Monitoruesja e “Betimit për Drejtësi”, Medina Kadriu, thotë se Prokuroria Special ka qasje joserioze dhe se akuzohet që po mban fshehtë prova shfajësuese.
“Ajo që është shqetësuese dhe e paprecedentë deri tash është kohëzgjatja dhe zvarritja e procedurave. Nëse bëjnë një krahasim me ish-Tribunalin e Hagës që i ka trajtuar çështjet e ish-Jugosllavisë dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, të parës i është dashur vetëm një vit nga themelimi për ngritjen e aktakuzës së parë, në anën tjetër e kemi ZPS-në që edhe pse ka pasur në dispozicion provat e nxjerra nga puna e Task Forcës Speciale Hetimore, të krijuar nga viti 2019, i janë dashur pesë vjet që ta ngrejë aktakuzën e parë, ku këto prova të Task Forcës Speciale Hetimore mund të jenë të pranueshme edhe në Hagë. Tjetra është ish-Tribunalit të Hagës i janë dashur tetë vjet që në shkallë të parë t’i përfundojë 32 raste, pa i përmendur këtu rastet që janë kthyer në rigjykim dhe prapë kanë përfunduar, kurse Dhomat e Specializuara pas gjashtë vjetve e kanë filluar gjykimin e parë. Pra, ky është një dallim enorm, sa i përket prolongimit të procedurave, prolongim shumë të madh e shohim në fazën paraprake, e kemi rastin e Salih Mustafës që mbi 11 muaj ka zgjatur faza paraprake, kurse e kemi rastin e Gucatit e Haradinajt, që mbi 12 muaj ka zgjatur faza paraprake, që i bie më shumë se një vit”, tha Kadriu në emisionin “Tempus” në KTV.
Ajo shtoi se qasje joserioze e Prokurorisë po vërehet edhe në rastin Thaçi dhe të tjerët.
“Qasje joserioze e prokurorisë është treguar edhe në rastin e Hashim Thaçit e të tjerëve, ku kjo prokurori në konferencat e para mbi ecurinë e çështjes në vitin 2021, kishte pretenduar se do të jetë e gatshme që të fillojë gjykimin në verën e vitit 2021, derisa gjatë gjithë kësaj kohe, do të duhej të ishte mbrojtja që do të kërkonte shtyrje të afateve, ka qenë vetë kjo Prokurori që ka kërkuar shtyrjen e afateve dhe jo vetëm që nuk ishte gati të fillojë gjykimin në verën e vitit 2021, këta deri në dhjetor të vitit 2021 nuk e kanë dorëzuar dosjen e tyre paraprake”, theksoi Kadriu.
Sipas saj, dihet se barazia e palëve është parimi kryesor në bazë të së cilës një proces garantohet me qenë i rregullt, dhe se kjo nuk mund të arrihet nëse një palë vazhdimisht vihet në vështirësi, e që sipas saj mosbarazinë e palëve po e shohim edhe pranë Dhomave të Specializuara.