Neshko Maksimoviq, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se projekti i IKD-së i financuar nga UNMIK-u, synon rritjen e numrit të aktgjykimeve të publikuara.
Në emisionin “Tempus” në KTV, ai tha se ligji parasheh që çdo aktgjykim duhet të publikohet, por gjykatat e Kosovës ende ngecin në këtë drejtim, pasi nuk publikohen të gjitha aktgjykimet që janë nxjerrë.
“Organizata jonë ka mbështetur një projekt të financuar nga UNMIK-u dhe është duke punuar drejt rritjes së këtij numri sa më shumë që të jetë e mundur në mënyrë që të marrim një numër prej 100% të vendimeve gjyqësore të publikuara. Megjithatë, është shumë larg dhe shpresojmë të arrijmë atje”, tha Maksimoviq.
Paraprakisht, ai tha se Ligji për Gjykatat dhe udhëzimi administrativ i nxjerrë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës parasheh që çdo aktgjykim të publikohet.
“Sa i përket projektit të mbështetur nga organizata jonë Instituti i Kosovës për Drejtësi, i cili financohet nga UNMIK-u, katër zyrtarë ligjorë janë punësuar për të punuar në Gjykatat në Prishtinë dhe Mitrovicë për anonimizimin dhe publikimin e vendimeve gjyqësore”, tha ai.
Sipas Maksimoviq, deri më tani, prej tyre janë publikuar mbi 4 mijë e 500 aktgjykime.
“Dhe ajo që dua të them gjithashtu është se transparenca është shumë e rëndësishme sepse rrit besimin e publikut në sistemin gjyqësor, nëse marrim statistikat e vitit 2018 mund të shohim se gjatë vitit 2018 janë publikuar vetëm 450 gjykime në muaj, pastaj më 2019 do të ketë një rritje të numrit të gjykimeve të publikuara me 1 mijë dhe aty shohim një rritje prej 120%”, shtoi Maksimoviq.
