Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 janë të parat zgjedhje të rregullta në Kosovë pas më shumë se një dekade zgjedhjesh të parakohshme. Megjithatë, partitë nuk i kushtuan rëndësi përbërjes së listave me kandidatë pa probleme ligjore.
Nga 28 subjekte të certifikuara, tre prej tyre – Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe koalicioni AAK-Nisma – përfshinë kandidatë me aktakuza aktive ose dënime penale. Në total, nga 330 kandidatë që kanë paraqitur të tre këto subjekte, i bie që 7% e tyre të kenë probleme me ligjin.
Lëvizja Vetëvendosje ka më së shumti kandidatë të tillë, 14, që përfaqësojnë 12.7% të listës.
Koalicioni AAK-Nisma përfshin 8 kandidatë (7.3%), pesë nga AAK dhe tre nga Nisma.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka një kandidat me probleme ligjore.
Këto zgjedhje ishin edhe test i rëndësishëm për demokracinë e vendit, për mënyrën se si respektohen rregullat zgjedhore dhe për besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor.
Por, fushata zgjedhore nuk kaloi pa polemika dhe shkelje të rregullave. Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka marrë qindra ankesa për parregullsi, që kanë rezultuar me gjoba të mëdha për partitë politike dhe kandidatët e tyre.
Shkeljet gjatë fushatës zgjedhore në Kosovë kanë rezultuar me gjoba të mëdha për partitë politike dhe kandidatët që nuk kanë respektuar rregullat e përcaktuara në Kodin e Etikës. Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa deri më 8 shkurt ka shqyrtuar 222 ankesa për shkeljet gjatë fushatës, nga të cilat 125 janë aprovuar dhe 97 janë refuzuar.
Në total, PZAP ka shqiptuar 654,500 euro gjoba, duke penalizuar partitë për gjuhë nxitëse dhe të urrejtjes, përdorim të resurseve publike, vendosje të materialeve zgjedhore në hapësira publike, përdorimin e fëmijëve në fushatë dhe pengimin e gazetarëve në kryerjen e punës së tyre.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) është partia më e dënuar, me 202,500 euro gjobë.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 143,500 euro gjobë.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është gjobitur me 141,600 euro.
Koalicioni AAK-NISMA është dënuar prej 81,200 euro.
Koalicioni për Familjen është dënuar me 33,000 euro.
Lista Serbe me 21,500 euro.
Parti të tjera, përfshirë subjektet e komuniteteve, kanë marrë gjoba më të vogla, nga 1,000 deri në 12,000 euro.
Pa ankesa dhe pa gjoba nuk kaloi edhe dita e zgjedhjeve.
PZAP në këtë ditë shqyrtoi 79 ankesa për shkeljet gjatë fushatës, nga të cilat 18 janë aprovuar dhe 61 janë refuzuar. Në total, për ditën e zgjedhjeve shqiptoi 42,500 euro gjoba.
LVV është partia më e dënuar, me 25,500 euro gjobë.
PDK me 4,500 euro gjobë.
LDK është gjobitur me 1,500 euro.
Koalicioni AAK-NISMA ka marrë gjobë prej 3,000 euro.
Koalicioni për Familjen është dënuar me 2,000 euro dhe,
Lista Serbe me 5,000 euro dhe OPRE ROMA, me 1,000 euro gjobë.
“Kurti dikur sfidonte të tjerët ‘hajdi dhe ballafaqohemi’, tash nuk pranon të ballafaqohet"
Gazetari i Grupit KOHA, Besnik Krasniqi, e quajti qasje të gabuar refuzimin e kandidatëve për kryeministër që të ballafaqohen në një debat. Në këtë rast, ai përmendi kryeministrin Albin Kurti, kur në të kaluarën sfidonte të tjerët që të ballafaqohen, teksa tash nuk pranoi një gjë të tillë.
“Është absolutisht e gabuar, nuk i ndihmon demokracisë. Ballafaqimi mes liderëve ka qenë i domosdoshëm, i nevojshëm. Na kujtohen sfidat që përpara zoti Kurti ua bënte të tjerëve “hajdi dhe ballafaqohemi” dhe pastaj vije koha kur ai s’pranon të ballafaqohet”, tha Krasniqi.
Refuzimi i ballafaqimit nga ana e kandidatëve, tha se nuk mund të arsyetohet dhe se nga kjo pëson më së shumti publiku.
“Është absolutisht qasje e gabuar (rezufizmi i ballafaqimit nga kandidatët) edhe nuk mund të arsyetohet në asnjë mënyrë. Më së shumti publiku e pëson, një pjesë e madhe e publikut, meqë në arsyetimet e politikanëve është kjo që teknologjia e re, mënyra qysh sot konceptohet media, i orienton ata tek disa platforma që mendojnë të mbërrijnë target audienca të caktuara. Po e zëmë sikur më parë ka qenë orientimi në Tik-Tok, sot secili njeri është media në vete, edhe nëse do me përçu mesazh tek një target audiencë, e bën këtë përmes kanalit që ka në rrjete sociale”, tha Krasniqi.
Ai tha se është keq që subjekti kryesor në vend- Lëvizja Vetëvendosje, ka vendosur t’i bojkotojë një numër mediash.
“Nuk është që pa faj janë subjektet tjera politike, po e zëmë na kemi pas ftesë për krejt liderët e partive politike që të jenë në këtë studio, asnjë s’ka ardhë me u ballafaqu me pyetjet në kohë fushate”, tha Krasniqi.
Gazetari shtoi se është gabim të portretizohet vetëm një subjekt politik që i ka bojkotuar zgjedhjet.
Krasniqi dhe Miftaraj me qëndrime të kundërta për deklaratën e Grenellit mbi zgjedhjet në Kosovë
Në emisionin “Tempus” në KTV, gazetari Besnik Krasniqi dhe drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, kanë shprehur mendime të kundërta lidhur me deklaratat e emisarit amerikan për misione të posaçme, Richard Grenell, për zgjedhjet në Kosovë.
Krasniqi theksoi se raporti i vëzhguesve ndërkombëtarë, veçanërisht i BE-së, ka qenë më i guximshëm në artikulimin e gjetjeve, përfshirë ndërhyrjet e jashtme në zgjedhje.
“Nuk është e vogël ndërhyrja e jashtme në zgjedhje. Madje, do të mund të ishte gjetja më kryesore nëse faktorët e jashtëm ndërhyjnë në zgjedhjet e brendshme. Pyetja është: pse nuk evidentohet kjo? Evropianët e kanë guximin të evidentojnë ndërhyrjen e Grenellit”, tha Krasniqi.
Nga ana tjetër, Miftaraj argumentoi se Grenelli nuk mbështeti një parti të caktuar. Ai përmendi po ashtu mbështetjen që Internacionalja Socialiste i kishte dhënë Vetëvendosjes, duke e krahasuar këtë me deklaratat e Grenellit.
“Unë nuk pata problem kur Internacionalja Socialiste mbështeti Vetëvendosjen në zgjedhje, sepse është parti e majtë. Por pastaj, kur një deputet i Bundestagut gjerman del me video dhe mbështet një parti tjetër, cili është dallimi me mbështetjen e Grenellit? Grenelli nuk mbështeti një parti të caktuar”, tha Miftaraj.
Sa i përket peshës së deklaratave të Grenellit, Miftaraj kujtoi qëndrimin e zyrtarëve të Vetëvendosjes, sipas të cilëve ai është një “qytetar i thjeshtë amerikan”. Gjithashtu, solli në vëmendje pjesëmarrjen e Albin Kurtit në Konventën e Partisë Demokratike në SHBA, duke e krahasuar me akuzat që Grenell kishte bërë ndaj tij për qëndrimin e tij për zgjedhjet amerikane.
“Nuk duhet harruar se Kurti mori pjesë në konventën e Partisë Demokratike në SHBA me ftesë të kongresmenëve demokratë, dhe Grenelli reagoi duke e quajtur anshmëri të tij në zgjedhjet në Amerikë. Po ashtu, Kurti ka mbajtur qëndrim të qartë për të votuar Partinë Demokratike në SHBA,” tha Miftaraj.
Në përgjigje, Krasniqi theksoi se kjo nuk është një praktikë e re, pasi edhe liderë të tjerë, si Hashim Thaçi dhe Edi Rama, kanë bërë thirrje kundër Donald Trumpit në zgjedhjet e mëparshme në SHBA.
“Ashtu siç ka bërë Hashim Thaçi, Edi Rama dhe të tjerët, edhe ata kanë bërë thirrje për të mos votuar Trumpin”, tha Krasniqi.
Mirëpo, Miftaraj e kundërshtoi këtë qasje, duke e cilësuar të gabuar idenë se një gabim i një lideri justifikon të njëjtin gabim nga të tjerët.
“Kjo logjikë është jashtëzakonisht e gabuar. Nëse Hashim Thaçi ka bërë një gabim, nuk do të thotë që duhet ta vazhdojnë Edi Rama e Albin Kurti. Gabimi është gabim”, përfundoi Miftaraj.
Demolli-Nimani: Shifër rekord e shpenzimeve prej 200 mijë euro nga subjektet politike dhe kandidatët e tyre në fushatë
Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë ekzekutive e Lëvizjes FOL, duke folur për deklaratën preliminare të koalicionit të organizatave vendore për vëzhgimin e zgjedhjeve Demokracia në Veprim (DnV), lidhur me rezultatet e monitorimit të fushatës zgjedhore dhe vëzhgimit gjatë ditës së zgjedhjeve, tha se subjektet politike dhe kandidatët e tyre kanë shënuar shifër rekord të shpenzimeve në fushatë në shumën prej 200 mijë euro.
“Në këtë fushatë 30 ditore është shënuar një shifër rekord e shpenzimeve prej 200 mijë euro nga subjektet politike dhe kandidatët e tyre”, tha Demolli-Nimani në “Tempus”.
Në këtë deklaratë, ajo tha se DnV ka ardhë në përfundim se procesi zgjedhor u zhvillua në harmoni me standardet ndërkombëtare dhe se defektet më shumë kanë qenë të shprehura pas përfundimit të procesit, e të cilat më shumë ishin procedurale.
Sa i përket procesit të votimit, Demolli-Nimani thotë se ishte atmosferë e qetë dhe demokratike, proces i karakterizuar me interesim relativisht të lartë të votuesve për të marrë pjesë në zgjedhje.
Shkeljet e evidentuara, ajo thotë se ishin kryesisht procedurale dhe se nuk kishte incidente serioze që do të mund ta cenonin integritetin e zgjedhjeve.
Përkundër problemeve me sistemin e KQZ-së, ajo thotë se subjektet politike pas përfundimit të zgjedhjeve i pranuan në mënyrë të qetë rezultatet. Tha se fushata zgjedhore kishte shumë aktivitete.
“Mungesa e rregullimit ligjor për aktivitetet e parafushatës zgjedhore krijoi një hapësirë të pakufizuar për një angazhim paraelektoral. Do të thotë jemi të vetëdijshëm që nga mesi i gushtit deri kur është shpallë data e zgjedhjeve partitë në opozitë vetëm se e filluan fushatën parazgjedhore”, tha Demolli-Nimani.
Ajo theksoi se diaspora kishte mundësi të votojë fizikisht ose përmes postës. Tha se ishin mbi 100 mijë votues të regjistruar.
“Sipas të dhënave të fundit që i kemi, numri i përgjithshëm i zarfeve të pranuara nga kutitë postare jashtë Kosovës dhe të konfirmuara nga shërbimi postar deri më 7 shkurt ishte 50 mijë e 226, ndërsa në Kosovë kishin arritur vetëm 40 mijë e 859 prej tyre”, tha ajo.
Votimi jashtë vendit, ajo thotë se u karakterizua me ndërhyrjet nga MPJD-ja, kurse dështimet dhe problemet në transportimin e fletëvotimeve kanë ngritur dyshime për sigurinë dhe integritetin e procesit.
Miftaraj: Kosova për herë të parë është në një udhëkryq ku nuk dihet fati i saj
Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se për 17 vjet shtet, Kosova është një storie suksesi, megjithatë për herë të parë është në një udhëkryq ku nuk dihet fati i saj.
Ai thotë se kjo nuk lidhet vetëm me veprimet që Republika e Kosovës i ka marrë përmes institucioneve, por edhe nga faktorë të jashtëm.
Sipas tij, është duke u parë fillimi i një rendi të ri botëror, ku politika në të cilën shtetet e fuqishme si Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Evropian kanë pasur koordinim për çështje të rëndësisë së veçantë në nivel global, sot po merren me vendime të njëanshme, ku po surprizohet edhe NATO.
“Ne po e shohim që po e përjetojmë ndoshta fillimin e një rendi të ri botëror, ku ajo politika tradicionale, politika ku shtetet e fuqishme SHBA, Bashkimi Evropian në njëfarë mënyre kanë pasur koordinim le të themi për çështjet e rëndësisë së veçantë në nivel global, sot do të thotë po merren vendime të njëanshme ku në njëfarë mënyre po suprizohen edhe NATO, edhe Bashkimi Evropian. Ne si Kosovë jemi vend i vogël ku mund të ndodhin gjëra, të merren vendime ku ne të mos jemi pjesë e tavolinës. Kjo do të ishte një ndër problemet kryesore ose ndër të metat më të mëdha që mund t’i ketë e ardhmja e vendit tonë”, tha ai.
Paraprakisht, Miftaraj tha se me vetë faktin se Kosova është shteti më i ri në Evropë, nëse bëjmë një bilanc për këto 17 vite rrugëtim dhe nëse bëjmë një krahasim me shtetet e rajonit, mund të themi që Kosova pa dyshim është një storie suksesi.
“Një shtet që ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, sot kemi 115 njohje nga shtete të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, jem anëtarësu në një numër të madh të organizatave ndërkombëtare”, tha Miftaraj.
Në aspektin politik, Miftaraj tha se Kuvendi ka miratuar marrëveshjen me Bashkimin Evropian për Stabilizim-Asocim, duke treguar që Kosova në të ardhmen dëshiron të jetë pjesë e kësaj strukture.
“Nëse e shohim faktin që Kosova nga përfundimi i luftës, mund të themi që ka ndërtu një numër të madh të institucioneve të pavarura, pa pikë dyshimi me problemet, sfidat që i kanë, në këto katër vitet e fundit, besoj në këto sulmet që i pati nga Qeveria shumë prej tyre e dëshmuan se kanë një bazë të fortë, një bazë të qëndrueshme, të cilat edhe e ruajtën substancën e shtetit, ku padyshim nuk duhet harruar asnjëherë rëndësinë që ka Gjykata Kushtetuese”, tha ai.
Miftaraj: Mungesa e Bordit të KPM-së pamundësoi dënimin e televizioneve që s’i trajtuan njësoj partitë politike
Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka ngritur shqetësime mbi jofunksionalitetin e Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) gjatë fushatës zgjedhore, duke theksuar se kjo ka ndikuar në trajtimin e pabarabartë të partive politike nga ana e mediave.
Në emisionin “Tempus” në KTV, Miftaraj theksoi se mungesa e Bordit të KPM-së ka bërë që ky institucion të mos mund të shqiptojë masa ndëshkuese ndaj mediave që nuk i përmbahen ligjit.
“Fatkeqësisht, gjatë tërë fushatës, KPM ka qenë jofunksionale. Kemi parë që gjatë fushatës, mediat dhe portalet mund të kenë dalë jashtë rregullave që i parasheh ligji, ndërsa ne si IKD dhe organizata të tjera joqeveritare kemi bërë përpjekje që Kuvendi të zgjedhë anëtarët e këtij komisioni. Për shkak të kësaj situate, KPM nuk ka qenë në gjendje të shqiptojë gjoba ndaj mediave që nuk e kanë respektuar ligjin”, tha Miftaraj.
Ai tha se kjo mangësi institucionale ka ndikuar negativisht në barazinë e partive politike gjatë fushatës zgjedhore, pasi nuk ka pasur një mekanizëm të fuqishëm që të mbajë mediat përgjegjëse për shkeljet e mundshme.
“Nëse ka pasur media të caktuara që kanë dalë jashtë rolit të tyre, nuk ka pasur një mekanizëm që t’i mbajë ato llogaridhënëse ose përgjegjëse”, shtoi Miftaraj.
Bajraktari: KQZ-ja dështoi të dëshmonte kredibilitet në drejtim të publikimit të rezultateve
Avokati Ardian Bajraktari, tha se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pas përfundimit të procesit zgjedhor, nuk arriti mjaftueshëm të dëshmojë kredibilitet.
“Sa i përket këtyre zgjedhjeve, qytetari ka dëshmu jashtëzakonisht qytetari, ka dëshmu kulturë dhe emancipim të lartë, mirëpo organi përgjegjës për organizimin e procesit zgjedhor në bindjen time veçmas pas përfundimit të procesit zgjedhor, nuk ka arritur mjaftueshëm me dëshmu kredibilitet, besueshmëri sa i përket integritetit të procesit zgjedhor, me theks të veçantë në drejtim të publikimit të rezultateve”, tha Bajraktari.
Avokati, në “Tempus” theksoi se shpresojnë që kjo do të arrihet të sanohet, në mënyrë që ky proces të mos devijojë.
Në 17 vjet shtet, Bajraktari tha se gjatë këtyre viteve Kosova ka pasur suksese, por jo në nivelin çfarë pritej.
“Përgjatë kësaj periudhe, natyrisht që ka pas suksese, ka pas rezultate, mirëpo natyrisht jo në nivelin çfarë do të dëshironim të ishin. Ajo çfarë në fakt e ka karakterizuar në vazhdimësi procesin është fakti që kurdo që Kosova qoftë në planin e aspektit të sundimit të ligjit, qoftë në fusha të tjera, përfshirë edhe aspekte politike ka bashkëvepruar, ka ndërmarrë veprime të koordinuara me faktorin ndërkombëtar, i cili ka qenë në mbështetje të vazhdueshme në drejtim të konsolidimit të institucioneve dhe natyrisht se ka rezultuar e suksesshme”, tha Bajraktari.
Sipas tij, edhe procesi zgjedhor është një dëshmi e mirë, pasi deri para këtyre zgjedhjeve thotë se si shtet në rajon, jemi vlerësuar se nga mënyra e organizimit të zgjedhjeve është marrë edhe model. Këtë, sipas tij, e tregojnë edhe raportet e OJQ-ve dhe ndërkombëtarëve që e kanë monitoruar procesin.
Krasniqi: Kishte media që u bënë fabrika të lajmeve të rreme për të diktuar votën
Gazetari i Grupit KOHA, Besnik Krasniqi, ka kritikuar rolin e disa mediave gjatë fushatës zgjedhore, duke theksuar se ato u shndërruan në “fabrika të lajmeve të rreme” me qëllim ndikimin e votës. Në emisionin “Tempus” në KTV, Krasniqi ka vënë në pah ndarjen e mediave gjatë fushatës, ato që kanë ndjekur standardet profesionale dhe ato që kanë promovuar dezinformata.
“Asnjëherë si në këtë fushatë nuk kam parë media kaq të ndara. Disa përpiqeshin t’i mbajnë standardet konform kodeve të brendshme dhe rregullave të KPM-së, ndërsa të tjera hapur dolën dhe u kthyen në fabrika të lajmeve të rreme, me qëllim për të diktuar votën”, tha Krasniqi.
Ai theksoi se mungesa e funksionalitetit të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) ka krijuar terren të favorshëm për këtë situatë. Sipas tij, kjo ka ardhur si pasojë e mungesës së kuorumit brenda Bordit të KPM-së, pasi dy anëtarëve u ka përfunduar mandati.
“KPM-ja është jofunksionale sepse nuk ka kuorum brenda Bordit të saj. Dy anëtarëve të saj u ka skaduar mandati, dhe ne kemi parë se partia në pushtet nuk ka marrë asnjë nismë për t’i zgjedhur ata. Arsyetimi i tyre ka qenë se opozita po i pengon dhe se nuk duan të krijojnë perceptimin se po përpiqen të ndikojnë në media përmes një trupi të tillë të rëndësishëm”, theksoi Krasniqi.
Krasniqi: Procesi zgjedhor i suksesshëm, integriteti i votës u ruajt
Besnik Krasniqi, gazetar në Grupin KOHA, tha se procesi zgjedhor në zgjedhjet e 9 shkurtit ishte i suksesshëm dhe se integriteti i votës u ruajt.
“Pra, një proces i mirë, i suksesshëm, për të cilin dhanë vlerësime edhe vëzhguesit ndërkombëtarë. Por, dolën edhe partitë opozitare që e duartrokitën këtë proces. Nuk pati domethënë vjedhje votash, nuk pati ankesa të natyrave tjera, nuk pamë probleme në vendvotime. Pamë diçka probleme që lidhen me publikimin e rezultateve, por që integriteti i rezultateve, i votës realisht është ruajtur”, tha Krasniqi.
Ai përmendi se në zgjedhjet e para pas pavarësisë në vitin 2010, kishte pasur vjedhje industriale.
Në emisionin “Tempus” në KTV, Krasniqi e konsideroi fat i mirë për Kosovën faktin se shumë procese janë monitoruar dhe udhëhequr nga ndërkombëtarët para pavarësisë dhe praktikat e instaluara nga ata janë bartur edhe pas pavarësisë.
Sipas tij, nga pavarësia e deri tani kemi pasur progres të vazhdueshëm në organizim të zgjedhjeve.
“Dhe vijmë tek situata kur nuk ka asnjë subjekt politik që ankohet për deformim vote. Ky është një nga aspektet dhe vota ka shumë rëndësi, sepse është përcaktues për demokracinë dhe sistemin qeverisës në Kosovë”, tha Krasniqi.
Gazetari thotë se bilanci i progresit të shtetit është pozitiv në secilën fushë.
“Progresi gjithsesi ka qenë i evidentueshëm në secilën sferë që nga njohja, nga fushat tjera, përfshirë këtu edhe drejtësinë, të cilën ju vazhdimisht e përcjellni. Kështu që, bilanci është pozitiv, a ka mujt me u bë ma mirë, gjithsesi se ka mujt me u bë ma mirë, veçmas në planin e brendshëm e që lidhet me fushën e ekonomisë para së gjithash”, tha Krasniqi.