Ibrahim Januzi nga Sindikata e Punëtorëve të Trepçës, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se ishin premtuar 250 milionë euro në Trepçë, përmes një pani të investimit.
Sipas Januzi, pas këtij plani të investimit prej 250 milionë euro, vlera e tij kishte rënë në vazhdimësi derisa në fund të vitit 2022 ishte votuar një kredi prej 20 milionë euro.
“Një herë është bërë një plan i investimit 250 milionë. Është bërë një plan është ofruar që në ndërmjarrjen Trepça do të investohen 250 milionë. Pastaj, është rishikuar dhe është bë njëfarë riformimi i atij plani, është kthyer në shumën 70 milionë. Pas një kohe në 40, pastaj e votuan një kredi prej 20 milionëve në fund të viti 2022”, tha Januzi.
Ai tha se gjithmonë thirren në atë kredi, duke kushtëzuar në performancë të mirë.
“Gjithmonë thirren në atë kredi t’u kushtëzu në performancë të mirë. Minatori nuk mundet të sigurojë perfmormancë të mirë, sepse Qeveria e Republikës së Kosovës është aksionari kryesor. Edhe Bordin edhe menaxhmentin, vetë Qeveria i zgjedh, nuk ia zgjedhin minatorët”, shtoi Januzi.
Andaj, sipas tij, Qeveria e ka obligim të kërkojë llogaridhënie edhe nga Bordi edhe nga menaxhmenti për rezultate në Trepçë. /BetimipërDrejtësi
Sefaj: Njerëz që kanë abuzuar me fonde publike janë bashkëpunëtorët e parë të kësaj Qeverie
Ali Sefaj nga Sindikata e Shërbyesve Civilë, tha se njerëzit që kanë abuzuar me fonde publike janë bashkëpunëtorët e parë të kësaj Qeverie.
“Për mua është e habitshme se qysh sektorë të caktuar, figura të caktuara brenda administratës, po flas për pozita të mesme dhe të larta drejtuese që janë etiketu për vite si njerëz që kanë rënë ndesh me ligjin, që kanë abuzuar me fondet publike janë bashkëpunëtorët e parë të kësaj Qeverie, për mua është shumë e habitshme”, tha Sefaj.
I ftuar në emisionin “Tempus“, Sefaj tha se është e habitshme si organet e drejtësisë nuk kanë vepruar kur Qeveria ka marrë vendime në kundërshtim me Ligjin për organizim sindikal.
“Qeveria veproi kundërligjshëm duke bërë përpjekje për me shu organizimin sindikal duke ua ndalë fondet, mjetet, kuotizmin dhe duke i obliguar kundërligjshëm të anëtarësohen në E-Kosova, për mua është e habitshme si nuk kanë vepru organet e drejtësisë për arsye se vendimarrja e tyre është në kundërshtim me Ligjin për organizimin sindikal, dhe pastaj ai që e fiton betejën e parë, e ka lehtë ta monitorojë këtë proces deri në betejën finale. Divergjencat që kanë qenë mes sindikatave të mëdha dhe kryesisë së BSPK-së, e kanë dëmtu pothuasje gati sa tendenca e Qeverisë, për arsye se nuk kanë mbërri ta kalojnë veten e tyre për shkak të interesave do të duhej t’i mbronin interesat e punëtorëve. Ne sot mund të kërkojmë të gjejmë fajtorë, mirëpo ne jemi bashkëfajtorë, për arsye se në momentet kritike nuk ishim bashkë të përballemi me Qeverinë kur ishim në greva”, tha Sefaj.
Ndër të tjera, ai tha se në krye të Inspektoratit të Punës është emëruar personi për të cilin gjykatat e rregullta kanë thënë se emërimi i tij është i paligjshëm.
“Në krye të Inspektoratit të Punës e ka lënë njeriun që tri shkallë të Gjykatave i kanë thënë që emërimi i tij është i paligjshëm dhe duhet ta zbatosh vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil, dhe në rast se ti ke vendos kryeinspektor njeriun e paligjshëm dhe nëpërmjet tij i ke luftu sindikatat, grevën si mjetin sindikal, atëherë është bajagi edhe problem ballafaqimi”, shtoi Sefaj. /BetimipërDrejtësi
Sefaj për ligjet e rrëzuara nga Gjykata Kushtetuese: Draftet kanë ardhur nga kabinetet
Ali Sefaj nga Sindikata e Shërbyesve Civilë, në emisionin “Tempus” në KTV, në lidhje me ligjet e rrëzuara nga Gjykata Kushtetuese, tha se draftet kanë shkuar nga kabinetet, nga njerëz joprofesionalë.
Sipas tij, Gjykata Kushtetuese nuk i ka rrëzuar ligjet për shkak se nuk është ditur të bëhen ligje të mira.
“Shumicën e ligjeve që i ka rrëzu Gjykata Kushtetuese, nuk i ka rrëzu ligjet për shkak se është ditë me u bo ligje të mira. Domethënë në grupe punuese as edhe njëherë të vetme nuk janë marrë për bazë komentet”, tha Sefaj.
Ai tha se kur janë dhënë komentet, draftet kanë shkuar nga kabinetet, nga njerëz joprofesionalë.
“Edhe në grupe punuese edhe anëtraët e grupeve punuese, kur i kanë dhanë komentet ju ka ardhë drafti prej kabineteve, prej njerëzve joprofesionalë. Edhe në Zyrën e Kryeministrit nuk kalon përmes Departamentit Ligjor, po t’i pysësh sot do mund të thonë se i kalon, mirëpo po t’i kalonin ata filtra, unë jam shumë i sigurtë, që shumicën e atyre ligjeve nuk do t’i rrëzonte Gjykata Kushtetuese. Thjesht janë mjeshtër për të ndërtu kulla prej letre”, tha ai. /BetimipërDrejtësi
Jakaj për Qeverinë: Për katër vjet ka pasur cenim organizimit sindikal
Naim Jakaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se për katër vite ka pasur cenim të organizmit sindikal, dialogut social dhe përçmim të krerëve sindikalë.
Ai tha se premtim elektoral ka qenë fuqizimi i sindikatave dhe bashkëpunimi me to, duke i inkurajuar dhe ndihmuar punëtorët për organizim sindikal në të gjitha nivelet e punësimit.
Në fillim, ai tha se gjatë katër viteve të kësaj legjislature përveç trajtimit jo të drejtë, ka pasur edhe trajtim nënçmues.
“Gjatë katër vite të kësaj legjislature, për mos me thanë që ka qenë vetëm refuzues, ka qenë edhe nënçmues edhe polarizues edhe diskriminues edhe trajtim jo i drejtë, ashtu siç thonë parimet kushtetuese të Kushtetues së Kosovës, parimet ndërkombëtare”, shtoi Jakaj.
Sipas tij, edhe me Kushtetutë edhe Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, Qeveria jo vetëm që duhet të ketë vullnet, por e ka edhe detyrim të diskutojë me sindikatat për të arritur marrëveshje, ashtu që të lartësoj dhe avancojë të drejtat e punëtorëve. Mirëpo, Jakaj tha se ka ndodhur e kundërta, duke u cenuar organizimi sindikal.
“Çka ka ndodh? Ka qenë e kundërta, për katër vite ka pas cenim të organizmimt sindikal, cenim të dialogut social. Në ndërkohë ka pas edhe përçmim të krerëve sindikal, duke i etiketu si pjesë e një historie 20-vjeçare të fundit, ku gjatë 20 viteve ka pasur më shumë probleme edhe nuk ka pasur të arritura, sesa ka pasur marrëveshje të mira”, tha Jakaj. /BetimipërDrejtësi
Makolli për ndërprerjen e Kontratës Kolektive: Shkëputje e pagës edhe për stafin shëndetësor me kancer

Sherif Makolli nga Federata e Shëndetësisë, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se me ndërprerjen e Kontratës Kolektive janë larguar shumë benefite, ku ka pasur shkëputje të pagës tek rastet e stafit me sëmundje të kancerit.
Makolli tha se punëtorët shëndetësor, të cilët kanë qenë të sëmurë, e kanë gëzuar një pagë solide, e cila i ka përcjellë deri në vdekje, e që me rastin e shkëputjes së Kontratës Kolektive ajo pagë është shfuqizuar.
“Një ndër benefitet më drastike dhe më të këqija që ka mund me ndodhë është rasti, duhet ta potencoj rasti i shkëputjes së pagës në rastin e sëmundjes në fazën terminale me kancer, kjo me Kontratë Kolektive punëtorët shëndetësor të cilët kanë qenë fatëkeqësisht të sëmurë dhe në momentet e fundit të jetës së vet, ata deri në vdekje e kanë gëzuar atë pagë. Me rastin e shkëputjes së kësaj kontrate kolektive ajo veç është shfuqizuar, kjo për neve është një diskriminim i skajshëm dhe i patolerueshëm dhe mandej me rastin e pensionimit, punëtorët shëndetsor kur janë pensionu ju kanë taku tri paga përcjellëse që është shumë normale dhe duhet me praktiku të gjithë organizatat publike por edhe private”, tha Makolli. /BetimipërDrejtësi
Sefaj: Ligji i Pagave diskriminues për kategoritë e shërbimit civil, diskriminim i tillë ka ndodhur në periudhën e Millosheviqit

Ali Sefaj nga Sindikata e Shërbyesve Civilë, tha se Ligji i Pagave është diskriminues për të gjitha kategoritë, e veçanërisht për shërbyesit civilë.
I ftuar në emisionin “Tempus“, Sefaj tha se diskriminimi që iu bëhet shërbyesve civilë përmes Ligjit të Pagave, nuk ka ndodhur në asnjë periudhë tjetër përveç në atë të Slobodan Millosheviqit.
“Ligji i Pagave e ka thelluar pabarazinë për arsye se inflacioni që e ka kapluar këtë vend ka qenë aq i lartë sa reflektimi në ndryshimin në pagë, me ndryshimin e Ligjit të Pagave ka qenë i pavërejtshëm, thjesht njerëzit dalin në punë sa për me mirëmbajtë varfërinë e tyre. Mandej Ligji i Pagave i ka diskriminuar kategoritë e tëra veçmas kategoritë që janë të shërbimit civil nga shkencat shoqërore, ku me ose pa vetëdije kanë bërë një diskriminim që një diskriminim i tillë ka ndodhë veç në periudhën e Millosheviqit, nuk ka ndodhë në një peridhë tjetër për arsye se pakrahasimisht janë dëmtu profilet që janë të shkencave shoqërore, pavarësisht pozitës dhe kualifikimit që ata kanë”, tha Sefaj.
Sipas tij, shërbyesit civilë janë dëmtuar edhe me Ligjin për Zyrtarët Pubikë, pasi tani gjithçka në shërbimin civil ka vlera zero.
“Ne jemi dëmtuar edhe me Ligjin për Zyrtarë Publikv, e me të cilin performanca, përgatitja profesionale, angazhimi, puna, korrektësia dhe gjithçka në shërbimin civil ka vlera në zero tanimë, sepse nuk kemi shërbim karriere, mirëpo është hapë edhe për konkurrim të jashtëm, e që i bie, vjen dikush nga rruga garon bashkë me ty, e merr pozitën tënde të udhëheqësit apo të drejtorit dhe ti duhet t’i shërbesh si këshilltar, ta mësosh atë tri vjet, që në vitin e katërt atij t’i përfundojë kontrata”, shtoi Sefaj.
Ai tha se asnjëherë gjatë këtyre viteve të pasluftës dhe pas pavarësisë, administrata dhe shërbimi civil nuk kanë pasur këso trajtimi jomeritor, joprofesional dhe jonjerëzor. /BetimipërDrejtësi
Januzi për “Trepçën”: Gjendja e mjerueshme dhe mungesë e investimeve

Ibrahim Januzi nga Sindikata e Punëtorëve të Trepçës, tha se po përballen me një gjendje të mjerueshme edhe për shkak të mungesës së investimeve.
“Jashtëzakonisht është gjendje e randë, gjendje e mjerushme se po flasim në mungesë të investimeve dhe në konsum të përgjithshëm të mjeteve punuese”, tha Januzi në “Tempus“.
Sipas tij, konsumi i tyre ka rritë rrezikshmërinë për ato vende pune dhe se rrezikshmëri shtesë është edhe përdorimi i mjeteve të stërvjetëruara.
“Përveç rrezikshmërisë, 800 metra nën tokë ku punojnë minatorët, rrezikshmëri shtesë i kemi edhe përdorimin e mjeteve të stëvjetëruara. Janë mjete motorike që punojnë me dizel, për të cilat edhe lirimi i gazrave enorm po shkakton edhe sëmundje profesionale edhe dëmtim të shëndetit të mintaorëve”, shtoi Januzi.
Ai tha se janë ballafaquar me probleme të mëdha, në mungesë të realizimit të pagave, e që si rezultat kanë ardhur deri tek greva.
“Konkretisht në muajin qershor, korrik edhe pjesën e gushtit kemi pas vonesa për dy muaj e gjymsë, sa që janë ngritë shumë pakënaqësi tek mintaorët sepse tu e marrë për bazë edhe kushtet jashtëzakonisht shumë të rana, kushtet e vështira, rrezikshmëria e lartë në vendin e punës, ka bërë që të rriten edhe pakënaqësitë e vet punojësit nga mintaroët”, tha Januzi.
Januzi theksoi se u janë shkelur dhe mohuar shumë të drejta, sidomos e drejta për pagë bazë.
“Për të cilat ne kemi protestu, kemi ngritë zërin, mirëpo me thënë kemi arritë një marrëveshje ku Qeveria e Kosovës ka arritur me e nda një shumë të caktuar prej afër 4 milion për mbulimin e një pjese të borxheve dhe obligimeve për të cilat ka ndodhë një keqmenaxhim në ndërmarrje dhe si rezultat i keqmanxhimit është thellu në borxhe dhe obligime dhe për të cilat përmbaruesit kanë arritë që edhe mjetet financiare të pagave kanë arritë me i marrë. Të gjithë minatorët kanë mbetë pa paga”, shtoi Januzi. /BetimipërDrejtësi
Januzi për vizitën e Sveçlës: E pakuptimtë që ministri kërkon t’i gjejë minatori përgjegjësit dhe shkaktarët e problemeve
Ibrahim Januzi nga Sindikata e Punëtorëve të Trepçës, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se vizita e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në këtë Ndërmarrje dhe kërkesa e tij që minatorët t’i gjejnë keqpërdoruesit, është e pakuptimtë.
“Nëse po i referoheni vizitës së ministres dhe ministrit të Punëve të Brendshme, është e vërtetë që ka qenë një takim me minatorë, ku është kërkuar që minatorët t’i paraqesin ata keqpërdoruesit dhe keqmenaxhuesit apo t’i paraqesin në Ministri të Punëve të Brendshme, e cila… t’u e menaxhu edhe Policinë edhe Krime Ekonomike, dhe të kërkosh prej një minatori ka qenë një nivel definitivisht e pakuptueshme se si ministri i Punëve të Brendshme kërkon që minatori t’i gjejë përgjegjësit apo shkaktarët e problemeve”, tha Januzi.
Ai tha se vizitë u kanë bërë, mirëpo sa i përket investimeve dhe zgjidhjes së problemeve, Trepça po kalon këto tri vitet e fundit periudhat më të vështira që nga paslufta. /BetimipërDrejtësi
Makolli: Na kanë mashtruar gati dy vjet, me premtimet e Qeverisë i kemi mashtruar edhe punëtorët
Sherif Makolli nga Federata e Shëndetësisë, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se ishin mashtruar për gati dy vite dhe se me premtimet e Qeverisë i kanë mashtruar edhe punëtorët.
Makolli fillimisht tha se kishte filluar një dialog me Qeverinë dhe se kishte pasur premtime nga vetë ministri i Shëndetësisë se do bëhej Kontrata Kolektive.
Mirëpo, sipas tij nuk kishte pasur ndonjë rezultat dhe se ishin mashtruar për gati dy vite.
“Por, në fund ka pas rezultat zero. Çka do të thotë, na kanë mashtruar gati dy vjet dhe na t’u i përcjellë premtimet e Qeverisë i kemi mashtru edhe punëtrorët”, tha Makolli.
Lidhur me hapat e radhës, Makolli tha se së shpejti do të ketë edhe protestë masive.
“Fillimisht, na e bonëm një protestë simbolike, që deshtëm me paralajmëru këtë Ministri, mirëpo tu e ditë me kë kemi punë, si duket na do të detyrohemi, na detyron anëtarësia që të vazhdojmë. Së shpejti do ndodhë edhe një portestë më masive e mandej ju e dini, Ligji për Aktivitetin Sindikal lejon edhe greva. Nëse s’ka reagime do të shkojëm edhe në greva”, tha ai. /BetimipërDrejtësi
Makolli tregon për arsyet e protestës së punëtorëve shëndetësorë
Sherif Makolli nga Federata e Shëndetësisë, tregoi arsyet e organizimit të protestës nga punëtorët shëndetësor.
I ftuar në emisionin “Tempus” në KTV, Makolli tha se kërkesë specifike e protestës është Kontrata Kolektive, e cila është anuluar njëanshëm nga Qeveria para më shumë se dy vitesh.
“Arsye kryesore e protestës ishte ndërprerja e dialogut social siç e potencuat, mosnënshkrimi i Kontratës Kolektive, Ligji i Pagave i cili është aprovuar edhe aty ka plot diskriminime në shëndetësi, paralajmërimi i rritjes së pagës për 55 euro, i cili për neve është një rritje mundem me thanë fyese, e plot pakënaqësi tjera”, tha Makolli.
Sipas Makollit, Kontrata Kolektive nënshkruhet nga dy palët e interesit dhe e ka një afat të qëndrueshmërisë.
“Mirëpo, në fund shkruan një pasues, i cili thotë se Kontrata Kolektive është valide deri të pason kontrata e re, me benefite më të avancuara sesa kontrata paraprake”, tha Makolli.
Ai tha se kjo Kontratë u anulua pa e pyetur Federatën e Shëndetësisë- punëtorët shëndetësor, duke iu shkaktuar dëme. /BetimipërDrejtësi