TEMPUS

Sefaj thotë se vendimin për rritjen e çmimit të energjisë do ta dërgojnë në Gjykatë

Ali Sefaj

Ali Sefaj, përfaqësues i grupit protestues “Asnjë Cent më Shumë”, ka paralajmëruar masa ligjore ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për rritjen e çmimit të energjisë.

I ftuar në emisionin “Tempus”, ai tha se përveç protestave, do të ndjekin edhe rrugën gjyqësore për ta kundërshtuar këtë vendim, të cilin e cilëson si arbitrar dhe të dëmshëm për interesin publik.

“Ne kemi paralajmëru protestë dhe do të mbajmë. Ata aty janë me mbrojtë interesin publik. Në rast se ata do të marrin vendim të tillë, i cili vendim për ne është arbitrar, ne do ta atakojmë në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe kemi argumente të bollshme”, u shpreh Sefaj.

Ai theksoi se për momentin nuk do t’i bëjë publike argumentet juridike që do të përdoren në padi, për të mos i dhënë mundësi palës tjetër që t’i shmanget atyre.

“Nuk po du me i cek sonte cilat, për t’ju sjell në mendje që ndonjërën prej tyre ta evitojnë”, tha ai.

Sipas tij, qëllimi i padisë është që Gjykata të pezullojë përkohësisht zbatimin e vendimit të ZRrE-së, deri në një vendim përfundimtar, deri në një Kuvend të ri që do t’i largojë anëtarët aktual të Bordit të ZRrE-së dhe për të emëruar një Bord të ri që mbron interesin e publikut.

Në rast të mosveprimit institucional, ai paralajmëroi rritje të presionit qytetar dhe nisjen e një nisme legjislative për të parandaluar vendime që, sipas tij, e bëjnë të pamundur jetën për qytetarët.

“Në rast se prap do të ketë hezitim, ne do të përdorim presionin qytetar që të nisim iniciativë legjislative që të ndalet kjo katrahurë që e bën të pamundshme jetën e qytetarëve”, përfundoi ai. /BetimipërDrejtësi


 

Mustafa: Po ta dinin institucionet rrezikun e lartë të operimit në sektorin e energjisë, s’do i merrte gjumi natën

Bashkim Mustafa, profesor i ekonomisë, tha se po ta dinin rrezikun e lartë të operimit në sektorin e energjisë institucionet përgjegjëse, nuk do i merrte gjumi natën.

I ftuar në emisionin “Tempus”, profesori Mustafa theksoi se është jashtëzakonisht shqetësues rrisku i lartë me të cilin operohet në sektorin e energjisë.

“Me ditë rriskun e lartë njerëzit pergjegjës, Ministria e Ekonomisë, Qeveria në përgjithësi, KEK-u, me çfarë rrisku të lartë jemi duke operuaruar në sektorin e energjisë, gjumi natën nuk ish dashtë me i marrë po ish dashtë të mbyllen në zyrë me javë të tëra e të sjellin plan dinamik të planifikimit afatshkurtë dhe afatgjatë me dalë nga rreziku i lartë i operimit në sektorin e energjisë”, tha ai.

Mustafa theksoi Kosova është duke operuar me termoelektrana të stërvjetruara që është dashur të hyjnë në riparim që në vitin 2019, pasi që ato janë makineri dhe mund të prishen dhe të na dërgojnë në kolaps energjetik, kështu duke shtuar se rrisku është shumë i lartë.

Po ashtu, sipas profesorit Mustafa, ne ende nuk kemi as plan se si të dilet nga kjo situatë ku asgjë nuk kemi të sigurtë për të ardhmen.

“Sot nuk kemi plan as afatshkurtë as afatgjatë se si të dilet nga kjo, kush garanton se në fund të vitit do të kemi energji të mjaftueshme dhe se vitin tjetër nuk do të ketë rritje të sërishme të energjisë, mungon llogaridhënia dhe përgjegjësia politike dhe profesionale mbi kompetetntet që janë përgjegjës”, tha ai. /BetimipërDrejtësi


Nura: Do duhej të mendoheshin zgjidhje, jo “xhokeri” i fundit të përdoret ngritja e çmimit

Ekonomistja dhe ndërmarrësja Vjollca Nura, ka kritikuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke e cilësuar si “jokerin e fundit” që nuk do të duhej përdorur pa u shqyrtuar më parë opsionet e tjera të mundshme. E ftuar në emisionin “Tempus”, Nura tha se qytetarët nuk duhet të jenë ata që bartin pasojat e keqmenaxhimeve institucionale.

“Nëse ka ndodhë një keqmenaxhim, atë keqmenaxhim nuk duhet ta paguajë bartësi i fundit, që është qytetari. Qytetari po paguan taksën, TVSh-në dhe shërbimet publike, dhe nuk ish dashtë me e pagu ai”, theksoi Nura.

Ajo kritikoi mungesën e alternativave që janë marrë në konsideratë para marrjes së vendimit për rritje të çmimit, duke thënë se kjo tregon mungesë kreativiteti dhe mungesë të qasjes së drejtë ndaj interesit të qytetarëve.

“Cilido që është argumenti i Qeverisë, nuk ish dashtë me pasë një rritje të tillë, sepse më duket jokreative me mendu me përdor jokerin e fundit pa e konsideru asnjë opsion tjetër, që i bie direkt me shtrenjtim. Këtë çështje ish dashtë me e pa prej spektrit të qytetarit”, shtoi ajo.

Nura u shpreh skeptike edhe ndaj arsyetimit për nevojën e stabilitetit energjetik si bazë për vendimin, duke kujtuar se rritjet e mëhershme të çmimit nuk janë shoqëruar me masa për stabilitet energjetik.

“Sa i përket sigurisë, nëse ish kanë argument ofrimi i një stabiliteti energjetik, kjo është dashtë me ndodhë edhe më herët kur është shtrejtu rryma, por kjo s’ka ndodhë”, tha Nura.

Ekonomistja tha se pasojat e kësaj politike po ndihen në mënyrë të shumëfishtë nga qytetarët, me rritjen e vazhdueshme të çmimeve të ushqimeve dhe shërbimeve dhe zhvlerësimin e vlerës monetare të të ardhurave.

“Përveç shpenzimeve që po shtohen – rritjes së ushqimeve, shërbimeve – është duke u shtu edhe rritja e rrymës. Është duke u zhvlerësu vlera monetare e mjeteve”, theksoi Nura.

Duke folur për masat mbështetëse të ndërmarra nga Qeveria, ajo tha se ndihmat direkte prej 10 apo 20 eurosh janë joadekuate dhe mund të ishin investuar në mënyrë më të qëndrueshme.

“Shtesat e Qeverisë prej 20 euro kanë dalë diku rreth 65 milionë euro. Me 20 euro e 10 euro nuk ki çka bën. Mirëpo, sikur këto 65 milionë euro të investoheshin – do të krijohej një siguri dhe kapacitete për vite me radhë, sepse hapësirat punuese do duhej të mbahen me vite me radhë”, tha ajo.

Në fund, Nura bëri thirrje për qasje gjithëpërfshirëse dhe përfshirjen e të gjithë aktorëve në gjetjen e zgjidhjeve që nuk rëndojnë më tej qytetarët. /BetimipërDrejtësi


Sefaj: Protesta ka qenë mesazh i qartë “Asnjë cent më shumë”

Ali Sefaj, përfaqësues i grupit protestues “Asnjë Cent më Shumë”, në emisionin “Tempus” në KTV, ka thënë se protesta e fundit kundër rritjes së çmimit të energjisë ka qenë një mesazh i qartë për institucionet. Ai tha se motoja e tyre përfaqëson gjendjen reale të qytetarëve dhe barrën që po përballojnë përballë një çmimi të lartë të energjisë elektrike.

“Na e kemi një moto ‘Asnjë cent më shumë’. Mendojmë që çmimi i energjisë është i shtrenjtë për shoqërinë tonë. Në rast se bëjmë krahasim me vende të rajonit, për shembull me Maqedoninë, kompania e distribucionit megavatin e energjisë elektrike e blen rreth 60 euro, e në Kosovë rreth 30 euro. Shpeshherë ne mbulojmë fatura më shumë sesa të ardhurat që i kemi”, tha Sefaj.

Ai theksoi se protesta ka tejkaluar pritjet e tyre, pasi pjesëmarrja e qytetarëve ka qenë masive, gjë që nuk ndodh shpesh për çështje bazike në Kosovë.

“Protesta ishte me mijëra njerëz dhe përtej deklarimeve që ne i kemi dhënë, nuk e kemi pasë atë pritje, pasi që s’jemi mësu me i pa shqiptarët me protestu për gjëra bazike. Mendoj që ka qenë mesazh i qartë, dhe pas atij mesazhi që kanë dhënë qytetarët dhe kërkesave që i kemi pasë, kemi pasë dalje të përditshme të Ministres së Ekonomisë që dilte t’i korrigjonte deklarimet paraprake”, shtoi Sefaj.

Sefaj u shpreh se kërkesa e vetme e tyre është që njerëzit që paguhen nga taksat publike të jenë në shërbim të publikut– veçanërisht anëtarët e Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji.

“Ata janë aty për me luajt funksionin e rregullatorit dhe për me mbrojtë interesin publik. Dhe në rast se ata nuk dinë se si menaxhohet, ne e dimë alternativën. Ata duhet të japin dorëheqje dhe, pasi që të konstituohet Kuvendi, të zgjedh në atë bord njerëz kredibil që mund ta balancojnë ofertën dhe kërkesën, duke i marrë parasysh të gjitha mundësitë dhe nevojat dhe duke i konsultuar të gjithë akterët e mundshëm”, tha Sefaj.

Ai shtoi se nuk po e kupton inercionin e bartësve institucionalë në raport me këtë situatë.

“Ata janë aty me mbrojtë Republikën, dhe kërkesat tona janë adresu ndaj tyre. Dhe në rast se ata nuk dinë t’ju japin udhë, më e pakta që mund të bëjnë – një vendimmarrje meritore – është ta shtyjnë vendimin dhe duke e refuzu kërkesën e KEDS-it ose ata të japin dorëheqje dhe ky mekanizëm të jetë jofunksional derisa të konstituohet Kuvendi i ri dhe Kuvendi i ri t’i zgjedh njerëzit që e përfaqësojnë publiken dhe Republikën”, përfundoi Sefaj. /BetimipërDrejtësi


Rritja e tarifave të energjisë, Nura: Kjo situatë do ndikojë në rritjen e papunësisë

Vjollca Nura

Vjollca Nura, ekonomiste dhe ndërmarrëse, tha se shtrenjtimi i energjisë do ndikojë në rritjen e papunësisë.

E ftuar në emisionin “Tempus”, Nura tha se nëse do të ketë shtrenjtim të energjisë, atëherë kjo do të ketë efekt zinxhiror pasi që është një faktor kyç me të cilin lidhet gjithçka tjetër.

Nura theksoi se në situatën në të cilën jemi, do të duhej që Qeveria të marrë masa, që lehtësojnë situatën dhe ua mundësojnë bizneseve rritjen e pagave ose në të kundërtën situata e tillë rrezikon shkurtimin e vendeve të punës, për shkak se shumë prej kompanive nuk arrijnë të mbajnë koston operative për shkak të shtrenjtimit.

Kjo sipas saj sjell në rritjen e papunësisë dhe do të bëhej barrë për shtetin.

“Nëse ndodhë kjo, atëherë ku po mbetet menaxhimi i mirë, ose zbutja e papunësisë ose gjithë ato të cilat thirren zakonisht partitë në fushata?”. /BetimipërDrejtësi


Mustafa: Arsyet e ZRrE-së s’kanë sens dhe janë të pabazuara

Bashkim Mustafa

Bashkim Mustafa, profesor i ekonomisë, duke diskutuar lidhur me rritjen e çmimit të energjisë elektrike për 15%, ka kritikuar mënyrën dhe arsyetimin e dhënë nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE).

Mustafa tha se rritja e çmimit të energjisë nuk është thjesht një çështje teknike, por ka pasoja të mëdha për qytetarët dhe ekonominë e vendit.

Sipas tij, raporti i ZRrE-së është për keqardhje, jo vetëm për përmbajtjen por edhe për mungesën e një metodologjie të mirëfilltë dhe arsyetimet e papërgjegjshme që janë dhënë për këtë vendim.

“Nuk kemi të bëjmë vetëm me një rritje prej 15% për të evituar kolapsin energjetik, por me një rritje zinxhirore që ndikon drejtpërdrejt në shportën bazë të konsumit. Rritja e çmimit të energjisë godet ekonominë familjare, zvogëlon fuqinë blerëse dhe rrit çmimet e të gjitha mallrave dhe shërbimeve që kanë si bazë energjinë elektrike – përfshirë produktet ushqimore”, u shpreh Mustafa në “Tempus“.

Ai ka hedhur poshtë edhe disa nga arsyetimet që ZRrE i ka paraqitur në raport, siç është rritja e pagës minimale për punëtorët e KEDS-it.

“Nëse flasim për punëtorët e KEDS-it që janë diku 100 apo 200 persona, shumica në sigurim fizik, ndikimi i tyre financiar nuk mund të jetë më shumë se disa qindra mijëra euro në vit. Kjo nuk është arsye për të rritur çmimin për gjithë qytetarët”, tha ai.

Po ashtu, Mustafa kritikoi dështimet e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) në realizimin e prodhimit dhe mungesën e investimeve në sektorin e energjisë. Tha se për këtë gjendje nuk ka dhënë askush llogari, përfshirë Ministrinë e Ekonomisë.

“Kemi devalvim total të kapaciteteve të termoelektranave. Në menaxhment dhe borde janë vendosur persona jokompetent dhe joprofesional. Kjo është e patolerueshme. Ministrja i ik përgjegjësisë. Askush nuk jep llogari për këto dështime”, shtoi ai.

Profesori Mustafa apeloi që qytetarët të ngritin zërin dhe të kërkojnë llogaridhënie nga institucionet, duke thënë se vetëm përmes presionit qytetar mund të parandalohet padrejtësia që po u bëhet qytetarëve./BetimipërDrejtësi


Ejupi: 60 mijë familje në Kosovë i kanë 250 euro të hyrat, tarifat e rrymës po bëhen të papërballueshme

Burim Ejupi

Burim Ejupi, drejtor ekzekutiv i Institutit për Politika Zhvillimore (INDEP), tha se 60 mijë familje në Kosovë kanë të hyra prej 250 euro, ndërsa tarifat e energjisë po bëhen të papërballueshme.

I ftuar në “Tempus“, Ejupi tha se Zyra e Rregullatorit të Energjisë, të premten ftoi në takim shoqërinë civile, të cilët kanë dhënë komentet e tyre.

Ai tha se ZRrE-ja duhet që para se të marrë vendim, t’i takojë të gjitha palët e interesit. Ndërsa, shtoi se ka filluar një vetëdijesim i qytetarëve për tarifat e energjisë.

“Kjo është hera e tretë në tri vitet e fundit që po shtrenjtohet rryma dhe zakonisht këto tarifa tash po bëhen të papërballueshme kur dihet që nëse rroga mesatare në Kosovë ka qenë 570 ose 600 euro dhe faturat e energjisë mbërrijnë diku 80 euro, në vit, po folim për mesatare, kjo i bjen që më shumë se 15% të të hyrave shkojnë për energji elektrike”, tha Ejupi.

Ai përmendi një rast të mbështetjes së familjeve në nevojë, ku thotë se kush për ta fituar atë subvencion ka qenë të hyrat të jenë prej 250 euro në muaj dhe se kishin përfituar 60 mijë familje.

“Unë po ju besoj të dhënave që nuk ka pasur ndonjë manipulim aty, 60 mijë familje në Kosovë i kanë të hyrat më të vogla se 250 euro në muaj. Nëse një faturë e energjisë vjen 50 euro, kjo i bjen që 20%  të të hyrave shkojnë për një shërbim, kur dihet që edhe shërbimi i bërllokut është shtrenjtu për 30% këto dy-tri vjet”, tha Ejupi.

Ejupi tha se të gjitha shërbimet janë shtrenjtuar në vitet e fundit, por rrogat kanë mbetur të njëjta. /BetimipërDrejtësi