Medina Kadriu, monitoruese nga “Betimi për Drejtësi”, ka thënë se dyshon që gjykimi ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve do të fillojë në tre vitet e ardhshme.
“Sa i përket rastit të Thaçit dhe të tjerëve unë dyshoj që gjykimi do të fillojë edhe në tre vitet e ardhshme. Kjo për arsye duke e parë nxjerrjen e ngadalshme të provave dhe faktin që mbrojtjes për një herë i jepen shumë prova të cilat ata duhet t’i analizojnë dhe të cilëve me ligj iu lejohet e drejta e tyre për ta hetuar edhe ata rastin e tyre dhe për ta paraqitur para gjykatës”, ka thënë Kadriu në “Tempus” në KTV-së.
Ajo tha se gjykimi deri më tani ende nuk ka filluar dhe pasi që tani ka akuza të reja pritet një prolongim goxha i madh në këtë rast.
“Edhe dyshoj të them të drejtën që do të jetë edhe shumë i aplikueshëm parimi i publicitetit. Kjo pasi sa i përket redaktimeve qe do të bëhen, e kemi pa te rasti i Salih Mustafës, ku shumica e dëshmitarëve të Prokurorisë kanë dëshmuar nën masa mbrojtëse ku iu është shtrembëruar zëri, iu është mbuluar fytyra për mos me u ditë identiteti i tyre që është shumë e kuptueshme sa i përket mbrojtjes së dëshmitarëve. Por kjo e ka bërë të pamundur për publikun, por edhe për të tjerët që të kuptohet se çka realisht po ndodh në atë gjykatë”, ka thënë Kadriu.
Ajo shtoi se duhet të bëhet një zgjidhje që gjykata të jetë më e qasshme për publikun pasi që të gjithë kanë të drejtë të informohen saktë dhe të krijojnë idetë e tyre se çka po ndodh në atë gjykatë.