeta Demolli, drejtoreshë ekzekutive në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, tha se qytetarët nuk janë të informuar për Këshillin e Evropës andaj edhe Qeveria po e shfrytëzon rastin.
“Në momentin që qytetarët e Kosovës do të informohen se sa të mira do t’i sillte ky anëtarësim po besoj se do t’ia kërkonte më shumë Qeverisë dhe do ta përshpejtonin drejt anëtarësimit për shkak se po e shohim se qytetarët nuk e kanë informimin e duhur për nevojën që duhet të jemi, po e shohim që ka një keqpërdorim dhe një mospunë në këtë drejtim, nuk e shohim Qeverinë shumë që po e dëshiron sepse anëtarësimi në këtë Gjykatë (GJEDNJ) ka shumë detyra për Qeverinë, kërkon shumë obligime dhe mendoj nganjëherë që nuk është shumë Asociacioni në pyetje sa është mosgatishmëria e shtetit për t’i marrë këto detyra”, tha Demolli.
Ajo tha se beson që Qeveria do ta shtyjë anëtarësimin edhe për një vit, ngase kërkon punë dhe përkushtim, e që populizmat bien në ujë pastaj.
Ndërsa, Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se në rastin e anëtarësimit në KiE po shihet një kalkulim politik ani pse nuk do duhej të ndodhte.
“Shoh një kalkulim politik në diçka që nuk guxon të kalkulohet politikisht. Anëtarësimi në Këshillin e Evropës është aspiratë e Kushtetutës së Republikës së Kosovës qysh prej ditës që është miratu. Kushtetuta e Republikës së Kosovës njëanshëm e ka inkorporuar në Kushtetutën e saj Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut krahas instrumenteve tjera dhe ka përcaktuar neni 53 se të gjitha të drejtat interpretohen në përputhje me Jurisprudencën e Konventës së të Drejtave të Njeriut. Pra, mund të ketë kuptime të ndryshme të të drejtave të njeriut, por Kushtetuta ka thënë se kuptimi është ajo që e jep Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Po flasim për një kohë kur është miratuar Kushtetua dhe kjo e ka treguar aspiratën që Kosova të jetë pjesë e KiE”, tha Shala.
Sipas tij, qasja në GJEDNJ do ta bënte Kosovën shtet që mbikëqyret ndërkombëtarisht lidhur me zbatimin e të drejtave të njeriut. Për këtë arsye, thotë se nuk sheh vend për t’u bërë politikë ditore me këtë proces.