TEMPUS

Jusufi: Nuk ka dezintegrim të qytetarëve serbë, kanë besim dhe u përgjigjen ftesave të gjykatës

Xhemajl Jusufi - gjykatës

Gjykatësi Xhemajl Jusufi, ka deklaruar se nuk ka dezintegrim të qytetarëve serbë dhe se ata kanë besim në gjyqësor.

Në emisionin “Tempus” në KTV, gjykatësi Jusufi ka theksuar se qytetarët serbë u përgjigjën ftesave të gjykatës.

“Është e vërtetë që ka ndodhë dezintegrimi i stafit; gjyqtarë, prokurorë, staf, policë, e të tjerë. Por, për fat të mirë të paktën prej përvojës personale dhe të kolegëve në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, ju garantojë që nuk ka ndodhë dezintergimi i qytetarëve. Qytetarët i përgjigjen ftesave të gjykatave njëjtë si të komuniteteve të tjera, qoftë nga komunat më veriore siç është Leposaviqi dhe Zubin Potoku, qoftë nga Mitrovica  e Veriut, qoftë nga Zveçani, qytetarët i përgjigjen dhe deri sot nuk kemi pas ankesa, pakënaqësi të shprehura para nesh apo para institucioneve tjera lidhur me këtë aspekt”, është shprehur Jusufi.

Gjykatësi Jusufi ka deklaruar se shpreson që të kthehen edhe kolegët e tyre serbë në sistemin e drejtësisë.

“Dezintegrimi i qytetarëve nuk ka ndodhur. Nuk ka ndonjë mosbesim sepse paraqitja e rasteve në Polici, në Prokurori, në Gjykatë vazhdon edhe më tej dhe kjo është e mira e krejt kësaj përkundër që do të ishte edhe më mirë, patjetër edhe ne e mirëpresim dhe shpresojmë që të kthehen edhe ata kolegët tanë”, ka deklaruar Jusufi.


Jusufi: Sfidë kryesore, trajtimi i rasteve urgjente pas largimit të gjyqtarëve e prokurorëve serbë

Gjykatësi Xhemajl Jusufi, ka theksuar se pas largimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë, sfidë kryesore mbetet trajtimi i rasteve urgjente.

Në “Tempus” të KTV-së, gjykatësi Jusufi ka thënë se ka qenë sfidë rishpërndarja e lëndëve nëpër gjykatë.

“Kanë qenë 1 mijë e 200 lëndë penale që është dashur të rishpërndahen fillimisht tek Departamenti i Përgjithshëm dhe te Departamenti për Krime të Rënda. Kanë qenë mbi 4 mijë lëndë të natyrës kontestimore dhe përafërsisht 3 mijë lëndë përmbarimore, të gjitha këto është dashtë të rishpërndahen. Paraprakisht harrova ta cek se te lëndët emergjente, te dhuna në familje, te lëndët me kërkesë për urdhër mbrojtje është dashur të gjendet edhe fizikisht te zyrat e gjyqtarëve dhe të trajtohen në mënyrë që t’i jepet një epilog atyre rasteve të cilat janë të natyrës urgjente”, është shprehur Jusufi.

Gjyqtari ka theksuar se gjithashtu ka ndodhur edhe një riorganizim i stafit administrativ për shkak se kanë mbetur boshllëqe që është dashur të mbulohen.