TEMPUS

Ibishi: Viti 2023 ishte sfidues sa u përket të drejtave të komuniteteve joshumicë, sfidë është diskriminimi

Senad Ibishi

Senad Ibishi nga organizata Voice of Roma, Ashkali and Egyptians (VoRAE), tha se viti 2023 ishte vit sfidues sa i përket të drejtave elementare të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptianë, sidomos në fushën e diskriminimit.

“Definitivisht që viti 2023 për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptianë, ishte një vit sfidues sa i përket aspektit të të drejtave të tyre elementare në fushën e diskriminimit, sidomos shkelje të cilat vijnë si pasojë e gjuhës së urrejtjes dhe pabarazisë mes komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptianë, që për fat të keq bëhet prej shumicës së qytetarëve”, tha Ibishi në “Tempus”.

Ai tha se diskriminimi bëhet në forma dhe sfera të ndryshme, e ky diskriminim thotë se vjen prej dy rrafsheve.

“Në aspektin shoqëror, diskriminimi që iu bëhet komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptianë, definitivisht bëhet si pasojë e mosnjohjes së këtyre komuniteteve”, tha Ibishi.

Ai theksoi se këto tri komunitete janë etnikisht të ndara dhe secili prej tyre kanë kulturë dhe traditë të veçantë.

“Andaj, në aspektin shoqëror, diskriminimi vije në aspektin e gjuhës së urrejtjes të këtyre komuniteteve, që vije si pasojë e mosnjohjes”, tha ai, duke shtuar se mosnjohja vjen edhe nga fakti që në asnjë libër nuk mund të mësosh për kulturën e këtyre komuniteteve.

Problem tjetër sipas tij është varfëria e skajshme, e që ky problem lidhet me papunësinë, që është shumë e madhe tek këto komunitetet, po ashtu sfidë është edhe banimi.

Ibishi përmendi edhe përjashtimin institucional të këtyre komuniteteve, apo aspektin e antigjipsizmit. Ai tha se në Kosovë ka raste të përjashtimit institucional të pjesëtarëve të këtyre komuniteteve. Gjithashtu, edhe edukimi i këtyre personave, u përmend si sfidë.

Po ashtu, ai tha se është iniciuar një mekanizëm të punësimit, për të promovuar mundësinë e punësimit për pjesëtarët e komuniteteve joshumicë.