Enver Fejzullahu, drejtor i Akademisë së Drejtësisë, në emisionin “Tempus” tha se përgatitja e gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj, përmes trajnimeve të organizuara, mbetet objektiva kryesore e Akademisë së Drejtësisë.
Fejzullahu theksoi që viteve të fundit është bërë një punë e madhe, ku në vitin 2020 dhe 2021 janë trajnuar pesë gjenerata në kuadër të trajnimit fillestar.
Ai tha se në trajnimin fillestar për katër vitet e fundit janë trajnuar 180 gjyqtarë dhe prokurorë të rinj.
“Nëse marrim në tërësi vetëm në trajnimin fillestar për katër vitet e fundit janë trajnu diku rreth 180 gjyqtarë dhe prokurorë të rinj që janë rekrutu prej KGJK dhe KPK, që është një përqindje e shkallës së parë të Gjykatave Themelore, diku rreth 50% i gjithë gjyqtarëve. Pjesa tjetër kuptohet është trajnimi i vazhdueshëm, që është për gjyqtarët me mandat të përhershëm, po edhe për prokurorë me mandat të përhershëm, po edhe stafi tjetër nga shërbimi civil”, tha Fejzullahu.
Drejtori i Akademisë së Drejtësisë tha që për tri vitet e fundit janë realizuar 565 aktivitete trajnuese, njëditore dhe dyditore, me pjesëmarrje prej 12 mijë e 60 persona, përfshirë gjyqtarët, prokurorët dhe bashkëpunëtorët profesional.
Po ashtu, ai tha që kohën e fundit ekziston edhe programi i posaçëm për bashkëpunëtorët dhe zyrtarët ligjorë, me qëllim që t’iu ofrohet një trajnim bazik, që sipas tij, secili bashkëpunëtor që rekrutohet të ketë mundësinë të ndjek trajnim që do t’i aftësonte ata.
Gjithashtu, Fejzullahu bëri të ditur se pjesë e këtij programi është edhe trajnimi për stafin administrativ.
Fejzullahu: Rreth 80% e trajnimeve të organizuara nga Akademia e Drejtësisë financohen nga donatorët
Enver Fejzullahu, drejtor i Akademisë së Drejtësisë,tha se pjesa më e madhe e trajnimeve të Akademisë së Drejtësisë (rreth 80-90%) financohen nga donatorët.
“565 aktivitete trajnuese, ndoshta kanë qenë njëditor-dyditor, ka edhe pak treditor, 12 mijë e 60 vetë. 80 deri 90% e këtyre aktiviteteve financohen nga donatorët, jo nga buxheti jonë”, tha Fejzullahu.
I ftuar në emisionin “Tempus” në KTV, drejtori i Akademisë së Drejtësisë tha se buxheti është i mjaftueshëm për të realizuar programin e trajnimit, por që nuk janë të kënaqur me programet e trajnimit.
“A mund të bëj Akademia diçka më shumë? Po. A kemi mundësi? Jo”, u shpreh Fejzullahu.
“Ne kemi buxhet që faktikisht është prej viteve paraprake qoftë prej vitit 2019, është i njëjtë. Baza e buxhetit është e njëjtë. Si buxhet i tillë neve nuk na jep mundësi që të bëjmë planifikim zhvillimor më afatgjatë”, tha Fejzullahu.
Kjo sipas tij në kuptim të ngritjes profesionale, teksa theksoi nevojën e asaj që të shihet se si zbatohet legjislacioni në vendet tjera.
“Trajnimet më të suksesshme, më kualitative janë kur gjyqtarët mësojnë prej gjyqtarëve. Ne kemi shumë risi legjislative në legjislacionin tonë, mirëpo në aspektin e zbatimit të saj, ne duhet pak a shumë të kemi një mundësi të shohim si zbatohen në vendet tjera”, tha ai.
Sipas tij, duhet realizuar një vizitë studimi në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për Gjykatën Supreme, por për shkak të mungesës së buxhetit nuk kanë mundur ta realizojnë.
Më 2024, Fejzullahu tha se kërkesa e tyre ishte që të kenë 1 milion e 400 mijë euro buxhet për Akademinë e Drejtësisë. Prej tyre, tha se kanë marrë 800 mijë euro buxhet, ku pjesa tjetër është mbuluar nga donatorët.
Sipas tij, vetëm këtë vit kostoja për trajnimin fillestar ishte 518 mijë euro, pra trajnim i cili është 12 mujor.
Ai tha e mundohen ta përshtatin programin trajnues me nevojën që i përshtatet pjesëmarrësit, kurse theksoi se adresojnë çështje ligjore që identifikohen.
“Kemi diku 12 mekanizma të ndryshëm që ne i marrim. I marrim informatat, të dhënat, i analizojmë përmes grupeve punuese apo përmes tryezave me KGJK dhe KPK dhe i identifikojmë cilat janë prioritetet. Nevojat janë të mëdhaja, mundësitë janë të vogla me ofru dhe i përmbush të gjitha nevojat që paraqiten”, tha Fejzullahu.
Në anën tjetër, Fejzullah Rexhepi, kryetar i Gjykatës Supreme, tha se po mundohen që programin e trajnimit për gjyqtarë dhe prokurorë të rinj ta bëjnë sa më praktik, në mënyrë që pastaj të jenë të aftë t’i ushtrojnë përgjegjësitë e tyre.
“Realisht, programi i Akademisë së Drejtësisë sa i përket programit fillestar edhe për gjyqtarët edhe për prokurorët e rinj, bëhen në koordinim me Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial. Ne po mundohemi në vazhdimësi që të përfshijmë gjithë ato tema të cilat janë me interes për gjyqtarët dhe prokurorët në punën e tyre të përditshme. Po mundohemi që programin ta bëjmë sa më praktik në mënyrë që kur të dalin ata në punën e tyre të jenë të aftë që t’i ushtrojnë përgjegjësitë e tyre”, tha Rexhepi.
Ai tha se ka pasur evoluim vazhdimisht programi edhe për gjyqtarë edhe për prokurorë fillestarë.
“Ne po mundohemi të fusim risi vazhdimisht. Gjatë programit për gjyqtar këtë vit e kemi futur si risi, pothuajse në çdo modul është simulimi i aktgjykimeve, i gjykimeve në salla të gjykimit, ku gjyqtarët kanë me u përballë me role të ndryshme, me të cilat do të përballen vazhdimisht në seanca gjyqësore”, tha Rexhepi.
Fejzullahu: Plotësim-ndryshimi i Ligjit për Akademinë e Drejtësisë ka pasur progres prej qasjes që kishte në fillim
Enver Fejzullahu, drejtor i Akademisë së Drejtësisë, tha se plotësim-ndryshimi i Ligjit për Akademinë e Drejtësisë ka pasur progres prej qasjes që ka pasur në fillim.
“Nuk e di cili është versioni i fundit, por di që ka pas progres në takimin e fundit të grupit punues prej komenteve të mëhershme që kanë qenë apo prej qasjes që ka qenë. Do të thotë ne e kemi ruajt përbërjen e Këshillit Drejtues, kjo është shumë e rëndësishme. Vija llogaridhënëse është sikurse u përmend këtu çështja se Akademia ndaj kujt është llogaridhënës. Ne e kemi dhënë edhe si reagim edhe si koment në qoftëse ky Këshill Drejtues që përbëhet prej anëtarëve më eminent të sistemit të drejtësisë. Mirëpo, ajo që jemi munduar ta ruajmë është anëtarët ex-officio që janë parapa në bord. Kjo e forcon Këshillin Drejtues, Akademinë e Drejtësisë”, tha Fejzullahu.
Mirëpo, theksoi se ka pasur progres prej fillimeve të grupeve punuese që kanë qenë, me grupin e fundit.
“Po shpresojmë prapë do të jetë një zgjidhje, një plotësim/ndryshim që i adreson kërkesat dhe nevojat tona”, tha ai.
Drejtori i Akademisë së Drejtësisë tha në “Tempus” se është ndryshuar metodologjia e trajnimit, kryesisht të gjitha modulet trajnuese tha se trajtohen, zhvillohen, organizohen në formën e tryezave.
“Nuk kemi më module apo trajnime klasike qysh janë mbajtur më parë, tash kemi kryesisht debat profesional që zhvillohet”, tha tutje Fejzullahu.
Ai tha se plotësim-ndryshimi i ligjit të jetë sa më i mirë në kuptimin e mundësisë që i jep Akademisë të zhvillohet si institucion profesional.
“Nuk është një institucion apo agjenci ekzekutive, nëse kjo reflekton edhe te buxheti, buxheti kur planifikohet dhe ndahet Akademisë është sikur një agjenci ekzekutive. Akademia e Drejtësisë është puro institucion profesional, do të thotë kjo është ajo që është shumë e rëndësishme, edhe plotësim-ndryshimi i ligjit duhet të shkojnë në atë vizion, në atë vijë”, u shpreh Fejzullahu.
Ndërsa, Gzim Shala nga IKD tha se drafti i parë i këtij ligji tentonte ta politizonte skajshmërisht Akademinë. Tha se kanë dhënë komentet e tyre për këtë draft, por që draftin aktual nuk e kanë parë ende.
