TEMPUS

Maliqi: Mediat dhe shoqëria civile duhet të promovojnë forcimin e institucioneve të pavarura nga ndërhyrjet politike

Agon MAliqi

Analisti politik Agon Maliqi ka theksuar rëndësinë e forcimit të besimit publik në institucionet e pavarura, duke vënë në pah ndikimin negativ të delegjitimimit të tyre nga politika dhe shoqëria civile.

Ai ka theksuar se në rajon, sidomos në Kosovë, është vërejtur një përpjekje për të minuar besimin ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe Prokurorisë, duke krijuar perceptimin se janë të korruptuara.

Sipas tij, kjo qasje është e gabuar dhe dëmton funksionimin e shtetit.

“Duhet të kuptojmë se institucionet janë ato që mbesin, ndërsa partitë politike vijnë e shkojnë”, tha Maliqi, në emisionin “Tempus”.

Ai përmendi shembullin e Shqipërisë, ku puna e SPAK (Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar) ka ndihmuar në ndërtimin e besimit publik.

Sipas sondazheve, SPAK është një nga institucionet më të besueshme në vend, gjë që, sipas Maliqit, duhet të shërbejë si model për rajonin.

Maliqi kërkoi që të rritet roli i shoqërisë civile dhe mediave në promovimin e institucioneve të pavarura.

Ai sugjeroi që këto akterë duhet të ndihmojnë në luftimin e presioneve politike ndaj institucioneve dhe të promovojnë ata që qëndrojnë të paanshëm dhe rezistojnë ndaj ndërhyrjeve politike.

“Shoqëria civile dhe mediat duhet të mbështesin figurat brenda sistemit që luftojnë kundër presioneve dhe të forcojnë narrativën pozitive për institucionet e pavarura”, shtoi ai.

Maliqi vuri në dukje rolin e rëndësishëm të mbështetjes ndërkombëtare, veçanërisht nga SHBA, në ndërtimin e institucioneve të shëndosha dhe funksionale në Kosovë.

Ai theksoi se përparimi i arritur deri më tani është falë investimeve të mëdha nga perëndimi, të cilat synojnë krijimin e një shteti ku sundon ligji, si parakusht për integrimin evropian.

“Nuk jemi të vetëdijshëm për sasinë e investimit që ka bërë perëndimi në Kosovë dhe për ndihmën që na është dhënë për të ndërtuar një shtet pothuajse nga zero”, tha Maliqi, duke nënvizuar se qëllimi i këtyre masave është ndërtimi i institucioneve të qëndrueshme dhe jo kontrolli politik.

Analisti Maliqi ka theksuar se është detyrë e të gjithëve – nga shoqëria civile te mediat – të kontribuojnë në rritjen e besimit në institucionet e pavarura, duke i mbështetur kur e bëjnë punën mirë dhe duke i kritikuar kur gabojnë, në mënyrë që të sigurohet një shtet i qëndrueshëm dhe funksional.