Nuredin Ibishi, njohës i çështjeve të sigurisë, tha se Evropa duhet të marrë përsipër mandatin për t’u vetëmbrojtur në kuptimin e investimeve, burimeve njerëzore, por edhe industrinë ushtarake.
“Unë nuk e shoh Evropën të mbrojtur, është në interes të SHBA-ve që çdoherë të jenë prezent në Evropë, sepse Evropa është si pararoje e Amerikës”, tha Ibishi në “Tempus“.
Për këtë arsye, ai tha se mendon që është mirë paralajmërimi se Evropa duhet shumë më seriozisht t’i qaset sektorit të mbrojtjes dhe sigurisë.
Ibishi tha se investimet ushtarake në Kinë përveç ekspansionit ekonomik që po mundohet ta pushtojë globin, janë edhe në sferën ushtarake, dhe sipas tij, gjithsesi administrata e re e Trump do ta ndalë Kinën dhe interesat e saj sidomos kur ka të bëjë me Detin Kinez e Tajvanin që është një rrezik, por njëkohësisht edhe rreziku i konfliktit në mes Koresë së Veriut dhe asaj të Jugut.
Po ashtu, ai tha se në përgjithësi është mirë që këto reforma e ky programi tremujor, nënkupton që ta vetëdijësojë Evropën që duhet të merret me vetëmbrojtjen, por që Amerika në asnjë mënyrë nuk do të largohet nga Evropa, nga interesi i saj strategjik. /BetimipërDrejtësi
