Nuredin Ibishi, njohës i çështjeve të sigurisë, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se vizitën e shefit të NATO-s, Mark Rutte, i cili sot qëndroi në Bosnjë-Hercegovinë e sheh si mision parandalues.
“Vizitën e zotit Rutte e shoh si mision parandalues dhe bëri me dije se sovraniteti i Bosnjë-Hercegovinës por edhe i shteteve tjera do të jetë i mbrojtur ashtu si kanë paralajmëruar SHBA dhe shtetet e BE-së.
Ai tha se ky është mesazh i duhur dhe se edhe vizita në Kosovë vjen në moment të duhur, para formimit të Qeverisë së re.
“Vetë vizita e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, zotit Mark Rutte vjen në një situatë të ndërlikuar apo të tensionuar të sigurisë në rajon”, tha ai.
Ibishi përmendi dënimin e Millorad Dodik nga shkalla e parë, i cili pa pritur shkallën e dytë thotë se thirri Kuvendin e Republika Sërbskas dhe miratoi një mori ligjesh.
“Situatën në Bosnjë e kam parë të tensionuar sidomos kur filloi të shpërfaqej ajo bota serbe gjithandej dhe kur u bë Kuvendi i gjithëmbarshëm i Republikës Sërbska me qëllim që ta jetësojë botën serbe, ideator i të cilës është Aleksandër Vulin”, tha Ibishi.
Ai shtoi se kjo ka sjellë situatë të tensionuar sidomos tash kur filluan bisedimet për paqen mes Rusisë dhe Ukrainës.
“Atje ndodhi më e keqja kohës së fundit kur në mungesë të dhënies së informacioneve të duhura për forcat mbrojtëse të Ukrainës, u bë një sulm masiv raketor, me drona e me sisteme të fluturake, u sulmuan shumë caqe të infrastrukturës. Serbia mundohet t’i shfrytëzojë këto momentume”, tha Ibishi.
Kjo tha se duhet të merret me seriozitet, teksa shtoi se ekziston rreziku nga ekstremizmi islamik sidomos në Bosnjë.
“Ajo cka mund të jetë domino efekti është të fillojë realizimi i botës serbe duke nis mu nga Bosnjë-Hercegovina që është pjesa më e ndjeshme, ngase edhe boshnjakët edhe kroatët nuk do të jenë duarkryq nëse Dodiku mund të merr një hap tjetër të pavarësimit dhe normal hapi tjetër shkëputjes dhe bashkëngjitjes me Serbinë, që do të jetë domino efekt edhe për Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë”, tha ai.
