Analistja politike, Besa Luzha e ftuar në emisionin “Tempus” në KTV, tha se nuk është luksi që të mos kemi qeveri si shtet, duke përmendur sanksionet nga Bashkimi Evropian, rritjen e çmimeve të energjisë dhe kostos së jetesës.
“Unë gjithmonë them se ka deputetë që mund ta ngrisin dorën në mënyrë të pavarur”, tha Luzha.
Ndërsa, theksoi se vullneti i të gjithë deputetëve duhet të jetë që të konstituohet Kuvendi.
Sipas saj, Kosova ka një situatë të rënduar në raport me BE-në dhe se qytetarët po përballen me situata të ndryshme.
“Në anën tjetër, qytetarët po përballen me situata të ndryshme, rritja e çmimit, e energjisë, rritja e kosotos të jetesës. Ndoshta krejt këto probleme që rëndojnë, nuk është luksi, ndoshta shtetet tjera mund të rrinë një vjet pa e zgjedhur qeverinë”, tha Luzha.
Analistja tha se kemi një administratë që sillet si me qenë e humbur kur nuk janë krerët e institucioneve dhe se kjo ndikon në çështjen e marrjes së vendimeve të cilat janë shumë të rëndësishme.
Brahimi: Komunitetet mund ta shfrytëzojnë mundësinë të kapin diçka, përndryshe do ta votojnë qeverinë
Marigona Brahimi, gazetare në KTV, tha në “Tempus” se komunitetet mund ta shfrytëzojnë mundësinë të kapin diçka në këtë periudhë, përndryshe do ta votojnë qeverinë.
“Gjithmonë kemi parë edhe më herët sidomos pakicat joserbe e kanë votu Qeverinë dhe janë bërë pjesë e saj. Kështu që ndoshta deputetët nga pakicat joserbe sepse me deputetët e Listës Serbe deri tash nuk ka pas komunikim asnjëra prej partive, mendoj se është ndoshta kjo që e shfytëzojnë këtë mundësinë nëse munden me kapë diçka nëse jo mendoj se prap kanë me votu Qeverinë të gjitha komunitetet. Por, ndoshta po e testojnë deri kur kanë me mbërri pazaret ose me këqyr nëse munden me siguru ndonjë pozitë të ministrit ose zëvendësministrit”, tha Brahimi.
Jakaj: Nesër mund të mos ketë propozim për kryetar Kuvendi, pozita mund të negociohet
Naim Jakaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se në seancën për konstituimin e Kuvendit të martën, mund të mos ketë propozim për kryetar Kuvendi dhe se kjo pozitë mund të negociohet.
“Po du me u lidhë me deklarimin e nënkryetarit të Lëvizjes Vetvendosje, Glauk Konjufca që tha se kryetari i Kuvendit është pozicion që ka me u negociu për marrëveshje për koalicion me ndonjë parti që në këtë rast i mbetet se është pozitë negociuese me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) ku i ka dërguar edhe formalisht letër dhe nga leximi i saj ishte se nuk do të ketë propozim për kryetar të Kuvendit në mungesë të një koalicioni me një parti që e tejkalon 61-shin e deputetëve shqiptarë”, deklaroi Jaka në “Tempus” në KTV.
Hulumtuesi tha se ende nuk dihet qëndrimi i Listës Serbe, por në rast të votimit do i binte që ajo po ia bën Kuvendin.
Osmanaj: Është interes i të gjitha partive politike ta votojnë kryetarin e Kuvendit
Egzon Osmanaj, menaxher i programit në Fondacionin Friedrich Ebert (FES), në emisionin “Tempus” në KTV, gjatë diskutimit për seancën konstituive të Kuvendit, që pritet të mbahet nesër më 15 prill, tha se është interes i të gjitha partive politike ta votojnë kryetarin e Kuvendit.
Sipas tij, konstituimi i Kuvendit nuk ndërlidhet me koalicionin ose themelimin e Qeverisë.
Osmanaj theksoi se e drejta për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit i takon grupit më të madh parlamentar. Tha se nuk ka ndonjë klauzolë që e mundëson që kjo e drejtë t’i kalojë dikujt tjetër.
“Dhe rrjedhimisht besoj që do ishte interes i të gjitha partive politike ta votojnë kryetarin e Kuvendit, për shkak se me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit me zgjedhjen e kryesisë, nënkryetarëve që vijnë pothuajse nga shumica e partive parlamentare, atëherë do të konstituohej Kuvendi, dhe të gjitha partitë do të ishin të përfaqësume, dhe mandej prej Kuvendit do të fillonin të rrjedhnin afatet tjera ligjore”, tha Osmanaj.
Ndërkaq, në lidhje me zotimet e partive opozitare për themelimin e Qeverisë, ai tha se nëse është një premtim i sinqertë, do të ishte edhe në benefitin e partive opozitare që Kuvendi të konstituohej qysh nesër dhe të fillojnë mandej të rrjedhin afatet për themelimin e Qeverisë.
Brahimi: Partia fituese i ka 57-58 deputetë, i duhen të paktën votat e Nismës për t’i bërë 61
Marigona Brahimi, gazetare në KTV, tha se partia fituese- Lëvizja Vetëvendosje i ka diku 57-58 deputetë, megjithatë i duhen të paktën votat e Nismës për t’i bërë 61.
Ajo tha në “Tempus” në KTV se diskutabile mbeten vota e deputetëve Veton Berisha dhe Adem Hoxha.
“Megjithatë, deri tash sa e dimë- Lëvizja Vetvendosje që i ka 48 deputetë i ka ndoshta të sigurt për shkak të deklarimeve të tyre edhe të tetë deputetëve të tjerë. Pak ma herët u raportua se edhe deputetja boshnjake Duda Balje ka pasur një takim me kryeministrin Kurti dhe mund ta votojë ndoshta kryeparlamentarin, por edhe Qeverinë Kurti. Mirëpo, deri tash janë diskutabile vota e deputetit egjiptian Veton Berisha dhe gjithashtu vota e deputetit goran Adem Hoxha, dhe me këta deputetë, aktualisht Lëvizja Vetvendosje ose shumica parlamentare nëse mundemi me quajt i ka diku 57-58 deputetë, që domethanë i duhen me patjetër votat e Nismës për t’u bërë 61, meqë është folur deri tash se ka pas takim me kryetarin e Nismës”, tha Brahimi.
Luzha: Nëse dikush mendon se i rrezikohet angazhimi për t’u bërë deputet, mund të votojë
Besa Luzha- analiste politike, tha se nëse dikush nga partitë politike mendon se i rrezikohet angazhimi për t’u bërë deputet, mund të votojë ngase Lëvizjes Vetëvendosje i mungojnë dy-tri vota.
“Normalisht se në raportin etik, moral ka obligim ndaj subjektit përmes të cilit ka garu, por nuk është as hera e parë as e fundit që kemi parë lëvizje dhe veprime individuale të deputetëve. Mua më duket që në krejt këtë kokëfortësi edhe pozita edhe opozita arsyeja pse nuk kemi dhe nuk mund të presim deri nesër një koalicion të madh për të fitu një Qeveri me shumicë votash, ajo ka përfundu, ai aspekt së paku për këtë fillim është se ka një tendecë të gjitha ose asgjë dhe të shohim se si do të mundet sepse gjithmonë është llogaritë në këto lëvizjet- themi veprimet individuale dikush që ndoshta mendon që i rrezikohet i gjithë angazhimi, mundi që ka bërë deri këtu për të ardhë për t’u bërë deputet, mundet me ndodh që thjesht voton sepse jemi shumë afër për dy tri-vota”, tha Luzha në “Tempus“ në KTV.
Jakaj: Nëse nesër s’çelet rruga me votim të kryetarit, Kuvendi mbetet pezull deri në votimin tjetër
Naim Jakaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), gjatë diskutimit për konstituimin e Kuvendit, tha se në rast se nesër nuk hapet rruga me votim të kryetarit, Kuvendi mbetet pezull deri në votimin tjetër.
“Zgjedhja e kryetarit i kërkon 61 vota të deputetëve, që është shumicë e nevojshme. Dhe zgjedhja e kryetarit do duhej të bëhej për shkak se nuk do mund të shkohej te zgjedhja e nënkryetarit”, tha Jakaj në “Tempus” në KTV.
Sipas tij, një ndryshim pozitiv që është bërë me miratimin e Rregullores, është që nënkryetari i parë që vjen nga radhët e partisë shumicë do duhej të ishte nga gjinia tjetër për shkak të respektimit të barazisë gjinore.
Përderisa, tha se nëse seanca konstituive ka ndonjë parregullsi, nëse ndërpritet, atëherë pushimi për seancën e radhës mund të zgjasë për më shumë se 48 orë.
“Nëse nesër s’çelet rruga me votim të kryetarit, Kuvendi mbetet pezull deri në votimin tjetër derisa të votohet një kryetar që do duhej të propozohej nga partia më e madhe politike”, shtoi Jakaj.