Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se situata e sigurisë në Kosovë është e qetë dhe stabile, me përjashtim të veriut, ku sipas tij situata e sigurisë vazhdon të jetë e brishtë.

“Për shkak të ndikimit të grupeve kriminale dhe po ashtu ndikimit të Qeverisë së Serbisë, që ka instrumentalizuar disa grupe, siç është rasti i grupit të Radoiçiqit por edhe grupe tjera”, ka theksuar Hoxha në një intervistë në emisionin “Tempus” në KTV.

Drejtori i Policisë ka thënë se viti 2023 ka qenë ndër vitet më sfiduese për Policinë e Kosovës dhe Kosovën në përgjithësi, duke pasur parasysh zhvillimet në veri të vendit.

“Zgjedhjet lokale që u zhvilluan në atë pjesë, të cilat u bojkotuan nga subjektet politike serbe, pastaj Qeveria e Serbisë vazhdimisht tentonte të sabotonte edhe punën, por edhe synonte të ndërtonte një lloj vakumi institucional, një lloj pasigurie në veriun e vendit dhe po ashtu të kërkoj prej institucioneve ndërkombëtare që në këtë rast është EULEX-i dhe KFOR-i që ata të kenë përsipër sigurinë e veriut të vendit pas dorëheqjes së policëve tanë të nacionalitetit serb”, ka deklaruar Hoxha.

Ai ka theksuar se këtë vakum kanë arritur ta plotësojnë me sukses duke angazhuar njësitë policore nga të gjitha stacionet nga jugu dhe njësitë tjera, të cilat janë dërguar atje.

“Situata agravoi më shumë kur ne me kërkesë të Ministrisë së Qeverisë së Republikës së Kosovës, asistuam që kryetarët e komunave veriore të zgjedhur në mënyrë legjitime-legale të vendosen në objektet e komunave, pastaj ishte ai reagimi i dhunshëm dhe sulmi i tmerrshëm edhe ndaj ushtarëve të KFOR-it në Zveçan, ndaj Policisë së Kosovës, gazetarëve dhe institucioneve tjera që funksionojnë në atë pjesë, ku u lënduan një numër prej 93 ushtarësh të KFOR-it”, është shprehur Hoxha.

Ai ka theksuar se kishte edhe një varg sulmesh dhe arrestimesh, ndërsa ka përmendur edhe rastin e kidnapimit të policëve tanë në afërsi të kufirit me Serbinë. Hoxha në fund përmendi sulmin terrorist në Banjskë, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.

Hoxha flet për reformën në Polici, tregon për planet në secilin sektor

1 v. më parë / 15 pri 2024 22:03
Gazmend Hoxha - drejtor i Policisë së Kosovës

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se në vazhdën e reformave në Policinë e Kosovës, pas Ligjit për Policinë, kanë arritur të bëjnë strukturën e re të policisë e cila, sipas tij, është shumë e rëndësishme.

Hoxha në një intervistë në “Tempus” në KTV ka thënë se sa i përket kësaj strukture, kanë adaptuar edhe objektivat strategjike të Policisë së Kosovës.

“Në kuadër të Policisë deri në vitin e kaluar kanë ekzistuar pesë departamente policore; departamenti i operacioneve, departamenti i hetimeve, departamenti i kufirit departamenti i personelit dhe departamenti shërbimeve mbështetëse”, ka treguar ai.

I pari i Policisë, ka thënë se tashmë PK-së i janë shtuar edhe dy departamente, ku departamenti i hetimeve është ndarë në dy departamente, i është shtuar edhe departamenti i inteligjencës dhe i analizës.

“Sepse ne mendojmë që departamenti i inteligjencës duhet t’i paraprijë operacioneve”, është shprehur ai.

Gjithashtu ai ka theksuar se është krijuar departamenti i njësive speciale e që në vitin e kaluar ishte pjesë e departamentit të operacioneve.

“Tani e kemi ndarë departamentin rendit publik që merret vetëm me sigurinë publike dhe departamenti i njësive speciale që merret vetëm më forcat tona speciale”, ka shtuar ai.

Hoxha ka treguar se kanë krijuar edhe disa drejtori, duke thënë se kanë ngritur sektorin e krimeve kibernetike si drejtori të veçantë.

Duke folur për krimet kibernetike, ai ka theksuar se tashmë qendra do merret me krime më të rënda kibernetike.

Sektor tjerët sipas Hoxhës janë edhe krimet e luftës, duke thënë se kanë krijuar një nivel të drejtorisë dhe se kanë rritur edhe numrin e hetuesve në këtë drejtori.

“Vetëm vitin që shkoj kemi arrestuar 12 persona për krime lufte gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Andaj, për neve është prioritet sepse dëshmitarët po vdesin, gjurmët dhe  dëshmitë po humbin e ne e kemi për obligim që krimet të dokumentohen dhe kryerësit të vihen para drejtësisë sepse koha shkatërron gjithçka”, është shprehur Hoxha.

Ai ka shtuar se ka edhe prioritete tjera, siç është dhuna në familje. Drejtori i Policisë ka deklaruar se ndonëse vitin e kaluar ka pasur rënie të numrit të rasteve të dhunës në familje, kjo është një çështje që duhet të trajtohet nga të gjithë akterët në vend.
 

Hoxha: S’ka pasur asnjëherë ndërhyrje politike në operacionet e Policisë

1 v. më parë / 15 pri 2024 21:52
Gazmend Hoxha -drejtor i Policisë së Kosovës

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se nuk ka pasur ndërhyrje politike në punën e Policisë.

"Mund të ju garantoj që unë asnjëherë nuk kam pasur ndërhyrje politike në vendimmarrjen time operative, asnjëherë nuk më është kërkuar që mos ta hetojmë këtë apo ta bëjmë këtë apo mos ta bëjmë në këtë mënyrë apo në atë mënyrë. Kërkesat janë për më shumë punë, më shumë angazhim, më shumë ndriçim dhe hetim të veprave penale, por asnjëherë nuk ka pasur kërkesa të tilla, ky grup apo ky individ të mos hetohet, apo ky grup apo ky individ të hetohet. Kërkesat janë maksimale për punë dhe angazhim, por që nuk janë të tilla që e dëmtojmë Policinë e Kosovës në aspektin operativ apo në aspektin hetimor”, është shprehur Hoxha në një intervistë në emisionin “Tempus” në KTV.

Ai ka deklaruar se ministri Xhelal Sveçla ka vullnet të madh për ta mbështetur Policinë e Kosovës.

“Unë mendoj se ministri Sveçla ka një imunitet jashtëzakonisht shumë të madh për punë, po ashtu edhe ka një vullnet të madh për të mbështetur Policinë e Kosovës në zbatimin e detyrave dhe përgjegjësive të saj”, është shprehur Hoxha. 

Drejtori ka theksuar se nuk pranojnë urdhra nga ministri për zbatim të detyrave të tyre.
“Sa i përket çështjes së ministrit të Brendshëm në dhomat operative ose në vendet e ngjarjes, nuk pranojmë urdhra direkte nga ai për të zbatuar detyrat apo mënyrë e perforimit tonë në terren. Vendimmarrjen direkte e ka Policia e Kosovës, duke filluar nga unë dhe varësisht nga ndërrimi, ai që është përgjegjës në dhomën komanduese, do të thotë se ministri ka qenë shpeshherë atje por gjithë urdhrat për operacione për punë për detyra bëhen nga Policia e Kosovës“, ka deklaruar Hoxha.
 

Hoxha: Niveli i sigurisë më i lartë pas Banjskës, qytetarët në veri besojnë më shumë në Polici

1 v. më parë / 15 pri 2024 21:33
Gazmend Hoxha - drejtor i Policisë së Kosovës

Gazmend Hoxha, drejtor i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, ka theksuar se niveli i sigurisë është më i lartë pas rastit të sulmit në Banjskë dhe se qytetarët besojnë më shumë në Polici.

“Situata e sigurisë por dhe niveli i sigurisë që ofrohet sot në pjesën veriore është shumë më i mirë dhe ka siguri më shumë se që ka pas para datës 24, do të thotë këtë nuk është konstatim i imi, por që është konstatim që e mbështes në fakte dhe dëshmi. Ne kemi policë të Policisë së Kosovës në çdo stacion policor të veriut të vendit, duke filluar me punën dhe funksionimin e drejtorisë policore në veri. Stacioni policor në veri të Mitrovicës në Zubin Potok, në Leposaviq edhe në Zveçan. Po ashtu, çdo stacion policor ka njësitë e tij patrulluese, njësitë e hetimeve dhe për çdo shërbim të qytetarëve që qytetarët e kërkojnë, ne i ofrojmë sot. Do të thotë, edhe qytetarët kanë filluar të besojnë edhe më shumë në Policinë e Kosovës, çdo natë  ka raste të raportuara në polici”, është shprehur Hoxha në një intervistë në emisionin “Tempus” në KTV.

Hoxha ka thënë se ka edhe policë të policisë kufitare, që kryejnë detyrat në pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë.

“Po ashtu, edhe në vijën e gjelbër, duke patrulluar, duke mbikëqyrur po ashtu edhe duke mbikëqyrur rrugët ilegale, të cilat një numër të madh të tyre i kemi mbyll, mirëpo disa të tjera për shkak komunikacionit të terenit, nuk kemi mundësinë gjithmonë ta mbajmë nën kontroll, mirëpo monitorojmë kohë pas kohe me patrullime qoftë me teknikë të nevojshme. Pastaj pas datës 24 ka ndryshuar për të mirë“, është shprehur ai.

Tutje Hoxha, ka thënë se tashmë kryhen deri në 12 bastisje brenda një dite dhe nuk ka asnjë reagim nga ana e grupeve kriminale.

“Qytetarët serbë e kanë pranuar Policinë e Kosovës dhe po kërkojnë shërbime prej nesh dhe ne jemi të gatshëm t’iu ofrojmë atyre”, është shprehur Hoxha.

Hoxha: Ka kërcënim dhe rrezik për një sulm të ri në veri, grupi i Radoiçiqit vazhdon të jetë i lirë

1 v. më parë / 15 pri 2024 21:24
Gazmend Hoxha -drejtor i Policisë së Kosovës

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës Gazmend Hoxha, ka thënë se ka kërcënim dhe rrezik për një sulm të ri në veri dhe se grupi i Milan Radoiçiqit vazhdon të jetë i lirë.

“A ka kërcënim ka, a ka rrezik, unë besoj se ka derisa grupi terrorist i Radoiçiqit vazhdon të jetë i lirë në Serbi, vazhdon të trajnohet në Serbi, vazhdon të mbështetet nga strukturat e Serbisë, të trajnohet atje dhe të qëndrojë afër kufirit të Republikës së Kosovës. Çfarë është Kopauniku, po edhe bazat tjera ushtarake të Serbisë, e që janë afër kufirit tonë, mendoj që ka rrezik, e që ne duhet të jemi vigjilent dhe në gatishmëri të plotë për të vepruar atë dhe po e bëjmë”, ka deklaruar Hoxha, në një intervistë në emisionin “Tempus” në KTV.
 

Hoxha: Zyrtarët policorë ia kanë dedikuar jetën vendit, po punojmë t’i realizojmë kërkesat e tyre

1 v. më parë / 15 pri 2024 21:15
Gazmend Hoxha - drejtor i Policisë së Kosovës

Gazmend Hoxha, drejtor i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, ka thënë se zyrtarët policorë ia kanë dedikuar jetën vendit.

Në një intervistë për “Tempus”, Hoxha ka deklaruar se po punojnë t’i realizojnë kërkesat e tyre.

“E para është se ata e vënë jetën në shërbim të qytetarëve, e dyta është se iu kanë dedikuar uniformës së policisë, pra e duan uniformën dhe e treta është ajo motivimi material ose kompensimi për punën që bëjnë. Domethënë nëse i shikojmë Policinë e Kosovës, qoftë këta policë të rinj që po na bashkëngjiten çdo vit apo ata me përvojë, mendoj që ata mund të gjenden në secilin institucion të Republikës së Kosovës, mirëpo kanë vendos që trupin e vet, kapacitetin e vet, ta vënë në shërbim të këtij vendi, qytetarëve dhe të uniformës. Andaj, ne po punojmë që maksimalisht për ata të jenë të paguar”, është shprehur Hoxha.


Hoxha: Me Ligjin për Paga ka pasur rritje për zyrtarët policorë, kishte ulje në disa kategori

Gazmend Hoxha, drejtor i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, në një intervistë në emisionin “Tempus” në KTV, tha se me Ligjin për Paga ka pasur rritje për zyrtarët policorë, por ulje në disa kategori.

“Polici jonë në fund të muajt ka marrë më shumë para se që ka marrë ma herët, për shembull polici i patrullës merr prej 100 deri 150 euro varësisht nga ndërrimet e natës që i punon, rrezikshmëria, puna, gjithë këto, e zbritje ka qenë te kadetët policorë këta që kanë trajnim në shkollën e policisë dhe ka pas zbritje nga grada e majorit te grada e drejtorit të përgjithshëm të policisë ,por që tash është rregulluar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, është shprehur Hoxha.

 

Hoxha: Më 2023 Policisë iu shtuan rreth 160 policë nga komunitetet, shumica serbë

1 v. më parë / 15 pri 2024 21:10
Gazmend Hoxha - drejtor i Policisë së Kosovës

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka deklaruar se në vitin 2023 Policisë i janë shtuar rreth 160 zyrtarë policorë nga komunitetet, shumica e të cilëve serbë.

“Ne kemi shpallur gjatë vitit 2023 dy konkurse të veçanta për minoritarë të cilët kanë shprehur interesim të punojnë në Policinë e Kosovës në pjesën veriore të vendit. Nga konkursi i parë janë pranuar diku 79 zyrtarë policorë të cilët janë caktuar për të punuar në atë pjesë, jo të gjithë pjesëtarë të komunitetit serb, ka edhe boshnjakë, ashkalinjë, e të tjerë, por që shumica prej tyre e flasin gjuhën serbe dhe janë më lehtë të pranueshëm dhe po ashtu mund t’i shërbejnë dhe besimi do të jetë më i madh në Policinë e Kosovë, po shumica kanë qenë serbë”, ka theksuar Hoxha në një intervistë në emisionin “Tempus” në KTV. 

Ai ka thënë se tashmë në Akademinë Policore të Kosovës, atje ku kryen trajnimet themelore, është një grup.

“Grupin e dytë rreth 80 zyrtarë, shumica janë serbë, pastaj edhe tjerë, edhe boshnjakë, ashkalinjë, ku me datën 18 do të bëhet edhe diplomimi dhe do të caktohen në pjesën veriore dhe do të trajnojmë deri në arritjen e numri t të plotë që është diku 300”, tha Hoxha.
 

Hoxha: Ka pasur informacione për sulmin në Banjskë, reagimi i Policisë ishte profesional

1 v. më parë / 15 pri 2024 20:58
Gazmend Hoxha -drejtor i Policisë së Kosovës

Gazmend Hoxha, drejtor i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, ka thënë se në rastin e Banjskës, Policia e Kosovës ka pasur informacione për sulm dhe se reagimi i saj ishte profesional. 

“Ka pas informacione që grupet e caktuara kriminale duke përfshirë këtu edhe Mbrojtjen Civile po edhe Brigadën e Veriut janë duke u trajnuar duke u përgatitur në Serbi, këto informacione normalisht ne i kemi analizuar, kemi bërë planet tona reaguese, kemi ngrit kapacitetet, kemi pas edhe njësitë në thirrje që kanë qenë të gatshme për të reaguar gjë që u dëshmua edhe gjatë operacionit. Tashmë ka qenë e vështirë për të parashikuar vendndodhjen apo kohën e operacionit sepse edhe ata që e planifikojnë janë të kujdesshëm që këto elemente të rëndësishme të një operacioni qoftë policor apo ushtarak i kanë mbajtur më strikt ose një grup i caktuar”, ka deklaruar Hoxha në një intervistë në emisionin “Tempus” në KTV.

Ai ka thënë se mendon që në një afat shumë të shpejtë kanë arritur ta kuptojnë  nivelin e këtij sulmi.

Gjithashtu, Hoxha ka theksuar se reagimi i Policisë në rastin e Banjskës ishte profesional dhe në kohë.

“Edhe reagimi jonë ka qenë shumë profesional brenda minutash pas vrasjes së rreshterit Afrim, njësitë tona policore qoftë ato të rendit publik, ato kufitare apo njësitet speciale të cilat kanë qenë në gatishmëri, kanë arritur në mbështetje për të mbështetur policët tanë që kanë qenë nën breshrinë e armëve të kalibrave të ndryshëm po ashtu edhe të zollave, murtajave, mitrolezëve, snajperëve”, është shprehur Hoxha.

Operacioni në Banjskë, Hoxha ka thënë se kishte zgjatur deri në mëngjes.

“Gjithë këto dhe kemi arritur në mëngjes sepse atë ditë është zhvillu një betejë e madhe jo vetëm mëngjesin e datës 24 po edhe gjatë natës Afrim është vra, operacioni ka zgjatë 3 e 53 e 6 minuta e operacioni ka zgjatë deri mëngjes duke shkëmbyer armë, kurse në mëngjes njësit tona kur kanë pas një pasqyrë të saktë se çfarë ka atje, kemi marrë situatën nën kontroll dhe jemi ballafaquar forcat tona speciale me grupin kriminal dhe kanë arritur ta mposhtim në mënyrë triumfale po ashtu e keni pa edhe tërheqjen e tyre duke lënë edhe shokët e tyre bashkëluftëtarët e tyre në këtë betejë”, është shprehur drejtori i Policisë.