Këtë deklarim, Gashi e bëri në emisionin “Tempus” në KTV.
“Gjatë krejt kësaj Qeverie, vetëm para një muaji e gjysmë ose dy muaj, na ka pritë Emilija Rexhepi dhe na ka pritë për me na dëgju dhe ka marrë informata prej nesh. Vetëm Emilija Rexhepi dhe na ka premtu që do të na realizojë një takim me kryeministrin dhe nuk ka ndodhë. Por, ministri, unë mendoj që së paku e ka pasur obligim moral për me u interesu për çështjen e pensioneve, përpos profesional, administrativ dhe juridik, ai është dashtë që thjesht në baza tradicionale me i taku këta njerëz dhe me i pyet si i keni punët”, tha Gashi.
Ish-kryetari i Shoqatës së Pensionistëve tha se edhe në kërkesat e tyre për të qenë pjesë e grupeve punuese për hartimin e Ligji për skemat pensionale, qeveritarët nuk u janë përgjigjur thirrjes se tyre.
“Ne i kemi bërë dhjetëra kërkesa pa ndërprerë që të na i falë 5 minuta të prezantojmë dokumentacionet, t’i prezantojmë idetë tona për këtë çështje. Kemi bërë kërkesë të na përfshijë në grupet punuese për plotësim-ndryshimin e Ligjit aktual të skemave pensionale. Pastaj, kanë thënë që dojnë me e përpilu një ligj të ri të bazuar në Fondin e Sigurimeve Pensionale dhe atëherë kemi bërë kërkesë e që nuk na kanë pranu. Jo vetëm që nuk na kanë pranu ,por nuk na janë përgjigjë fare. Nuk na janë përgjigjë as në imella, as në telefon dhe as kur kemi shku fizikisht aty”, tha ai.
Po ashtu, Gashi tha se edhe kur kanë shkuar fizikisht, kanë qenë të fyer, injoruar dhe përbuzur. /BetimipërDrejtësi
