TEMPUS

Demolli: Gjuha e urrejtjes po vjen nga shtëpia e demokracisë, Parlamenti

Luljeta Demolli

Luljeta Demolli, drejtoreshë ekzekutive në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, tha se gjuha e urrejtjes po vjen pikërisht nga shtëpia e demokracisë, Parlamenti.

“Faktikisht burimi i asaj gjuhe të urrejtjes, është tepër keq që po vjen nga Parlamenti, nga shtëpia e demokracisë”, tha Demolli në “Tempus“.

Sipas saj, institucionet tona nuk janë vigjilente që në një mënyrë më urgjente të punojnë në parandalimin e gjuhës që përpos diskriminuese ka qenë edhe një gjuhë seksiste.

“Ku prej Parlamentit, prej Qeverisë, duke mos i zbatuar apo mosrespektuar ligjet, duke mos i shty politikat e ndjeshme për komunitetet e ndryshme posaçërisht gratë e ka bo që shlirë edhe deputetët, edhe qytetarët, në mënyrë të thjeshtë të përdorin seksizëm dhe diskriminim”, tha Demolli.

Demolli tha se edhe vetë sektori privat është pjesë e Raportit të shoqërisë civile për të drejtat e njeriut, ku thotë se lehtësisht diskriminon dhe nuk e ndëshkon ngacmimin seksual.

Andaj, sipas saj ky mosvullnet politik ka bërë që shumë çështje të jenë me vite të pazgjidhura.

Ndër të tjera, Demolli tha se krahas rritjes së numrit të rasteve të raportuara për dhunë, ka edhe rritje të numrit të këtyre rasteve.

Sipas saj, një ndër arsyet pse ndodhin këto raste është edhe mbajtja e armëve pa leje, por dhe çështje të ndryshme që Qeveria e Kosovës nuk i adreson.

“Do të vëja një shprehje edhe një gjë me rëndësi se Qeveria e Kosovës, shteti i Kosovës nuk është pjesë e Kombeve të Bashkuara, e si rrjedhojë edhe nuk raporton në nivele të larta ndërkombëtare siç janë Kombet e Bashkuara”, tha Demolli.

Përkundër kësaj, ajo tha se nëse ne bëhemi pjesë e organizatave të mëdha botërore, atëherë për këto raste, shteti do të obligohet të marrë masa dhe të përshpejtojë çështjen e barazisë gjinore dhe të jetë më efikas në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

“Me kaq pak vulllnet, në njëfarë mënyre kur dalim me raporte të tilla, me këtë mosdurim që e kanë qeveritarët tonë, ministrat tonë me një mënyre kaq të shpejtë ta kthejnë se nuk është e vërtetë ose ju po shpifni ose të përdorin një mosrespekt për punën tonë, na bën me dije se çka ku ne nesër bëhemi si Kosovë pjesë anëtare e Kombeve të Bashkuara ose Këshillit të Evropës ose pjesë e organizatave ndërkombëtare, ku raportet e tilla do të jenë të përvitshme edhe ku të obligojnë dhe të ndëshkojnë, edhe jemi tashmë të ndëshkuar, edhe Raporti i Progresit, shteti i Kosovës është edhe nën masa nga Bashkimi Evropian, edhe për shkak që në mënyrën se si po trajtohen minoritetet në Kosovë,” tha Demolli.